Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë përkujton 1 tetorin – ditën e të moshuarve

79

Vlerësohen personalitete të larta të vendit në fushen e artit, energjitikës dhe inxhinerisë , dhe veprimtarive shoqërore

Sigal

Artistët tanë veç të tjerave në filmat shqiptarë, kanë pasqyruar jetën e shqiptarëve përgjatë historisë, por edhe në periudhën e sistemit të djeshëm. Sistemet e krijimit artistik ndryshojnë sipas sistemeve politiko-shoqërore, nuk mund të harrohet, po ashtu dhe puna dhe përkushtimi i njerëzve.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën ASAG (Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat) që kanë vite që bashkëpunojnë, duke ndërtuar një lloj tradite përkujtuan sot në 1 tetori ditën Botërore të të Moshuarve.

Ne ceremoninë e vlerësimit të këtyre personaliteteve Presidenti i UMSH Akademik Anastas Angjeli theksoi:

Qëllimi është që Universiteti të japi shëmbullin e vlerësimit dhe respektimit të kontributeve të personaliteteve të moshuar, të cilët me punën dhe kontributet e tyre kanë dhënë shëmbullin e njeriut me ideale në jetë, me vlera shoqërorë, qytetare dhe patriotike. Shoqëria dhe në mënyrë të veçantë brezat e rinj kanë nevojë që të njohin historinë e vendit përmes figurave të tilla kontribuese ndër dekada. Në këtë takim ne kemi zgjedhur si slogan “Një ditë të gjithë do të jemi të moshuar !” Ky brez nuk ka nevojë thjesht për kujdes dhe socializim, por mbi të gjitha që të respektojmë punën e tij dhe kontributin e personaliteteve. Nëse e harrojmë atë; harrojmë historinë e popullit, sakrificat, arritjet dhe kontributet atdhetare. Hera–herës vihet re një prirje që të fshihet e kaluara, të dëmtohet kujtesa, të injorohen kontributet. Një gjë duhet të mbahet parasysh, askush si individ, apo shoqëri nuk mund që ta fshijë apo ta ndryshojë të kaluarën e tij. Detyra e gjithësecilit apo çdo subjekti, si dhe shoqërisë në tërësi; është që duke pranuar të kaluarën, të mbajë gjallë traditën, të njohi gabimet, dhe të shohi përpara, duke mbajtur të pashkëputur zinxhirin e jetës, të brezave dhe të kontributeve.

Sot mund të flitet për kinema moderne, dhe filma të kohës, por pa Tinka Kurtin në filmin e parë shqiptar ‘Tana’, apo Margaritën në rolin e Zyrakës në filmin ‘Vitet e Para’, pa Reshat Arbanën në rolin e Islam Kallullit në filmin ‘Dueli i Heshtur’, si mund të zhvillohej filmi si një art kaq popullor dhe i dashur për publikun. Artistët tanë veç të tjerave në filmat shqiptarë, kanë pasqyruar jetën e shqiptarëve përgjatë historisë, por edhe në periudhën e sistemit të djeshëm. Sistemet e krijimit artistik ndryshojnë sipas sistemeve politiko-shoqërore, pra dje kishim realizmin socialist dhe sot ajo metodë është e tejkaluar, por ama jeta në atë sistem nuk mund të harrohet, po ashtu dhe puna dhe përkushtimi i njerëzve. A mund të mendohet teatri ynë pa artistët tanë? Pa Tinkën si Loke tek Toka Jonë e Kolë Jakovës, apo si Ledy Macbethi te tragjedia e Shekspirit? A mund ne të harrojmë Margaritën tonë tek Dhelpra dhe Rrushtë, apo si Ofelinë te Hamleti, a mund ne të fshijmë nga kujtesa Reshat Arbanën te drama Familja e Peshkatarit, apo te Streha e të Harruarve? Individualisht gjithkush sillet si e mendon me kujtesën e tij personale, por kujtesa historike dhe institucionale nuk mund të nëpërkëmbet apo të injorohet, fshihet apo baltoset. Ky është një mision i pamundur. Zonja Pirdeni si një mike e Universitetit tonë është aq e përkushtuar me organizatën e saj edhe me partnerët ndërkombëtar, duke qenë modeli i njeriut të angazhuar. Forumet ndërkombëtare përfshi edhe OKB-në, janë të angazhuara seriozisht për problematikat e kësaj moshe. Në vitin 2021 tema ishte, “barazia dixhitale për të gjitha moshat”, sepse shumë të moshuar po humbasin të drejtën për kujdesin shëndetësor dhe angazhimin social të lehtësuar nga teknologjia. Kjo është bërë edhe më e dukshme gjatë pandemisë COVID 19, me rritje të izolimit social dhe zhvendosje drejt telemjekësisë dhe shërbimeve të tjera dixhitale. 2021 ishte gjithashtu viti i parë i Dekadës së Kombeve të Bashkuara për plakjen e shëndetshme, e cila ofron një platformë për të nxitur ndryshimet shoqërore drejt përmirësimit të jetës së njerëzve në të gjitha moshat, por edhe ndërhyrje në kurrikulën universitare të shkencave humane. Kemi sot mes nesh edhe dy personalitete të shkencës, industrisë, institucionalizmit, zotin Emin Musliu dhe zotin Agim Mero. Për ata që nuk e dinë, pa këta burra dhe dijetarë si inxhinier Musliu sistemi ynë energjitik nuk do të ngrihej, sepse nga hidrocentralet e fuqisë së vogël të instaluar, u arrit te gjigandët mbi Drin me diga si ajo e Fierzës që është, -nëse nuk gaboj,- e dyta në Europë nga lartësia. Ne bëjmë pjesë tek ata njerëz që e vlerësojnë antifashizmin dhe një nga ata ka qenë edhe zoti Agim Mero, ne nuk mund të injorojmë dhe lëmë në heshtje punët e rinisë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e vendit falë punës vullnetarë të rinisë, dhe kontributin e zotit Mero. Shoqëria orjetohet nga modelet, ajo i mban strukturat e veta nga ekuilibrat e mirëmenduara, dhe nga sigurimi i një uniteti të brendshëm njerëzor. Ndaj ne sot, me dashurinë e sinqertë që na karakterizon i vlerësojmë këta persnalitete me medaljen “Vlerësim për Meritat” e tyre dhe u themi Ju faleminderit, mirënjohje, sepse ju vërtetë keni historitë tuaja personale, por ju jeni dhe pjesë e historisë së popullit dhe kombit tonë.