KLSH, udhëheq përmes shembullit

880
Nga Brunilda ZENELI, KLSH

Panairi Kombëtar i librit në 20-vjetorin e tij, i cili është në fakt një nga traditat tashmë më me vlera të jetës kulturore e artistike në vend, hapi gjithashtu dhe një mori diskutimesh të lidhura me pista e tematika të ndryshme. Kjo ndodh me të drejtë, pasi udhëtimi deri në stendat e panairit është relativisht i vështirë për arsye sa artistike-shkencore, ashtu edhe tematike. Është cilësia artistike e librit, prurja sasiore, cilësia e prodhimit, çmimet, tregu, problematikat e shtëpive botuese, raportet mes zhanreve të ndryshme, promovimet dhe një sërë gjërash të tjera të cilat e bëjnë panairin e librit një metropol shumëngjyrësh në miniaturë, i cili gëlon nga njerëzit, lexuesit e të gjitha moshave dhe kategorive, shkrimtarët, studiuesit, kritikët etj. Në një panair gjëja më e zakonshme është larmia, shumëllojshmëria e produkteve, në rastin konkret e botimeve dhe tematikave të ndryshme. Duke vizituar panairin e librit çdo lexuesi i bie në sy një stendë me botimet ekskluzive të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë botimet e punonjësve e këtij institucioni, studime te ndryshme, përmbledhje artikujsh të botuar në shtypin periodik, studime e materiale shkencore profesionale nga autorë vendas, por edhe nga ekspertë të huaj të institucioneve homologe të auditimit, si dhe të organizmave ndërkombëtare, manuale, metodika e udhëzues për punën profesionale të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një nga institucionet më me rëndësi për jetën ekonomiko-sociale të vendit. Gjatë viteve 2012-2017, KLSH nëpërmjet një pune të lavdërueshme dhe aspak të lehtë ka botuar një kolanë librash me shumë vlerë profesionale, të cilat ju shërbejnë jo vetëm audituesve të KLSH, profesionistëve të tjerë të kësaj fushe, si edhe çdo pale interesi apo individi i cili ka interes rreth kësaj fushe. Nga të gjitha prurjet e KLSH do të veçoja Revistën shkencore “Auditimi publik” e cila ka parë dritën e botimit që prej vitit 2012 dhe shënon botimin e saj të gjashtëmbëdhjetë. E veçoj botimin e kësaj reviste për shkak të nivelit të saj të lartë profesional, nën drejtimin e një bordi të përbërë nga profesionistët më të mirë të fushës së ekonomisë, jurisprudencës por edhe të fushave të tjera me ndjeshmëri të lartë sociale, si Prof. Dr. Jorgji Bollano, Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Omer Stringa, Prof. Dr. Ardian Nuni, Prof. Dr. Dhori Kule, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Dr. Argita Berisha, Dieter Wenzel, Profesor në Universitetin i Bambergut, Gjermani, Dr. Igor Soltes, ish President i Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Dr. Sang M. Lee Prof. Universiteti i Nebraskës, SHBA, Prof. Dr. Lindita Lati, Drejtore e Përgjithshme, KLSH etj. Vlera e shtuar e këtij botimi është pikërisht mbështetja në moton e INTOSAI “Experentia mutua omnibus prodest (Eksperienca e përbashkët ju shërben të gjithëve)”, pasi për realizimin e saj janë të ftuar të publikojnë punimet dhe opinionet e tyre kontabilistë, financierë, ekonomistë të përgjithshëm, specialistë të enteve publike dhe private, akademikë, ekspertë të shoqërisë civile, profesionistë të pavarur si dhe çdo i interesuar që gjen me vend trajtimin e një çështjeje të caktuar me interes në auditimin dhe vlerësimin e administrimit publik të vendit. Botimet KLSH, tashmë janë bërë traditë në panairin e librit, pasi që prej 6 vitesh janë prezent me stendën e vet. Bëhet fjalë për një punë voluminoze dhe mbresëlënëse si për sa ju përket prurjeve me rreth 80 tituj përgjatë viteve 2012-2017, po aq edhe tematikave dhe çështjeve të mprehta që trajtojnë. Në sajë të kësaj pune disa vjeçare KLSH tashmë ka krijuar pa asnjë mëdyshje një bibliotekë, e cila ka vulën e kujdesit dhe pasionit të Kryetarit të KLSH-së. Kjo bibliotekë, përbën një fond fort të vlerë, për punën e tanishme dhe për vijueshmërinë me profesionalizëm dhe në zbatim të standardeve ndërkombëtare të auditimit në institucionin tonë. Gjithashtu, kjo shërben njëkohësisht për krijimin e një tradite komunikimi shumë të afërt dhe të prekshëm me librin dhe jetën akademike. Për hir të së vërtetës duhet thënë, se kjo traditë e KLSH-së përbën pa asnjë mëdyshje një risi dhe një shembull të shkëlqyer dhe për institucionet tjera të administratës shtetërore në tërësi. Mendoj se ndjekja e këtij shembulli do të përbënte një themel shumë të fortë e të sigurt për profesionalizmin e administratës shtetërore, kulturën individuale të secilit prej nesh dhe një bazament ku e ardhmja e shtetit si nocion dhe praktikë është më e sigurt dhe me shpresëdhënëse.
Sigal