Koronavirusi, gjykatat do mbeten mbyllur

83

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, përfshirë këtu edhe në Gjykatën e Posaçme për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Gjyqtarëve u lihet në dorë që të përjashtojnë nga ky rregull çështje, apo vendime që ata i vlerësojnë me natyrë të ngutshme.

Po ashtu, përjashton nga pezullimi edhe seancat e vlerësimit për masat e sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar, ose zbatuar masat e sigurisë me burg dhe kur të arrestuarit, të pandehurit, ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre.

Kohëzgjatja e pezullimit të veprimtarive gjyqësore sipas këtij vendimi të KLGj-së është dy javë, ndërsa në të gjitha rastet e tjera urdhërohen gjyqtarët që seancat t’i zhvillojnë pa publik.

Vendimi i KLGj-së mbërrin pas urdhrit për t’u vetëngujuar të gjithë punonjësit e Prokurorisë së Shkodrës, pasi një oficer i policisë gjyqësore në këtë prokurori rezultoi pozitiv në testin për koronavirusin.