Kaos tek zyrat e ADISA-s në Kombinat/ Qytetarët nuk respektojnë masat e sigurisë, i moshuari: Dua të dal në Komision, më ndërprenë kempin

57

Siç duket edhe nga pamjet, qytetarët pa asnjë masë mbrojtëse (disa rrallë mbanin maska) janë ngjeshur me njëri-tjetrin për të marrë informacion tek zyrat e ADISA-s në zonën e Kombinatit.

Disa prej qytetarëve, ankohen se kanë pasur probleme me administratën pasi nuk kanë mundur që të gjejnë zgjidhje për të gjithë ‘hallet’ e tyre. Mes personave të grumbulluar ka qenë edhe një nënë e re, e cila kishte lënë foshnjën në shtëpi dhe kishte ardhur që ta regjistronte.

“Kam lindur kam një bebe të vogël por nuk më njohin letrat dhe zyra është mbyllur. Dua të marr çekun, por banka nuk m’i njeh letrat që më japin,”-është shprehur ajo.

Një tjetër qytetar është shprehur se ka shkuar që të informohet pasi i kanë ndërprerë papritur letrat e kempit, edhe pse kryeministri Edi Rama sqaroi se diçka e tillë nuk do të ndodhte. Ai u shpreh se muajin e shkuar i kishte marrë të gjitha paratë, ndërsa këtë muaj ia kishin ndërprerë pagën mujore.

“Më kanë ndërprerë kempin, me ça të ha bukë unë. Dua të dal para Komisionit. Herën e fundit e kam marrë muajin që kaloi,”-tha ai.

Edhe pse kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra, deri tek heqje lirie për të gjithë ata që nuk i respektojnë masat e sigurisë, ‘dora e shtetit’ nuk ndjehet në Kombinat. Edhe pse pranë zyrave janë vendosur disa efektivë policie, ata kanë preferuar që të mosveprojnë duke i lënë qytetarët që të qëndrojnë së bashku, duke shtuar frikshëm rrezikun e infektimit.