Kapet naftë kontrabandë në Peqin

574
Sigal

Policia e Elbasanit bllokon 232 mijë litra hidrokarbure të padeklaruara në organet doganore dhe tatimore

Ishte operacioni i fundit i koduar “Rafineria” ai që bëri të mundur zbulimin e një baze, e cila merrej me shpërndarjen e naftës kontrabandë. Depozitat ishin vendosur në një fshat të qytetit të Peqinit dhe prej andej autobotet mbusheshin dhe shpërndaheshin në tregun e brendshëm. Ky rrjet i lidhur mirë edhe me pikat e karburanteve kishte kohë që kryente veprimtarinë dhe lidhjet midis tyre ishin bërë të forta. Por ishte angazhimi i vetë drejtorit të ri të Policisë së Elbasanit, z. Neritan Nallbati, ai që bëri të mundur finalizimin me sukses të këtij operacioni, duke i kthyer kështu arkës së shtetit miliona lek që përvetësoheshin nga individë të ndryshëm në rrugë të kundraligjshme. Operacione të tilla duhen përshëndetur, sepse ndërmerren vetëm nga njerëz, të cilët punojnë me përkushtim. Nallbati ka vetëm pak ditë që është emëruar në krye të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Elbasanit nga zëvendësimet që u bënë nga ministri i Brendshëm dhe në këto pak ditë janë vënë re ndryshimet, të cilat kanë bërë diferencën.

Ngjarja

Bllokohen në Peqin 232 mijë litra hidrokarbure të padeklaruara në organet doganore dhe tatimore. Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, bazuar në një punë intensive hetimore organizoi dhe konkludoi operacionin policor me emrin e koduar “Rafineria”, në kuadër, të të cilit u bë i mundur bllokimi i një autoboti me një sasi prej rreth 32 mijë litra solar. Ky mjet u kap nga shërbimet e  policisë në fshatin Çopanaj të Peqinit. Në të njëjtin vend policia arriti të zbulonte dhe më pas sekuestronte 5 depozita me rreth 200.000 litra hidrokarbure. Këto depozita të ndërtuara në mënyrë të fshehtë, nga hetimet e kryera rezultoi të ishin në pronësi të shtetasit Drini Ceka, me banim në Peqin, i cili është shpallur në kërkim. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se sasia e hidrokarburit të gjetur nuk është deklaruar në organet doganore dhe tatimore. Ceka furnizohej me solar në Fier dhe më pas e tregtonte atë në Tiranë, Elbasan dhe Peqin. Po vazhdon hetimi i çështjes në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Drejtorisë së Tatimeve dhe Drejtorisë së Doganave, të cilat kryen edhe veprimet procedurale për bllokimin e depozitave. Materialet e çështjes do t’i kalojnë më pas Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Elbasan për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme, ndërsa është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Drini Ceka.