Kosovë/ 10 raste të reja me Covid-19, Prishtina del nga karantina

400
Sigal

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të shtunën për dhjetë raste të reja në Kosovë me koronavirusin e ri.

“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Mitrovicës 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Rekë), nga komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prizren dhe 1 rast Gërnçar), nga Rahoveci 2 raste”,është thënë në njoftim.

Përveç kësaj, ky Institut ka njoftuar edhe se 38 pacientë janë shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.

Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 823 persona janë infektuar, 336 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se të shtunën kryeqyteti i Kosovës do të hiqet nga karantina.

“Prishtina hiqet sonte nga karantina. Ju lus edhe më tutje që mos të relaksohemi ne. Sa më të kujdesshëm, të gjitha masat do të relaksohen më shpejtë. Përkundër relaksimit, rreziku ende nuk ka kaluar”, ka thënë Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.