Flet biznesmeni/ Shkëlqim Fusha pranon se do ndërtohen kulla (VIDEO)

397
Sigal

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar nuk i ka prishur planet e kompanisë “Fusha” për të zhvilluar planin e saj të biznesit për këtë zonë, ku ajo zotëron një pjesë të truallit. Drejtuesi i kompanisë, biznesmeni Shkëlqim Fusha, i kontaktuar nga TvT na thotë se ambicia e tij është po e njëjta.

“Ëndrra ime është e njëjtë me të parën.”

Gjithçka do të ndërtohet, përfshi teatrin e ri dhe kompleksin pas tij është sipas të njëjtit projekt, atij të danezit Bjarke Ingels.

“Po patjetër, është projekti i Bjarkut. Ishte i përgjithshëm, multifunksional. Nuk ishte vetëm teatri, trualli ishte i studiuar i gjithi në të 4 anët e rrugës. Po, patjetër. Dëshira ime ajo është që ta zhvilloj pronën time. Dhe në varësi të nevojës, në varësi të rakordimit me studimin, jo kështu…kuturu. Prandaj ishte bërë që të bëhej studimi në një dorë. Tek pjesa ime patjetër që do qëndroj.”

I rezervuar për të dhënë shifra sa ka kushtuar projekti i Teatrit të Ri që u pagua nga kompania “Fusha” dhe që u riprezantua nga kryebashkiaku Veliaj para pak ditësh, biznesmeni Fusha thotë se do t’i përmbahet premtimit që u ka bërë drejtuesve të bashkisë për t’u dhuruar projektin.

“Projekt-ideja është bërë nga Bjarku dhe porositur nga ne, është e paguar nga ne te Bjarku dhe ne nuk na duhet më, në fund fare mund t’ia dhurojmë bashkisë. Po, u kam premtuar, është e tyre.”

Biznesmeni Fusha është besimplotë se edhe Bashkia e Tiranës do t’i qëndrojë bashkëpunimit për të dhënë tokën publike në funksion të këtij plani.

“Nëse do Bashkia le të bashkohet me ndërtimin për interesat e veta. Kjo është një pjesë që i përket një faze më tutje. E mira do ishte që bashkëpunimi të funksionojë. Studimi bëhet i përbashkët dhe bëhet një zhvillim më bashkëkohor dhe pjesa tjetër që mebetet jashtë zhvillimit, qoftë privat qoftë të bashkisë i takon përllogari të teatrit, shesh. Tani do të fillojë bashkëpunimi për së dyti nëse do të qëndrojmë për ndërtimin privat apo jo. Por gjithmonë për ndërtimin civil, do të ndërtojmë një kullë apo dy më vete, që do të thotë kusuri i tepricës prapë i ngelet shesh bashkisë. Teatri përveç 5500 apo 5200 tokë reale, përfitonte si shesh edhe më tutje edhe më gjerë. Por gjithë shesh do të bëhej, i gjithë shtetit i kalonte.”

Ambiciet e kompanisë dhe vetë zotit Fusha për këtë plan biznesi kanë qenë edhe më të mëdha kur ky projekt u ideua. Ai tregon se plani fillestar nuk parashikonte kufij, por reagimet që pasuan sçuan në rishikimin e planit.

“Me projektin e parë prekej vetëm toka e Bashkisë, jo Teatri zero Teatri. Teatri flasim gjithmonë për projektin e fundit se Teatri fillimisht nuk shiteshin kufinjtë me zhvillimin e parë fare, me studimin e parë fare. Nuk shiteshin kufijtë. Kur u nxeh arena politike, u larguam 100% nga Teatri. Nuk e preknim asnjë centimetër. Zhvillimi privat bëhesh në zonën tokë-Bashki dhe tokë private.”

Fusha nuk e kursen falenderimin për ata artistë që u pozicionuan pro planit të tij të bzinesit, por para së gjithash thotë ai është plani i tij ekonomik.

“Patjetër që pata zhgënjim, artistët e zgjeruan gamën më shumë nga sa kërkuan. I falenderoj ata që bashkëpunuan, por kur filluan të zgjeronin kërkesat, më prishej bilanci ekonomik.”

Kompania “Fusha” është akuzuar për lidhje klienteliste me Bashkinë e Tiranës, nga e ka cila ka përfituar një mori tenderash publikë. Fusha mohon që tenderat t’i ketë përfituar në mënyrë korruptive dhe thotë se fitues të garës e kanë bërë serioziteti dhe profesionalizmi që ka treguar.

“Mund t’i verifikojë secili në qoftë se ka një privilegj, do ta përgëzoja por absolutisht nuk ka lidhje fare. Pa diskutim. S’ma ndjen fare në atë krah. Garat ishin të hapura sipas ligjeve shqiptare. Në shumicën e rasteve unë kam qenë i pari, ose ka patur konkurrencë fare të padenjë.”

Për zbatimin e projektit të Teatrit dhe planit të saj biznesit, kompania Fusha themeloi në shtator të vitit 2018 kompaninë Tirana National Theatre and Development, ende me status aktiv në Qendrën Kombëtare të Biznesit siç tregon ky ekstrakt. Në përshkrimin e objektit të veprimtarisë thuhet se investimi ka si qëllim projektimin zhvillimin, ndërtimin dhe mobilimin e teatrit të ri kombëtar dhe godinave multifunksionale si hotel, zyra banimi dhe shërbime./ Tema Tv