Përkujtohet 17 Nëntori, Çlirimi i Tiranës, Meta: Të shohim me optimizëm të ardhmen

526
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për 72-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, që u zhvillua pranë monumentit të Partizanit të Panjohur në qendër të kryeqytetit. Meta u shpreh se kontributi i dhënë nga partizanët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare tregoi vlerat e popullit tonë në luftën anti-fashiste. “Është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh një ndërthurje brezash, nga veteranët e nderuar të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e deri te të rinjtë e kryeqytetit që të nderojnë sot 17 nëntorin, ditën e çlirimit të kryeqytetit, që përfaqëson edhe një nga betejat më të mëdha, më të përgjakshme të popullit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht është një nga demonstrimet më të mëdha të vlerave anti-fashiste të popullit tonë, të cilat sot pasohen nga vlerat e integrimit evropian”, – theksoi Meta.


Krahas kësaj, Kryetari i Kuvendit tha se vlerat për liri vijojnë të demonstrohen edhe sot në proceset integruese të Shqipërisë. “Një proces që këtë 17 nëntor Shqipërinë e gjen edhe me një hap tjetër përpara, gjë që është mjaft pozitive dhe mjaft domethënëse. Jam i bindur se ky 17 nëntor është një mundësi shumë e mirë për të parë më me optimizëm drejt së ardhmes evropiane të vendin tonë, dhe padyshim të kryeqytetit, që luan një rol kryesor drejtues si gjithmonë të proceseve transformuese të vendit tonë”,- theksoi Meta. I pranishëm në këtë përvjetor ishte edhe kryetari I Bashkisë Erion Veliaj, I cili u shpreh se historia e Tiranës fillon me ata që themeluan qytetin, që luftuan për ta çliruar dhe vazhdon me ata që sot po ndërtojnë qytetin.

“Siç e tha edhe Kryetari, ky është një moment i mirë. 72 vjet më parë negociuam qëndrimin tonë evropian si pjesëmarrës të një aleance për të çliruar Evropën. Sot jemi në prag të hapjes së negociatave dhe besoj që kemi hedhur një hap të sigurt për të qenë anëtarë të denjë, por edhe juridikisht të BE-së. Historia fillon me ata që themeluan qytetin, që luftuan për ta çliruar dhe me ata që sot po ndërtojnë qytetin”, -u shpreh Veliaj. Kreu i Bashkisë theksoi se sot kërkohet që të ndërtojmë me të njëjtin pasion dhe të jemi me të njëjtën energji ashtu si të rinjtë e 72 viteve më parë, luftuan për të ruajtur dinjitetin e vendit tonë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe deputetë, anëtar të Këshillit Bashkiak të Tiranës si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.