Adriana Koreta: Femrat janë më të sinqerta, por më xheloze

730
Sigal

INTERVISTA/  Flet këngëtarja Adriana Koreta:  Kënga e bën jetën si një dashuri të bukur

Është një këngëtare e kompletuar. Gjithmonë kërkuese ndaj vetes por edhe ndaj bashkëpunëtorëve. Ka studiuar për kanto, ka jetuar shumë vite jashtë vendit, por ka një zë të ëmbël dhe ka nxjerrë në treg albume të mrekullueshme. Tek këngët e saj gjen tekste patriotike. Ajo i këndon patriotizmit, bukurisë së vendit, dashurisë. Kjo është Adriana Koreta, këngëtarja që me zërin dhe hijeshinë e saj ka hyrë para 6-vjetësh në tregun muzikor dhe ka bërë për vete shumë fansa. Në një intervistë këngëtarja Adriana Koreta na rrëfen planet e afërta të saj në fushën e muzikës, emocionet që ka marrë pas publikimit të çdo albumi, si dhe vështirësitë në tregun aktual të muzikës shqiptare.

 Keni disa albume të suksesshme. Albumi juaj i parë, ka titullin “Ç’po qëndis moj Marigo”, ku fabula e kësaj kënge na sjell në vëmendje ngritjen e flamurit…

 Gjithmonë më ka ngacmuar kjo këngë. Ka diçka qiellore. Këtë album e kam realizuar para 6-vjetësh në shtetin grek. Mua, gjithmonë më kanë pëlqyer këngët patriotike. Në album ka edhe këngë të tjera që janë shumë të bukura, por ajo që ka mbetur ne mendjet e të gjithëve është kënga me titull “Ç’po qëndis moj Marigo”. Teksti i kësaj kënge është populli. Ideja për realizimin saj ishte të risjellja në kujtesën e shqiptarëve ngritjen e flamurit dhe që ky flamur u qëndis nga dora e një vajze të quajtur Marigo. Ashtu sikur e kemi lexuar në libra historinë e vendit tonë, shpalljen e Pavarësisë, ashtu sikur e kemi parë dhe një sekuenca filmike një veprim të tillë, unë e kam përjetuar me shumë emocion realizimin dhe xhirimin e kësaj kënge. Ndërkohë që, pas publikimit kam marrë mijëra mesazhe dhe përgëzime si për tekstin, ashtu edhe për muzikën.

 Sukseset e albumeve ju kanë bërë që të sillni në treg gjithmonë të reja. Ndërkohë që, albumi tjetër në tregun muzikor titullohet “Shqipëri, e bukura e dheut”. Me sa duket, ju fokusoheni më shumë tek këngët patriotike, këngë kushtuar vendit, bukurive të tij…

 Ky album është realizuar në Shqipëri, jam fokusuar tek patriotizmi, pasi kemi kohë që kemi jetuar jashtë vendit dhe është e vetmja pikë kyçe për emigrantët. Vendi ynë ka një pasuri të tërë natyrore, vende të bukura dhe të mrekullueshme, të cilat i kam sjellë nëpërmjet pamjeve të filmuara në këtë album. Pas kësaj, kam realizuar dhe një këngë komerciale. Sot tregu kërkon risi, përqendrim, por dhe siguri. N.q.s si njeh këto elementë atëherë do të dështosh. Është gjëja më e thjeshtë të bësh  albume, por më e vështira është ti shesësh ato, pasi ajo shitja është tregues më i mirë.

 Kush është Adriana, për të gjithë ata që nuk ju njohin?

  Adriana Koreta është me origjinë nga Vlora, kam jetuar shumë kohë në Greqi. Kam studiuar për kanto në Greqi. Kam pesë vjet që jetoj në Shqipëri. Muzika më pëlqen, është hobi im i vetëm. Kam vite që këndoj, jam e apasionuar kryesisht tek muzika e jugut, por edhe te muzika e lehtë. Merrem me aktivitete të ndryshme në Shqipëri, po ashtu edhe jashtë shtetit.

 Komenti më real për tregun muzikor në Shqipëri?

Tregu muzikor në Shqipëri është vështirësuar shumë. Besoj se këngëtari që vërtet është me këmbë në tokë dhe që quhet këngëtar, u reziston luhatjeve dhe vështirësive të tregut dhe mbijeton. Sot ka shumë albume dhe për çdo ditë hidhen albume të reja sa duket se tregu është i çoroditur. Duhet të kesh një individualitet të formatuar që të notosh e qetë. Krijimi i individualitetit është apo sjell sukses.

 Çdokush ka preferencat, por dhe idhujt e tij, cili është këngëtari shqiptar më i preferuar për ju?

  Dua të them se Shqipëria ka nxjerrë këngëtarë dhe po nxjerr. Por unë veçoj ata që kanë apo më kanë dhënë më shumë sadisfaksion. Nga këngëtaret shqiptarë, më e preferuar për mua është Eli Fara, ndërsa nga muzika e lehtë Aleksandër Gjoka.

 Cilat janë planet tuaja të afërta?

 Mendoj se së shpejti do të realizoj një klip, por jam ende në zgjedhje. Do të jem e ftuar edhe në disa turne koncertesh në Europë, ku bashkatdhetarët më presin shume mirë andej. Kam ftesë edhe për në SHBA, ku më ka ftuar organizatori i disa koncerteve Hysen Elmazaj, të cilin dua edhe ta falënderoj në mënyrë të veçantë.

 A përballohet jetesa nga ana ekonomike vetëm me këngë?

N.q.s je një këngëtare korrekte, një këngëtare që këndon live, jetohet, megjithëse tregu i këngës bëhet çdo ditë më i vështirë. Sot ka shumë këngëtarë dhe për tregun shqiptar është mbingarkesë.

 -Femrat e kanë më të lehtë tregun e punës?

Nuk mund të them se e kanë më të lehtë, por di që femrat janë më të kërkuara për shumë arsye.

Cilat janë këto arsye?

Poja, femrat kanë prezencë, kanë luk, kanë tërheqje në publik, vishen bukur, kanë zë të veçantë…Këto janë disa nga ato. Në skenë ngjall më emocion më atmosferë një femër, pasi ka aromë tjetër femra, jep ndjesi të shumta.

   Femrat këngëtare bëjnë pazare më të tharta se meshkujt duke shfrytëzuar këto veçanti?

Unë them që vetë ata që organizojnë koncertet u japin përparësi femrave, por ndodh dhe ajo që femrat kërkojnë më shumë. Mbase se mbajnë peshën në një koncert. Por ka dhe meshkuj të veçantë që kanë Pazar të lartë. Ata që kanë fansa më shumë.

 Mos vallë femrat janë më të djallëzuara?

Jo. Këtë mos e diskuto, femrat janë më të sinqerta, por më xheloze. Janë më të drejtpërdrejta, ndaj mendohet se janë të djallëzuara. Femra për djallëzi është, ku e ku me një mashkull.

 Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Jo. Deri tani se kam çuar ndërmend. Ishte dëshira dhe ëndrra ime. Ka shumë që pendohen për profesionet, por kam natyrë tjetër. I pëlqej vështirësitë dhe dua t’i mposht me punë. I di aftësitë e mia dhe di të balancoj çdo gjë.

 I kushtoni shumë kohë lukut?

Aq sa duhet për një paraqitje perfekte. Në skenë duhet të dalësh bukur pasi duhet të respektosh spektatorin. Nuk neglizhoj por dhe nuk I jap rëndësi më shumë se ç’duhet. Kam raporte normale.

 Jeni supersticioze?

Jo. Besoj në zërin dhe në punën time. Por ka raste që diku kërkoj një orientim.

 Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni e bukur, apo kur ju thonë këndoni bukur?

Mirë është të jenë të dyja, por e para vjen kënga. Bukuria është e përkohshme, zëri është vetë jeta e këngëtares.

 Mendimi jua për dashurinë?

 Dashuria është një mbretëri me vete. Atë duhet zotësi ta pushtosh dhe më shumë zotësi ta mbash. Në këtë mbretëri gjendet parajsa njerëzore, të cilën duhet ta ruash me delikatesë.