‘Bejlerët’ e Kuvendit/ Pensionistët dhe qytetarët në skamje, Lindita Nikolla mbush xhepat e deputetëve me 270 mln lekë, tollona karburanti, përveç rrogës së majme dhe dietave që përfitojnë nga ligjet që kanë miratuar për veten

193
Sigal

Lindita Nikolla çon shi në bahçen e deputetëve

Ligji u rimburson naftën deputetëve dhe ministrave, por Kuvendi blen për herë të dytë 270 mln lekë naftë me paratë e popullit

“Bejlerët“ e Kuvendit marrin nga arka e shtetit, përveç rrogës së majme edhe para pwr dietat, karburantet, telefonat, qiratë dhe shpërblimet, nëpërmjet ligjeve që kanë miratuar përvete.Përballë  kemi dhe realitetin e pensionistëve dhe qytetarëve që u mungon buka, ilaçet e u janë rritur çmimet

Çdo herë nga foltorja e Parlamentit, zëvendësministrja, Belinda Balluku, vazhdon t’iu kërkojë qytetarëve të kursejnë energji dhe karburant. Sipas saj, nuk ka asgjë të keqe të shkosh në këmbë në punë apo edhe me transport publik, sepse jemi në luftë!

Por, ç’po ndodh në Kuvend?

Me firmë të Lindita Nikollës, po blihet karburant, që deputetët të kenë rezerva edhe për dy vitet e ardhshme. Edhe pse akoma nuk është hapur buxheti i vitit 2023, si dhe nuk dihet se si do të ecin çmimet e karburanteve, Kuvendi po blen naftë për vitin 2024.

Më datë 12 dhjetor Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik tenderin me numër reference REF-51825-12-02-2022 dhe objekt “BLERJE KARBURANT PËR NEVOJAT E VITEVE 2023-2024”. Sipas të dhënave, vlera e parashikuar që do të shpenzohet për karburant është 27.634.900 lekë (të reja). Ndërsa kontrata do të zgjasë deri në 31 dhjetor 2024.

Në dokument evidentohet se, 13.647.455 lekë parashikohen të shpenzohen gjatë vitit 2023. Ndërsa pjesa tjetër, 13.987.445 lekë do të furnizohet karburant përgjatë vitit 2024. Kjo nuk do të thotë se gjatë dy viteve nuk do të ketë shtesë në kontratë, sepse çmimi i naftës në dy vitet e ardhshme mund të rritet. Nga ana tjetër nuk përcaktohet cilësia e karburantit që do të furnizohet. Nga ana tjetër, Kuvendi mund të prokurojë gazoil edhe për sistemin ngrohës, pasi në njoftimin paraprak nuk është përcaktuar ende.

Si paguajnë qytetarët për karburantin e politikanëve, deputetët marrin çdo vit 55 mln lekë rimbursime

Ndërsa ligji u rimburson naftën deputetëve dhe ministrave, nuk dihet përse Lindita Nikolla blen për herë të dytë 270 mln lekë naftë me paratë e popullit. Shumica e deputetëve, sidomos ministrat, nuk e dinë çfarë do të thotë të jesh në dilemë se sa lekë do i hedhësh naftë makinës. Kjo pasi ministrave ja u furnizojnë strukturat e shtetit me taksat e qytetarëve dhe nuk pyesin kurrë nëse ka makina naftë apo sa e ka koston.

Po ashtu e njëjta gjë vlen dhe për deputetët, të cilëve ju rimbursohet karburanti me të cilin lëvizin. Ligji për Statusin e Deputetit ja u jep këtë benefit dhe nga 124, të gjitha kanë marrë rreth 40 mijë lekë të reja çdo muaj për të rimbursuar naftën që kanë harxhuar për të lëvizur. Edhe ata deputetë që hiqen sikur ju “dogj barku” për qytetarët kanë marrë kokërr më kokërr të gjitha paratë.

Rimbursimet në vitin 2021 dhe gjatë vitit aktual. Rezulton se nga buxheti i shtetit, çdo muaj shkojnë afro 45 milionë lekë të vjetra që dalin nga taksat e qytetarëve dhe përdoren për të paguar naftën e deputetëve.

Shpenzim luksi

Sa litra karburant u prokuruan për dy vitet  e ardhshme? Për shembull, për vitin 2023 janë lënë në dispozicion 13.647.455 lekë dhe duke e përpjesëtuar me çmimin e naftës aktualisht në treg 196 lekë/litër, rezulton se Kuvendi do të blejë afro 69 629, 89 litra naftë (afërsisht  70  mijë litra, nëse këto para do të shkojnë vetëm për gazoil) vetëm për një vit.

Ndërsa, në vitin 2024 parashikohet të blihet 71 mijë litra naftë.  Gjithë këto shpenzime për makinat e Kuvendit?!! Çfarë hipokrizie, kur këto para mund të shpenzoheshin të paktën për ngrohjen në shkolla, ku nxënësit vazhdojnë të mësojnë në të ftohtë.