Kiço Mustaqi, profili i një pushtetari idealist që do të na mungojë…

960
Sigal

Gëzim LOKA, Ushtarak

Pasditen e të mërkurës, më 23 janar 2019, u shua jeta e Kiço Mustaqit, një njeri i mirë, shtetar, funksionar i lartë ushtarak e politik, njeri i mendimit vizionar dhe aksionit të përgjegjshëm për një shoqëri më të mirë e me të drejtë. Jeta e tij ishte një sfidë e gjallë e njeriut që vjen nga shtresat më të përvuajtura të shoqërisë dhe u ngjit deri në majë të pushtetit të kohës, dha shumë për shtetin dhe shoqërinë dhe në vitet e fundit të jetës u rrethua me heshtje dhe harrim… Jam krenar që e kisha mik dhe si ushtarak ndjeva peshën e dorës së tij të ngrohtë, më shumë se si epror, si shok dhe bashkëluftëtar. Që nga takimi im i parë me Kiço Mustaqin, ish-shefin e përgjithshëm të Ushtrisë dhe Ministrin e Mbrojtjes, kanë kaluar tridhjetë vjet dhe njohja ime me të, nga kontaktet e rastit u kthye në miqësi, duke bërë që ai të jetë për mua një model jo vetëm si koleg, si epror, si funksionar i lartë i ushtrisë dhe mbrojtjes kombëtare, por dhe si njeri. Një vit para se të vdiste, më 18 mars 2018, më bëri një vizitë të befasishme në shtëpi dhe m’u duk sikur kishim një jetë që ishim bashkë, pasi çiltërisa dhe modestia e tij ishin unike. Me 22 korrik 2018 e ftova në përurimin e shoqatës “Lura jonë” dhe të gazetës “Lura”, ku përshëndeti dhe foli me aq pasion e dashuri për Lurën, sikur të kishte lindur në atë vis të mrekullueshëm e sikur të qe edhe vetë lurian.

Me emrin e Kiço Mustaqit lidhet një pjesë e rëndësishme e historisë së mbrojtjes sonë kombëtare në epokën e komunizmit, ku ai e nisi karrierën si oficer në radhët e Ushtrisë Popullore për të mbërritur në majat e atij pushteti, deri në postin e lartë të ministrit të Mbrojtjes. Ndodhi që fati dhe rrethanat, por mbi të gjitha përkushtimi dhe ndjenja e detyrës, ta ngrinin një djalë të thjeshtë fshati drejt majave që kurrë nuk i pati ëndërruar, vit pas viti e kohë pas kohe, deri në majat më të larta të udhëheqjes së një shteti.

Ka lindur në fshatin Pecë të Delvinës më 22.03.1938, bir i një familjeje të varfër, që mezi siguronin bukën e gojës gjatë gjithë vitit, por me një trashëgimi morale dhe vlerash e virtytesh, që mëkoheshin bashkë me gjirin e nënës. Ishte kohë e vështirë, kur plagët e pasluftës padisnin një shoqëri të sëmurë e që duhej kuruar me urgjencë e në këto rrethana, ku Shqipëria me varfëri ekstreme, plagë dhe dhimbje po tentonte të rimëkëmbej, djaloshi minoritar i bënte detyrat dhe lexonte nën dritën e kandilit, në rrekje për të ikur nga fshati për një jetë më të mirë. Jeta e tij ishte dhe mbeti një sfidë e pafund, ku pas një odiseje ecejakesh të pafund poshtë e lart, nga Delvina në Sarandë e gjetkë, me letra lutjeje e dokumenta në duar, i doli më në fund bursa për të vazhduar Shkollën e Rezervave të Punës në qytetin Stalin (Kuçovë) dhe më pas duke përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm, në të njejtën kohë duke punuar në TEC-in e Kuçovës. Jeta e tij gjithmonë aktive e në shërbim të njerëzve e komuniteteve, me lodhjen, sakrificat, përkushtimin ishte shkolla reale, më e gjëra dhe më gjithëpërfshirësja e Mustaqit, u ai mësoi artin e komunikimit me njerëzit. Vite më vonë, kur pas kryerjes së shërbimit ushtarak dhe kryerjes së studimeve në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”, do të ngrihej ngadalë në shkallët e hirearkisë së pushtetit, do të kujtonte me mall kohën mes njerëzve të thjeshtë e të varfër, të cilët i deshi me passion gjer në çastet e fundit të jetës. Në vitet e luftës së ftohtë, në vitet ’60, kur në mbarë botën ujërat qenë trazuar dhe patën ndodhur ngjarje të mëdha politike e aq më shumë në Shqipëri, kur nisën të frynin erërat e akullta të ndarjes me një nga superfuqitë e botës, me ish-BRSS, Mustaqi si idealist e përjetoi gjithçka me fuqinë e shpirtit dhe me dashurinë e pashuar për tokën dhe vendin e tij. Pas ndarjes ideologjike me ish-Jugosllavinë, për Shqipërinë po trokiste një ndarje tjetër e madhe, që do të sillte me vete një dramë të pafund, një ndarje totale nga bota. Tashmë ishim plotësisht të izoluar dhe udhëheqja komuniste e kohës po i hidhte sytë larg, në lindjen e largme, tek Kina komuniste me një popullsi prej 900 milionë njerëzish (në atë periudhë). Ishin vitet kur ushtria shqiptare u tendos e tëra dhe ishte në gatishmërinë më të lartë luftarake. Pasi punoi për tre muaj me detyrën e komandantit të togës në Regjimentin e Mekanizuar 1105 Tiranë, katër vjet të tjerë në detyrën e komandatit të togës dhe një vit komandant kompanie, nga viti 1964 deri në vitin 1966 do të vazhdonte Akademinë Ushtarake, ku u përgatit në mënyrë shkencore për të drejtuar njësitë më të larta të ushtrisë. Dhjetor 1966 deri nga mesi i vitit 1969 do të kryente detyrën e shefit të Brigadës Sulmuese të Tropojës, ku vitin e fundi emërohet komandant i saj. Më vonë emërohet komandant i Brigadës 30 të këmbësorisë në Vaun e Dejës Shkodër, për të vijuar si drejtor i Drejtorisë së Përgatitjes Luftarake në Ministrinë e mbrojtjes. Në maj 1976 ngarkohet me detyrën e komandantit të Korpusit të katërt të Mbrojtjes Bregdetare në Tiranë. Në vitet e vështira 1979-1991 ka kryer detyrën e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm, shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe postin e lartë të ministrit të Mbrojtjes. Stërvitjet intensive, në borë e në shi, në diell e në vapën përvëluese, kontaktet me njerëz që përbënin elitën ushtarake dhe politike të kohës, gadishmëria e lartë, shpirti i sakrificës, do të ishin pjesë e pandashme e figurës morale, politike dhe ushtarake të Kiço Mustaqit.

Kiço Mustaqi, që nga viti 1976 deri në vitin 1992, është zgjedhur si deputet në zonat e minoritetit. Në vitin 1986 është zgjedhur edhe në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë… Në postin e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, si ushtarak karriere dhe me aftësi evidente profesionale dhe si ministër mbrojtje, që vinte nga një shkollim i plotë profesional në fushën e ushtrisë, Kiço Mustaqi la gjurmë në përgatitjen e komandave dhe shtabeve në përballimin e situatave të ndryshme luftarake e detyra të tjera specifike. Në kulmin e aftësive dhe fuqive intelektuale e njerëzore, në prill të vitit 1991 doli në lirim. Është koha kur agjitpropi blu hodhi ndaj tij një lumë me akuza si bashkëpuntor me Ramiz Alinë, enverist, i shitur, akuza që dalëngadalë me kalimin e kohës filluan të fashiteshin dhe doli në pah karakteri i tij i vërtetë, ndershmëria, perkushtimi dhe drejtesia, pasioni për vlerat dhe atdhetaria, si modele që e kanë motivuar gjithmonë në jetën e tij. Ishte vizioni i tij prej njeriu paqësor dhe që e donte me shpirt vendin dhe popullin e tij, që e shtyu Kiço Mustaqin që në vitet e ndryshimeve historike që pësoi shoqëria shqiptare, gajtë kalimit nga komunizmi në demokracinë anarkiste që ende vazhdon, të ruante ekulibrat dhe të mos vritej e cenohej askush. Për të krijuar një jetë më të mirë, pasi edhe pse ishte në majë të piramidës së një pushteti që quhej “diktaturë:, nuk kishte asnjë lloj pasurie dhe nuk trashëgoi asnjë lloj konforti, luksi e privilegji, punoi për shumë vite si emigrant në Greqi, për t’u kthyer tash disa vite sërishmi në Tiranë. Edhe pse nuk kishte humë informacion rreth asaj se çfarë kishte ndodhur këto vite me Forcat e Armatosura Shqiptare, e ndjente dhe e vuante shthurjen e saj, shitjen e armëve dhe municioneve në tregun e zi të mafies, heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe shprehet se dikur, në periudhën e socializmit, ushtria vërtet ishte tërësisht e politizuar dhe për çdo gjë udhëhiqej nga Partia e Punës, por ushtria ishte një forcë që vërtetë e garantonte lirinë dhe sovranitetin kombëtar dhe nuk kishte nevojë për të qenë nën “kapelen” e askujt.

Kiço Mustaqi ishte një profil që të bënte për vete e të frymëzonte me aktin e tij fisnik njerëzor të modestisë e shpirtbardhësisë, profili i një idealisti, i cili që nga majat e pushtetit komunist, ku arriti gjer në postin e ministrit të Mbrojtjes, nuk përfitoi asgjë, por i varfër si shumica e shqiptarëve të thjeshtë të këtij vendin, vajti për të punuar si emigrant në Athinë, për një jetë më të mirë për vete dhe familjen e tij. Humbja e tij do të ndihet gjatë, duke krijuar një hapësirë të madhe mungese, jo vetëm për familjen, për të afrëmit e tij, por për të gjithë ushtarakët, për vetë Ushtrinë shqiptare, për të cilën ka bërë aq shumë dhe e cila nuk duhet ta kalonte në heshtje këtë humbje të madhe të një idealisti dhe progresisiti kombëtar.