Qindra administratorë lokalesh dhe qytetarë nuk respektojnë masat kufizuese

65

Gjatë fundjavës është konstatuar një numër më i madh qytetarësh që kanë lëvizur gjatë orareve të ndaluara, ndërkohë policia ka raportuar masat e para të marra ndaj administratorëve të lokaleve që kanë thyer masat kufizuese në mënyrë të përsëritur.

Qindra qytetarë kanë qarkulluar këtë javë në ambientet publike gjatë orareve kur ndalohet, duke mos respektuar kufizimeve e vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas të dhënave të raportuara nga Policia e Shtetit, prej të mërkurës, më datë 1 prill –  deri të dielën; 649 qytetarë  janë penalizuar administrativisht me nga 10 mijë lekë gjobë secili, pasi janë konstatuar të lëviznin në këmbë ose me biçikleta pa ndonjë arsye. Për shkak të mos respektimit të masave kufizuese janë gjobitur me nga 20 mijë lekë dhe u janë bllokuar automjetet për tre muaj 6 personave.

Ndërsa një tjetër është gjobitur me 700 mijë lekë gjobë  pasi ka thyer vetëkarantinimin. Sipas të dhënave të raportuara nga policia, gjatë fundjavës ka një rritje të numrit të qytetarëve që nuk respektojnë oraret kufizuese të përcaktuara nga qeveria.

Policia njoftoi të dielën se, prej nxjerrjes së aktit normativ nr. 3, datë 15 mars 2020, ku përcaktohen masat për përhapjen e COVID-19, në të gjithë vendin janë ndëshkuar 207 administratorë lokalesh që kanë ushtruar aktivitetin jashtë orarit të lejuar.

Gjatë pesë ditëve të fundit 33 tregëtarë janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin e tyre jashtë orarit të lejuar dhe janë gjobitur nga policia. Ndërsa dy administratorë lokalesh janë penalizuar me bllokim të veprimtarisë për 6 muaj për shkak se i kanë thyer masat për të dytën herë. Në Durrës janë proceduar penalisht 9 tregëtarë, tre prej të cilëve të shumicës, të cilët tregëtonin pa kupon ose fatura tatimore.

Policia ka ndëshkuar edhe 157 drejtues mjetesh për shkelje të urdhërit të ndalim qarkullimit, pesë prej të cilëve janë arrestuar pasi udhëtonin në gjendje të dehur.

Kryeministri Edi Rama njoftoi të shtunën nëpërmjet një statusi në Facebook, shtrëngimin e masave për ata të cilët thyejnë oraret kufizuese në mënyrë të përsëritur duke u shprehur se do të ketë edhe “heqje lirie” për raste të tilla.