Kërkojnë flori, shkatërrojnë me tritol urën e rrugës “Egnatia”

1115
Në fshatin Llëngë të Pogradecit është shkatërruar me tritol një nga urat unikale të rrugës “Egnatia”, me një qemer që lidhte dy anët e lumit Llëngë. Studiuesi i kulturës popullore që është nga Llënga, Llazi Tona, ka thënë për gazetën “Telegraf” se ndjehet shumë i fyer dhe i dëshpëruar, pasi fshati i tij Llënga dhe Shqipëria kanë humbur një vlerë unikale të rrugës “Egnatia”. Sipas tij, persona ende të paidentifikuar, të ardhur nga një rreth tjetër, sipas të folurës, mund të ishin nga Elbasani, me aparatura kanë kërkuar rreth dy ditë në dy këmbët e urës dhe më pas ata kanë vendosur një sasi të konsiderueshme tritoli, duke e hedhur urën në erë. Është rrëzuar një vepër arti që ka rezistuar mijëra vjet, shkatërrohet për pak minuta nga disa vandalë, që kërkojnë thesaret e floririt, duke shkatërruar gjithçka nga kjo vepër arti e trashëguar nga e kaluara. Kjo urë mijëravjeçare ishte shpallur si monument kulture e trashëguar që nga koha e perandorit Justinian. Sipas banorëve të fshatit, persona të paidentifikuar, që kanë shkatërruar urën e rrugës “Egnatia”, kanë thënë se kanë patur të dhëna se, në themelet e urës kishte të fshehura depozita floriri, prandaj e kanë shkatërruar! Kjo urë me vlerë unikale, me një qemer e rrugës “Egnatia”, që ju ka rezistuar qindra e mijëra vjetëve, tashmë shkatërrohet nga disa barbarë që duan të “gjejnë floririn” në këmbët e urës. Fjalët e Plutarkut se, “nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë ndonjëherë qytetërim pa trashëgimi të kulturës”, tregojnë se është trashëgimia ajo që e lind dhe e mban qytetërimin. Sipas të dhënave historike, jemi një nga popujt më të lashtë të Ballkanit? Por, a mjafton ky pohim, pa trashëgiminë e tij, pa vlerat e krijuara prej këtij populli në shekuj. Por për fat të keq po ndeshemi me një ortek dhunë, prej një takëmi barbarësh, kemi një boshllëk vrasës dhe absurd. Vetë të huajt e kanë të pamundur të orientohen për Shqipërinë, historinë e saj, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, kur zhduken vepra konkrete, që flasin shumë rreth të kaluarës së vendit tonë. Vetë shoqëria njerëzore ka lindur dhe është organizuar rreth vlerave të trashëguara nëpër shekuj dhe sa më të forta të kenë qenë këto vlera, aq më e fortë ka qenë shoqëria. Qytetërimi, në kuptimin më të thellë të fjalës, nuk përcaktohet nga sasia e banesave dhe e gradaçelave, por nga vlerat që mbart kjo shoqëri dhe nga mendimtarët që e kanë udhëhequr atë në periudha të ndryshme historike dhe vlerat që ata kanë lënë për shoqërinë njerëzore. Çuditërisht në këtë rreth është shembulli në fshatin Dërdushë, kulla me pesëkate 300-vjeçare, një monument kulture dhe gjithçka kaloj në heshtje… Fytyra e vërtetë e një vendi paraqitet me vlera e jo me antivlera. Vandalët e shkatërrimit, duhet të dalin para drejtësisë!

Sigal

Bardhyl Berberi