Jo demagogjisë dhe politizimit të shkollës dhe universiteteve

327
Sigal

Intervistë me Prof.Dr.Lush Susaj: Arsimi sot ndodhet në ditën më të zezë, arsimit i mungon vizioni dhe fryma e shkollës së Rilindjes dhe Ismail Qemalit. Arsimi shqiptar u manipulua, u denatyrua, u sundua dhe u vodh nga klanet nepotike. Në universitete është krijuar një pseudoelitë sunduese që ka në dorë çdo gjë, kurse laboratorët dhe institutet u shkatërruan

 

 Arsimi sot ndodhet në ditën më të zezë pasi shkolla sot nuk është në shërbim të edukimit dhe të çështjes kombëtare dhe auditoreve tona i mungon vizioni dhe fryma e shkollës së Ismail Qemalit.

Përgjatë këtyre 30 viteve arsimi u manipulua, u denatyrua, u sundua dhe vodhën deri në ekstrem nga klanet e njëpasnjëshme nepotike. Servilët dhe më të verbërit e partisë shtet, të cilët katapultohen, shpërblehen me lëndë dhe me programe jashtë realitetit. Në Universitete është krijuar një pseudoelitë sunduese që ka në dorë çdo gjë

Gazeta Telegraf

 Ecuria e reformave në arsim, situata në të cilën ndodhet aktualisht  vendi në të gjitha kategoritë e arsimit është një nga problematikat më të mëdha të vendit pasi nga niveli aktual i arsimit varet edhe e ardhmja e Kombit. Po a kanë dhënë efikasitet të ashtuquajturat reforma? Po në konkurrimin për të qenë pjesë e arsimit shqiptar a ndiqen konkurset  e rregullta, apo ende ka frymë partiake? Këto dhe për probleme të tjera të arsimit Prof. Susaj u jep shpjegime në këtë intervistë për gazetën Telegraf…

 

Si do ta cilësoje arsimin shqiptar pas disa eksperimenteve të ashtuquajtura reforma?

 

Do të thosha se arsimi është në ditën më të zezë. Nuk ka shërbim më të keq se sa heshtja përballë demagogjisë dhe politizimit të thellë të panevojshëm të shkollës dhe universiteteve, nga ku buron shkatërrimi i cilësisë dhe misionit kombëtar e shoqëror të shkollës dhe universiteteve. Pavarësisht nga demagogjia për reforma dhe arritje imagjinare në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, nuk besoj që ka ndonjë mësues apo pedagog që nuk e di mënyrën se si arritëm deri në këtë situatë, ku shkollat dhe universitetet janë vendosur totalisht nën sundimin politik të partisë shtet dhe të një grushti njerëzish që pasurohen nga abuzimi me investimet dhe projektet që në asnjë rast nuk shkuan tek nxënësit, as tek studentët, as tek mësuesit dhe pedagogët, as tek laboratorët, as tek tekstet, as tek kërkimi shkencore dhe as tek infrastruktura e rrënuar. Nuk ka mësues e as pedagogë që nuk e dinë faktin që shkollat dhe universitete tona, përgjatë këtyre 30 viteve u manipuluan, u denatyruan dhe u sunduan e vodhën deri në ekstrem nga klanet e njëpasnjëshme nepotike e krahinore të korrupsionit dhe abuzivizmit, e ku askush nuk është hetuar as vënë para përgjegjësis ligjore. Ka kohë që në qendër të shkollës dhe universiteteve tona nuk është më edukimi dhe dijet e qëndrueshme, por demagogjia për ligje, reforma, investime dhe arritje imagjinare e që nuk u kryen dhe nuk u panë kurrë e nga askush. Në qendër të vëmendjes dhe punës së përditshme nuk janë më as nxënësit dhe as studentët, por shokët e partisë shtet, që me injorancën dhe grykësinë e tyre po stopojnë, deformojnë dhe mbytin çdo lloj mundësie bashkëpunimi dhe çdo lloj lirie akademike. Nuk janë më as mësuesit dhe pedagogët e nderuar e njohës të shkëlqyer të fushave që ata mbulojnë. Përkundrazi, kudo dhe në plan të parë janë të përkdhelurit e nomenklaturës dhe organizatës së partisë shtet, që me anë të artificave dhe rregulloreve të njëanshme, kanë uzurpuar çdo hapësirë demokratike në shkolla, universitete dhe institucionet e tjera të arsimit. Është fjala për servilët dhe më të verbërit e partisë shtet, të cilët pasi katapultohen, shpërblehen me lëndë dhe me programe jashtë realitetit e që nuk duhen për asgjë. Për më tepër shpërblehen dhe promovohen me bujë duke i angazhuar nëpër projekte, në ekspertiza dhe në komisione, nga të cilat mbeten vetëm dosjet fiktive të mbushura me letra pa asnjë vlerë përdorimi. Kjo mëndësi dhe sjellje ndaj arsimit është shoqëruar me krijimin e një modeli të shëmtuar të komandimit dhe drejtimit përmes facebook-ut dhe emalit, duke mënjanuar kështu debatin dhe ballafaqimin real për punën dhe problemet reale që shqetësojnë arsimin. Nxënësit dhe studentët në Shqipëri dhe kudo në botë nuk mund të mësohen e as të edukohen jashtë kontaktit me auditorin dhe me debatin e përditshëm. Mësuesit dhe profesorët nuk mund të vendosen e të mbahen më gjatë në një regjim fiktiv e të neveritshëm të shkresave dhe emaileve pa fund, mënyrë kjo që vetëm sa e shton injorancën, errësirën dhe mjergullën për korrupsion dhe abuzivizëm. Shkolla dhe universitetet kanë nevojë për ballafaqim, debat dhe komunikim të hapur e të përditshëm për problemet dhe sfidat e kohës në fushat e edukimit, teknologjisë dhe komunikimit shoqëror.

Nxënësit dhe studentët në Shqipëri dhe kudo në botë nuk mund të mësohen e as të edukohen jashtë kontaktit. Mësuesit dhe profesorët nuk mund të mbahen gjatë në një regjim fiktiv e të neveritshëm të shkresave dhe e-maileve pa fund

Arsimi me kurikulat, stafet dhe infrastrukturën a janë në shërbim të çështjes kombëtare?

 

Shkolla duhet të jetë në shërbim të edukimit dhe të çështjes kombëtare. Kështu u tha në mbledhjen e parë të qevrisë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali. Pas 109 vitesh, ky përcaktim jetik për fatet e vendit duket si një realitet inekzistent dhe shumë i largët. Kjo sepse shkolla jonë nuk është më në shërbim të edukimit të mirëfilltë të brezit tëri, sepse i mungojnë programet mësimore bashkëkohore, i mungon struktura, bashkëpunimi dhe integrimi real me shkollat dhe universitetet e vendeve të rajonit dhe më gjërë. Mungojnë stafet meritokratike e të mirëpaguara, mungojnë laboratoret, praktikat, lidhja me tregjet e punës, etj.Për më tepër mungojnë edhe ato infrastrukturat minimale sikurse janë godinat, klasat, bangot, ngrohja, telefonia, interneti e deri edhe tualetet për nxënësit, studentët dhe stafet pedagogjike. Nëse do të shofim nëpër letrat e mbyllura nëpër dosjet e vjedhjes dhe korrupsionit, do të kuptojmë se shkaku real i këtyre mungesave është vjedhja dhe korrupsioni në vite. Është pasurimi pa rregull e meritë i klaneve që kanë sunduar e abuzuar pa mëshirë shkollën dhe universitetet përgjatë këtyre 30 viteve. Nëse do të hedhim një vështrim të shkurtër mbi qëndrat kërkimore e shkencore, patjetër që do të shohim dhe kuptojmë edhe më mirë shkakun e shkatërrimit total të tyre, në shërbim të trojeve të ndërtimit dhe të mafies së tokave dhe investimeve bujqësore. Po ju sjell vetëm pak shëmbuj për ta kuptuar më mirë mënyrën dhe shkakun real të shkatërrimit të një tradite dhe pasurie të jashtëzakonshme për shtetin dhe fatet e bujqësisë shqiptare. Kujtoni pak se si ishte Instituti i misrit dhe orizit në Shkodër me rreth 700 ha tokë e me mbulimin total të nevojave kombëtare për farë. Kjo pasuri është shkatërruar dhe degraduar në 10 ha tokë, dhe një godinë që nuk vlen më për asgjë. Po kështu e vetëm për të marrë tokën e ish serave dhe qëndrave të kërkimit shkencor për sheshe ndërtimi janë shkatërruar edhe institutet e perimeve dhe patates në Tiranë, ai i pemëtarisë në Vlorë, i duhanit në Cërrik, institutet e projektimit dhe kullimit etj. Mjafton të shikoni se kush u pasurua përmes kësaj vepre e sjellje të mirfilltë antikombëtare, të abuzivizmit me një pasuri publike që duhej të ruhej e reformohej në shërbim të ekonomisë dhe të zhvillimit të vendit. Po në këtë mënyrë janë shkatërruar e vjedhur pothuajse të gjitha mjediset e shkollave, universiteteve, për të ardhur deri tek vjedhja dhe shkatërrimi ditën për diell i kampusit të Universitetit Bujqësorë në vitin 2018, dhe tek tentativa e fundit për të pushtuar e shkatërruar edhe hapësirat e kopshtit botanik. Ata që kopsitin dosjet e vjedhjeve e që heshtin, patjetër që shpërblehen nga partia me projekte, me investime dhe me karriera të pamerituara.Të gjithë mund të përqëndrojmë për pak kohë kujtesën dhe vëmendjen për të parë e kuptuar mënyrën se si janë rritur në poste abuzuesit dhe të korruptuarit e shkollave dhe universiteteve tona në vite. Që të gjithë mund të shikoni e të kuptoni mënyrën se si sundimtarët e këtyre 30 viteve grefosën dhe mundohen që të na mbushin mendjen që me nga një rrogë dhe pa patur asnjë profesion tjetër përveç atë të mashtrimit, korrupsionit dhe servilizmit politik, arrijnë që të shkollojnë fëmijët e tyre në universitetet më të shtrenjta të botës, të blejnë edhe makina lluksoze, madje edhe apartamente për ti lëshuar me qera, etj. Është fjala për pasuri të siguruara nga vjedhja dhe shkatërrimi i procesit mësimor dhe edukativ në shkolla, universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore e shkencore. Pa vjedhjen dhe korrupsionin, pa përkëdheljen e strukturave nepotike të partisë shtet, ky takëm njerëzish dhe sundimtarësh janë asgjëja dhe dështimi më i madh.

Sistemi i frikshëm korruptiv që është instaluar, duket që po i ushqen dhe mban përsëri të pacënuar në sulltanatet dhe çifligjet që kanë krijuar në vite. Në shkollat dhe universitetet tona, për shkak të politizimit, ka ndodhur edhe një ndarje e thellë, e shëmtuar e me shumë pasoja. Kjo ka të bëjë me krijimin e një pseudoelite sunduese që ka në dorë çdo gjë. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë mësuesit dhe pedagogët që mbajnë mbi shpatulla gjithë punën e vështirë e me laboratore dhe me programe mësimore të shkatërruara. Mbajnë mbi supe gjithë atë punën që bëhet për edukimin e nxënësve dhe studentëve të vjedhur deri në palcë e të lenë pa mjete, pa ngrohje e deri dhe pa tualete, tani edhe të shantazhuar jo po hyn apo nuk hyn në klasë në varësi të vaksinimit, për të cilën u kujtuan vetëm tani, një javë para fillimit të shkollës. Ndarja shkon deri në atë fashitjen e plotë e të frikshme të kolegjialitetit dhe tëlindjes së skemave të përplasjeve verbale dhe fizike të ngjashme me ato që pamë ditën e djeshme tek gjimnazi Andon Zako Çajupi (11 Tetor 2021), ku mësuesit u rrahën me karrige dhe me armëzjarri në sy të nxënësve dhe të publikut. Në sistemet kakistokratike e të korruptuara nuk ka kolegjialitet, as unitet e as bashkëpunim zhvillimor.Vendin e tyre e zënë prapambetja, frika, ligësia dhe konfliktualiteti. Një fjalë e urtë spanjolle thotë: “Atje ku injoranca dhe hajnia janë bërë të shtëpisë, nuk mungon lajthitja”. Sundimtarët e korruptuar punojnë shumë për lajthitjen kolektive të një populli. Nëpër shkollat dhe universitetet tona duket që ka vdekur edhe puna e mirëfilltë me nxënësit dhe studentët. Ka kohë që komunkimi është bërë shumëi varfër, pothuajse ka vdekur. Askush nuk e vret më mëndjen se si duhet bërë teksti dhe mësimi sa më i kuptueshëm e sa më i lidhur me tregun e punës. Përkundrazi kemi ngelur në metodat obskurantistë të shabllonizmit e të leximit të letrave para nxënësve, studentëve, për pasojë të mungesës totale të mësimit natyral e frutdhënës. Ignacio thoshte që: “Nëse një nxënës nuk mëson me mënyrën që ne shpjegojmë, ndoshta duhet të mësojmë të shpjegojmë në mënyrën që ato mësojnë”. Për fatin e keq, në qëndër të kujdesit, investimeve dhe punës nuk janë më nxënësit, as studentët dhe as stafet pedagogjike, këtë vend e kanë zënë të përkëdhelurit e partisë shtet që punojnë vetëm për interesat e klanit të ngushtë të tyre.

Shkollës sonë i mungojnë programet mësimore bashkëkohore, i mungon struktura, bashkëpunimi dhe integrimi real. Instituti i misrit dhe orizit në Shkodër me rreth 700 ha tokë e me mbulimin total të nevojave kombëtare për fare sot ka degraduar në 10 ha tokë. Institutet e perimeve dhe patates në Tiranë, ai i pemëtarisë në Vlorë, i duhanit në Cërrik, janë zhdukur

Cilat janë konkluzionet tuaja për gjithë këto probleme?

Në këtë mënyrë është humbur brendia, është humbur bërthama dhe të gjitha funksionet që duhet të kenë e duhet të rifitojnë sa më parë shkollat dhe universitetet tona. Në këtë kontekst, nuk mund të lë pa përmendur edhe shkatërrimin ekonomike shoqërorë që u është bërë mësuesve dhe pedagogëve, të cilët përbëjnë mbi 95% të trupës pedagogjike, e që duhet të reagojnë sa më parë ndaj errësirës së 5% të partisë shtet. Po sjell ndërmend një përgjigje të mbretit të Japonisë, që kur e pyetën se si ka arritur Japonia deri në këtë nivel të përparimit shoqëror dhe teknologjik, ai u përgjigj: “Mësuesit ia dhamë pagën e ministrit, imunitetin e diplomatit, dhe autoritetin e perandorit”. Mendoni për pak momente se në çfarë gjendje janë lënë mësuesit dhe pedagogët e Shqipërisë, të cilët marrin një pagë rreth 40% më të ulët se kolegët e tyre në Kosovë. Pa harruar edhe faktin që korrupsioni pandemik i partisë shtet u ka pamundësuar totalisht angazhimin e tyre në projekte dhe në punë të mirfillëta të edukimit shoqëror dhe teknologjik të rinisë dhe të popullit në përgjithësi. Me pak fjalë kjo është shkolla jonë hallemadhe. Në këtë mënyrë e ka goditur korrupsioni dhe abuzivizmi në vite. Fiks në këtë situatë e ka sjellur politizimi, fiktiviteti dhe demagogjia dehumanizuese e antikulturë e klaneve dhe partive shtet.