“Fundosja” e industrisë së bitumit, shteti i jep shkelmin e fundit

776
Sigal

Nga Ledina Loga

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar vendosjen e akcizës për zhavorrin bituminoz. Kompanitë që operojnë në këtë sektor nuk kanë rikuperuar ende humbjet për shkak të ndryshimeve ligjore në vitin 2015. Me miratimin e këtij propozimi, ata e kanë të sigurt falimentimin, ndërsa llogarisin se kostot e produktit kapërcejnë çmimin aktual të shitjes. Grupet e interesit shprehen se nuk është marrë ende mendimi i tyre për këtë propozim

I njohur si qyteti i arit të zi, qyteti i vogël i Selenicës është mbështetur prej vitesh në nxjerrjen e minerarit të bitumit nga nëntoka e pasur e tij, që nga periudha e vështirë komuniste, në vitet e tranzicionit, e deri në ditët e sotme. Aktualisht, nëntoka e Selenicës është nën shfrytëzimin e pesë kompanive, njëra në pronësi të huaj, të cilat janë i vetmi burim punësimi për një zonë të varfër.
Propozimi për vendosjen e akcizës për zhavorrin bituminoz, i cili aktualisht përdoret vetëm për djegie, në 2 lekë për kilogramë (2000 lekë për ton) ka shqetësuar të pestë operatorët që operojnë në tregun vendas. Në rast se ky propozim do të miratohet, do të jetë i pashmangshëm falimentimi i tyre. Të gjithë subjektet e industrisë nxjerrëse pohojnë se janë në vështirësi ekonomike, për shkak të shkallës së taksimit të lartë dhe uljes së çmimit të mineraleve në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Kompanitë shprehen se janë në nivelet minimale të prodhimit.
Patric Pascal, i cili drejton edhe kompaninë “Selenicë Bitum Sh.a”, thotë se me vendosjen e akcizës së propozuar, rreth 100 persona që punojnë në kompaninë e tij do të mbeten pa punë, njësoj si në vitin 2016. Nuk është hera e parë që industria përballet me ndryshime në ligj. Në vitin 2015, ndryshimet në ligj prekën rentën minerare, një tarifë fikse prej 2371 lekë /ton, e cila sipas aktorëve të tregut është në një vlerë të përafërt me akcizën e propozuar. Kompanitë që operojnë në treg pohojnë për “Monitor” se nuk është marrë mendimi i aktorëve të tregut për vendosjen e akcizës.

Gloria Çeno, përfaqësuese e kompanisë “Balkan Mineral Invest”, thotë se u njoftua për propozimin e vendosjes së akcizës nëpërmjet mediave. “Impakti i shtimit të taksës së akcizës, nuk do të ketë efektet e pritshme për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, pasi “Balkan Mineral Invest” dhe shumë shoqëri minerare, të cilat operojnë në këtë fushë, me këto rritje në kosto, jo vetëm që nuk do të arrijnë të realizojnë shitjet sipas kontratave ekzistuese që kanë, por shumë shpejt do të jenë të destinuara për të falimentuar, duke sjellë dhe rrënimin e industrisë minerare në rang vendi”, tha Çeno për “Monitor”.

Interes, vetëm tregu vendas

Dëfrim Imamaj, përfaqësues i kompanisë “Tili Inert Sh.p.k”, shprehet se kompanitë operojnë vetëm brenda vendit dhe se nuk kanë hapësirë për të dalë në tregjet ndërkombëtare, për shkak të legjislacionit të Bashkimit Europian. Të vetmit konsumatorë të zhavorrit bituminoz janë fabrikat e çimentos dhe të tullës në vend, të cilat edhe këto janë të pakta në numër dhe nuk kërkojnë sasi të konsiderueshme të zhavorrit bituminoz. Çmimet mesatare të shitjes së zhavorrit bituminoz në vend variojnë në raport me cilësinë. Për zhavorrin me cilësi mbi mesataren, çmimi mesatar është rreth 22 euro për ton. Me propozimin e vendosjes së akcizës për këtë produkt, Imamaj shprehet se e gjithë industria ka rënë në pesimizëm. Sipas tij, të gjitha kompanitë do të shkojnë drejt falimentimit. Për këtë ai sjell rastin e vendosjes së rentës minerare me tarifë fikse prej 2371 lekë për ton, ku të gjitha fabrikat ndalën prodhimin, duke qenë se nuk i përballuan kostot dhe tregu është jo tolerant ndaj rritjes së çmimit të zhavorrit bituminoz. “Nuk shitëm asnjë kilogram gjatë 2016-s, duke qenë se produktet zëvendësuese vijnë më të lira nga jashtë se prodhimi vendas. Nuk kishim më leverdi ekonomike”, tha Imamaj për “Monitor”. Imamaj shton se gjatë atij viti, kompanitë e prodhimit të çimentos dhe tullave, përdorën si lëndë djegëse materialin koks, që është mbetje e naftës dhe që ka një fuqi kalorifike më të madhe se zhavorri bituminoz. Këtë vit, Imamaj tregon se i marrin punëtorët të punojnë me ditë apo në periudha të caktuara, duke shtuar se aktiviteti është në reduktim. “Ky lloj minerali ka një treg jashtë mase të kufizuar në vend (aktualisht vetëm dy fabrika të prodhimit të çimentos e përdorin në procesin e tyre teknologjik), dhe nuk ka as një treg të mirëfilltë ndërkombëtar, produkt i cili nuk është i listuar në bursë. Çmimi më i lartë i shitjes në vend i realizuar është 22 euro/ton (3080 Lekë/ton)”, shpjegon Gloria Çeno, përfaqësuese e kompanisë “Balkan Mineral Invest”.

Taksat e larta çojnë drejt falimentimit

Aktualisht, industria ka kosto të larta operimi. Për vitin 2017-2018, industria ka punuar me kosto mesatare 1398.23 lekë për ton për zhavorrin bituminoz. Ndërsa me vendosjen e akcizës, kostot mesatare për një ton të zhavorrit bituminoz priten 3398.3 lekë, më shumë se çmimi aktual i shitjes së këtij produkti në tregun vendas. Gloria Çeno, nga Balkan Mineral Invest, thotë se me këto kosto do ta kenë të pamundur operimin. Gjithashtu, ajo tregon se planet e kompanisë për t’u zgjeruar në tregun e Kosovës, u anuluan me vendosjen e taksës për kalimin në Rrugën e Kombit. Për çdo kalim të kamionëve që do të transportonin zhavorrin bituminoz, do të paguanim rreth 22.5 euro, gjë që e bënte pa leverdi ekonomike këtë vendim, shton Çeno.
Industria po has vështirësi edhe në gjetjen e tregut të brendshëm vendas, por ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal për të tria produktet. Momentalisht çmimet në treg të produkteve janë:

  1. Zhavori bituminoz (Pirobitumi) – Maksimalisht arrin në 22 euro pa TVSH dhe minimalisht në 1500 lekë pa TVSH. Produkti konsumohet vetëm nga dy fabrikat e prodhimit të çimentos në vend (Antea Cement e cila merr produktin me çmimin më të lartë dhe Fushëkruja Cement e cila merr çimenton me çmimin më të ulët) dhe nga asnjë fabrikë tjetër. Për të cilin momentalisht implementohet taksa e rentës minerare prej 6% e vlerës se faturës. Kjo taksë ka hyrë në fuqi nga janari 2017. Për periudhën Janar 2016 – Dhjetor 2016 asnjë nga shoqëritë që operojnë në këtë sektor nuk kanë pasur aktivitet për arsye sepse taksa e rentës minerare u vendos në një vlerë fikse prej 2371 lekë për ton.
  2. Bitumi Natyror – nuk ka asnjë interes në tregun vendas. Çmimet në tregun ndërkombëtar janë 190 euro për ton për bitumin natyror të papërpunuar dhe 290 euro për bitumin natyror të pasuruar. Në vitin 2015 u vendos akciza 5 lekë për kg, një ndryshim i cili në asnjë moment nuk u vu në funksion, sepse 99% e prodhimit ishte i destinuar për tregun ndërkombëtar dhe vetëm me nismë të qeverisë, ky produkt u përjashtua nga akciza.
  3. Rëra bituminoze – në kushtet ku rëra bituminoze nuk përpunohet çmimi në tregun vendas është 500 – 600 lekë për ton, me akcizën prej 2 lekë për kg, do të duhet të paguhet 2000 lekë për ton për akcizën, ndërkohë çmimi i produktit është 600 lekë për ton. Nëse rëra bituminoze do të përpunohej për të ndarë bitumin natyror nga rëra, do të duhej një sasi prej 18 tonësh rërë për të nxjerrë 1 ton bitum dhe me akcizën 2 lekë për kg përafërsisht do të paguhen 40 000 lekë për ton, ndërkohë çmimi i produktit në treg është 60 000 lekë për ton.

Ende nën shqyrtim

Aktorët kryesorë të tregut thonë se për këtë ndryshim, që prek direkt bizneset e tyre, nuk janë marrë në konsideratë mendimi dhe vlerësimi i tyre, si palë e prekur direkt dhe janë vënë në dijeni të këtij propozimi për ndryshim nëpërmjet mediave. I kontaktuar nëpërmjet telefonit, zoti Mehmet Hasalami, drejtori i Programeve të Zhvillimit të Minierave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thotë se është ende duke u vlerësuar vendosja e një akcize minimale. Për këtë çështje, zoti Hasalami thotë se po ndiqet procedura standarde dhe shton se do të bëhen të gjitha balancimet e nevojshme, do të vlerësohen prioritetet dhe do të gjendet një gjuhë e përbashkët me palët e prekura. Në një prononcim të mëparshëm mbi industrinë nxjerrëse në vend, zoti Hasalami thotë se mbështetja e industrisë minerare dhe aplikimi i lehtësive fiskale nga qeveria është një stimul i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë në vend, duke ditur që kjo lloj industrie ofron punësim për një numër më të madh punonjësish dhe kontribuon shumë në ekonominë e vendit. Zbulimi, nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve përbën një aktivitet të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe krijon mundësi për shtimin e punësimit në këtë sektor. Nëpërmjet koordinimit të bizneseve të vogla, një sasi e konsiderueshme e mineralit përpunohet në vend.

Ndryshimet e shpeshta ligjore largojnë investitorët e huaj

Sektori i bitumit natyror ka një potencial të konsiderueshëm investimi dhe si pasojë, disa grupe investimesh të huaja janë interesuar për të investuar në zonën e Selenicës për nxjerrjen dhe tregtimin e bitumit natyror, shprehet Gloria Çeno. Sipas saj, këto ndryshime të shpeshta të nivelit të taksimit të produktit dhe duke mos marrë aspak në konsideratë vlerën reale në treg të secilit prej këtyre produkteve, këtë si projekt nuk e bën aspak fizibël për asnjë nga investitorët e huaj. Monitor