MEGA bën publike shkeljet e ligjit zgjedhor që nga vjedhja e votës deri te numërimi

500
Sigal

SARANDË/ Sipas përfaqësuesve të MEGA-s: Fitorja e Dules, përveçse mandat fiktiv, edhe humbje për minoritetin

Partia minoritare MEGA, vijon kontestimet e sajë ndaj procesit zgjedhor të 23 Qershorit 2013. Selia e kësaj partie, paraditen e së premtes, ka bërë publike edhe disa fakte të shkeljes së ligjit zgjedhor nga pushtetarët vendor, komisionerët dhe numëruesit. Sipas MEGA-s, shkeljet janë të shumta, ku më të spikatura përmendet rasti i fshatit Dhivër i komunës me të njëjtin emër dhe pikërisht në QV me kutinë NR:4695, ku megjithëse u numëruan votat dhe u shpall numri i tyre në favor të MEGA-s, në tabelë u hodhën në numrin elektoral 47, që i përket Partisë për të Drejta të Mohuara dhe jo numrit 46 që i përket MEGA. “Justifikimi vjen se u hodh gabimisht në kompjuter dhe nuk mund të korrigjohet. Po kështu edhe në fshatin Qeparo të Himarës, nga qe edhe vetë një deputet yni, nuk u gjet as vota e tij, pa le më e farefisit. Në Frashtan të Gjirokastrës, ku një tjetër kandidat yni me 9 votues në familje del 0 vota. Rast tipik ka ndodhur në fshatin Dhrovjan të Komunës Mesopotam të Delvinës, ku janë hedhur mbi 100 vota pa votuar, kjo vërtetohet me lehtësi në PKLK, se a kanë hyrë personat që kanë votuar në Shqipëri. Abuzimi me detyrën ka ndodhur edhe në fshatin Kalcat të Komunës Livadhja, ku është shmangur qendra e votimit nga qendra e miratuar nga KQZ dhe si e tillë u bllokua votimi. Ndërsa për rastin e dy kutive të QV të fshatrave Livadhja e Vagalat të Komunës Livadhja, ku KQZ vendosi numërimin e tyre dhe dërgimin e komisionerëve para gjyqit, MEGA shprehet se, KZAZ-ja ka gabim që pranoi numërimin që në momentin që kutia erdhi me vulë të tjetërsuar dhe procesverbale të parregullt. Këtu nis gabimi dhe të mos prisnin hapjen e kutive dhe të gjenin shumë fletë votimi të bashkangjitura dhe mandej t’i nxirrni të pavlefshme. Jo, gabim fatal me përgjegjësi të madhe! Pas gjithë kësaj situate, duke përmendur edhe Vlorën, ku numërimi nxori 0 vota, MEGA thekson në kërkesën e sajë për transparencë dhe të mbrohet vota e çdo qytetari, kjo pa pretendime të tjera. Denoncojmë publikisht masakrën e bërë në procesin e numërimit si dhe presionin ndaj votuesve që u ushtrua nga përfaqësuesit e pushtetit vendor. Mendoni skena të kapura nga MEGA në komisionet e numërimit, ku secili komisioner rrëmbente fletëvotimi dhe ja delegonte forcës së tij politike. Ka ndodhur! Dhe ja në qytetin e Sarandës kishim dy vëzhgues, pas përfundimit të numërimit tjetër shifër u komunikua, ndërsa tjetër u regjistrua me mbi 100 vota mangët. Janë shkelje ligjore dhe akte të paprincipta, ku është shkelur Kodi Zgjedhor. Këto MEGA i denoncon për të vendosur drejtësi dhe vlerëson procesin zgjedhor në përgjithësi, megjithëse rezultati i sajë nuk është shumë i kënaqshëm edhe për rastet e lartpërmendura, por e rëndësishëm është fakti që MEGA po futet në jetën politike shqiptare me seriozitet dhe përgjegjësi për komunitetin që përfaqëson dhe ka synim në mbrojtje të të drejtave të tyre. Kjo bëhet më imediate për vet faktin që në Dropull mbizotërojnë partitë e mëdha e deri LSI, tregon se interesat e minoritarëve janë nëpërkëmbur. Atje nuk ka më influencë as PBDNJ, as OMONIA, as MEGA. Fitorja e Dules është fiktive dhe tregon se politika që ka zbatuar PBDNJ në minoritet, është një politikë e gabuar që shkakton përçarje, konflikte, mbrojtje interesash të ngushta dhe nuk zgjidh problemet që shqetësojnë qytetarët minoritar. Fitorja e Dules është humbje për minoritetin”, përfundojnë komentet e MEGA-s ditën e premte, ekskluzivisht për “Telegraf”.

KRYEBASHKIAKU STEFAN ÇIPA VLERËSOHET NGA DHOMA BRITANIKE E TREGTISË

SARANDË/Në një aktivitet të zhvilluar në qytetin e Sarandës ditën e premte nga Dhoma e Tregtisë Britanike në Tiranë, ka dhënë vlerësime maksimale për Kryebashkiakun Stefan Çipa dhe resurset e qytetit të Sarandës. Përfaqësuesi i kësaj Dhome, z.Zenel Hoxha në prezantimin e programit dhe qëllimit të këtij programi, konkretizuar në start me aktivitetin “Për promovimin e turizmit në rivierën shqiptare”, ka shprehur vlerësimet që Dhoma Britanike në Shqipëri, ka për z.Çipa. Një njeri i përkushtuar për qytetin e tij që dashuria dhe interesimi nuk kanë kufij. Jemi të mahnitur se kurrkund nuk e kemi gjetur interesim të tillë nga drejtues të pushtetit lokal për qytetin që drejtojnë. Ai mundohet me të gjitha mënyrat që të realizojë ëndrrën e tij për ta futur Sarandën në hartën botërore të turizmit dhe do ta realizojë. Pikërisht në funksion të kësaj është edhe fillimi i këtij aktiviteti, që mund ta quaj fat, se pas 65 vjetëve, anglezët zbarkojnë përsëri në Sarandë, se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq me të gjitha mundësitë për një ekonomi të integruar në BE dhe Dhoma Britanike është institucioni, i cili ndihmon në zhvillimin e biznesit tuaj në Sarandë, kjo në lidhje me kompani ndërkombëtare. Duke qenë partner strategjik për integrimin e Shqipërisë dhe përfaqësuese e lidhjeve midis dy vendeve, ofrohet okazioni i bashkëpunimit me bizneset britanike, konsulenca ligjore dhe financiare si dhe grante, por përveç këtyre dhe seminareve e vvorkshope, edhe pjesëmarrje në aktivitete biznesi brenda dhe jashtë vendit si dhe shkollim të fëmijëve në Britani dhe vendet anglisht folëse. Hapësirat e ndihmës dhe bashkëpunimit janë në shumë fusha dhe për biznesin sarandjot hapet dritarja e zhvillimit, sidomos për biznesin e ri. Janë këto hapat e parë për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare të rrënuar dhe pikërisht nis me mbështetjen e biznesit. Nga ana e tij kryebashkiaku Stefan Çipa ka theksuar se, ndihma e qeverisë angleze është e pakufishme për rimëkëmbjen e ekonomisë sonë në këtë periudhë përjetimi krize. Pas edhe nënvizimit të eksperiencave të deritanishme të Bashkisë Sarandë në implementimin e projekteve të ndryshme dhe vizionin për të ardhmen, z.Çipa ka përmendur edhe ndikimin e standardeve për zhvillimin e turizmit në Sarandë. Rrugë e re plotë shpresë hapet për qytetin.