Jak Simoni: Epoka e shkatërrimit

140
Sigal

“Modernizmi është vetëshkatërrim”, në këtë përfundim kishte arritur historiani i shquar francez J. Le Goff. Ndonëse nga një këndvështrim filozofik, pak a shumë në të njëjtën mënyrë ishte shprehur thuajse një shekull përpara tij dhe F. Niçe. Të vijnë në mendje thëniet e këtyre mendimtarëve të shquara, kur shikojmë shembje, shkatërrime, gërmadha. Shembje nga tërmeti; shembje nga shteti. Një botë kaotikë, ku sa ndërtohet, aq dhe shkatërrohet. Një epokë e zhvillimit, progresit, kaosit, betonimit, por dhe e shkatërrimit. Shkatërrohen ndërtesa pesë katëshe për të ndërtuar gjashtë apo shtatë kateshe, sikur mos të kishte vend tjetër. Shemben ndërtime me leje e pa leje, kur kujtohet se në vend të tyre duhen  rrugë e kanalizime. Shpërthimi i resortit të fundit ishte impresionues për cilindo, dhe për ata që të paktën një shtëpi e kanë, por, si do ta kenë përjetuar një gjë të tillë ata që ëndërrojnë dhe nuk mund të kenë as një shtëpi monolokal; apo ato çifte të reja e të vjetra që llogarisin pagesën e qerasë çdo muaj? Po studentët që jetojnë disa vetë në një dhomë për të kursyer? Këta studentë, dhe jo vetëm, shikojnë botën e të rriturve me pushtet, që hedh në erë miliona euro ndërtime, kur vetë jetojnë, siç thonë italianët, si sardelet në kuti. Shembja më e fundit ishte ajo e resortit luksoz. Shtrohet pyetja: n. q. s. vlera e truallit ishte shumë më e vogël se e investimit, pse nuk u përdor për ndonjë funksion tjetër nga institucionet shtetërore dhe jo vetëm? P. Sh., pse nuk u përdor si qendër për gratë e dhunuara, konvaleshenca, si spital psikiatrik, apo thjeshtë si pikë pushimi për policinë? Nga këta të fundit janë më qindra që kanë paguar me jetë për punën e tyre e rrezikojnë akoma; të vetmit që rrezikojnë nga të gjitha strukturat e organeve të drejtësisë, sepse gjykatës dhe prokuror do të bëhen nga njëqind vjeç. Për ta shikuar dramën si komedi, kjo që po ndodh duket si lojë që fëmijët bëjnë me ndërtesat me kube, ku u japin forma nga më të ndryshmet, pastaj, kur nevrikosen, i shkatërrojnë dhe i hedhin, por shumë “fëmijë” të tjerë i shikojnë me zili, i dëshirojnë dhe nuk mund t’i kenë kurrë, sepse ndoshta janë “tepër të vegjël” për t’u marrë me politikë. Nuk është thënë më kot që të rriturit nga fëmijët dallojnë vetëm  nga çmimi i lodrave.