KLSH “godet” shërbimin veterinar, gjen probleme të theksuara: 50% e sëmundjeve të kafshëve raportohen me shumë orë vonesë

214
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përpiluar një raport të detajuar mbi punën, që është bërë për regjistrimin e kafshëve dhe kujdesin e treguar për shëndetin e tyre.

Në raport janë konstatuar probleme të shumta, ku mes tjerash thuhet se procesi i vaksinimit të kafshëve ka qenë i mangët. Sipas KLSH, rreth 45 mijë vaksina nuk janë kryer nga veterinerët rajonalë.

“Procesi i vaksinimit të kafshëve ka qenë i mangët. Rreth 45 mijë vaksina kanë mbetur stok dhe nuk janë kryer nga veterinerët rajonalë”,  thuhet në raport.

Problem tjetër, i cili bie në sy, është fakti se shkalla e vaksinimit te fermat me bagëti të imta është shumë e ulët, ndërsa pjesa më e madhe e gjedhit mbi 10 vjeç rezulton e pakontrolluar.

“Në raportin vjetor të DV në AKVMB, nuk janë dhënë arsyet e mos vaksinimit të gjithë fermave në sistemin RUDA, në të cilin janë aktive 58,560 ferma me të imta dhe janë vaksinuar sipas sistemit RUDA vetëm 19,307 ferma ose 32,9 % e tyre. Pjesa më e madhe e “gjedhit”mbi 10 vjeç rezulton e pakontrolluar. 61,4% e gjedhit mbi 10 vjeç nuk ishte prezent në fermë. Gjithë sistemi i kontrollit të kafshëve është keqadministruar në 8 vitet e fundit si regjistrimi apo çregjistrimi i kafshëve dhe fermave blegtorale”, thuhet në raport.

KLSH i ka dhënë gjithashtu një “shuplakë të fortë” shërbimit veterinar, ku thekson se ka vonesa të shumta sa i takon raportimit të sëmundjes së kafshëve.

“Gjithashtu 50% e sëmundjeve raportohen me më shumë se 48 orë vonesë nga data e shfaqjes së sëmundjes. Për të gjitha sëmundjet përkatëse, nuk është vendosur një sistem paralajmërimi i hershëm”, sqaron raporti.