Këshilli Bashkiak mbledhje urgjente, Veliaj-qytetarëve: Mos shkoni në Dajt!

504
Sigal

Këshilli Bashkiak është
mbledhur sot për të bërë publike masat ndaj motit të keq dhe të ftohtit
siberian që pritet të përfshijë Tiranën sot deri në fundjavë.

Kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Erion Veliaj tha që pas kësaj mbledhjeje administratorët e njësive
duhet të nisin menjëherë identifikimin e personave me aftësi të kufizuar si dhe
të moshuarit që jetojnë vetëm. Ai iu bëri thirrje qytetarëve të evitojnë
ekskursionet dhe të mos shkojnë në malin e Dajtit këto ditë.

“Administratorët të
mblidhen dhe të bëjnë identifikimin e personave me aftësi të kufizuar ose
personave të moshuar që jetojnë të vetmuar. Qytetarët të njoftojnë pranë
administratorëve për personat që ata kanë dijeni se jetojnë në kushte vetmie.
Kemi marrë masat që ndërmarrjet tona sidomos në zonat e thella të fillojnë
hedhjen e kripës. Për të gjithë qytetarët ju bëjmë thirrje: Kufizoni daljen në
orët e ftohta. Mbuloni kokën e duart. Janë gjëra që të gjithëve jua pret
mendja. Evitoni punën fizike. Mos shkoni në Dajt tani, por pasi të kalojë kjo
situatë. Do ju lusja ta ruanit pasi të kalojë ky i ftohtë edhe për efekt të
rrugëve të bllokuara. Të gjitha ekskursionet t’i lënë për javën tjetër.
Qytetarët të njoftojnë në numrin 112 nëse shohin njerëz në vështirësi”,
deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha
gjithashtu se salla e këshillit bashkiak do jetë e hapur për këdo që e kap vala
e të ftohtit në rrugë.

Ndërsa më pas policia
dhe zjarrfikëset kanë raportuar për situatën dhe masat që kanë marrë për të
përballuar të ftohti dhe reshjet që pritet të përfshijnë qendrën e vendit.