Kosovë/ Mijëra qytetarë derdhen në shesh! Marshim madhështor për të kërkuar drejtësi në mbështetje të luftës së UÇK-së

101
Sigal

Mijëra qytetarë nga të gjitha rajonet e vendit po marrin pjesë në marshin solidarizues që po mbahet në Prishtinë, në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me pankartat “Liria ka emër”, “Nuk mund të gjykoni UÇK-në në emër të popullit, sepse UÇK është vetë populli”, “Të gjithë ata që harrojnë të kaluarën e tyre janë të dënuar ta rijetojnë atë”. Qytetarët po bëjnë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Marshi për drejtësi mblodhi bashkë gjithë skemën politike, shoqërinë civile, personalite të ndryshme e bashkësi fetare. Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Ata do të dalin sot në gjyq për krime të dyshuara lufte dhe krime të dyshuara kundër njerëzimit. Procesi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë. Akuzat që përfshijnë vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë, lidhen me periudhën e luftës, më 1998/99.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për 10 akuzat e ngritura ndaj tyre për arrestime, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Krimet pretendohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa zona në Kosovë, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë falënderuar të gjithë qytetarët që në mënyrë masive i janë përgjigjur thirrjes për të marshuar për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.