Ja njësitë ku do të ndërtohen 17 shkollat në Tiranë

315
Fillon që të marrë jetë projekti për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne. Aktualisht janë edhe tre shkolla duke u ndërtuar me fonde të Bashkisë së Tiranës.
Në ambientet e shkollës “Fan Noli”, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit e Sportit për projektin e ndërtimit të 17 objekteve të reja arsimore në Tiranë, ndërkohë që 3 shkolla janë në proces ndërtimi, duke e çuar në 20 numrin e tyre.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Ku do ndërtohen shkollat?
Në njësinë nr. 2 do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë 5 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare.
Në njësinë 7, një shkollë e mesme.
Në njësinë 8, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme.
Në njësinë 9, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme.
Në njësinë 11, dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë Dajt, një shkollë e mesme tek zona e Freskut që është më shumë Tiranë sesa zonë rurale e Dajtit.
Në njësinë Farkë, një shkollë 9-vjeçare pranë zonës së Kopshtit Zoologjik i njësisë 5 sepse është më shumë zonë e njësisë 5 sesa e Farkës
Në njësinë Kashar dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme, kryesisht tek zona e Unazës së Re dhe të Astirit që sërish është më shumë zonë urbane sesa zonë rurale.
Rama: Do behet diferencimi
Kryeministri Rama vlerësoi se përmes kësaj marrëveshje, materializohet një fazë e gjatë përgatitore dhe çelet rruga për një ndër kantieret më të rëndësishëm të programit të rilindjes urbane, kantieri i ndërtimit të 20 shkollave të reja, të 20 shkollave që do të bëjnë më në fund diferencën pas 25 vitesh vështirësi prej mbipopullimit dhe mbingarkesës.
“Më vjen mirë që me Bashkinë e Tiranës sot lançojmë një projekt që është model i parë i projekteve të programit tonë 1 miliard dollarë për rindërtim, 1 miliard për rindërtim është një program që do të bëjë të mundur realizimin në një kohë shumë të shkurtër të atyre veprave që për ndryshe do donin një kohë shumë të gjatë si pasojë e pamundësisë së arkës së shtetit për ti financuar. “1 miliard investime është një program që do të sjellë shumë më afër të ardhmen në raport me disa nevoja jetësore shumë të rëndësishme për infrastrukturë arsimore, shëndetësore, infrastrukturë rrugore të niveleve të ndryshme dhe nga ana tjetër do t’i jap një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë dhe punësimit”, tha Rama.
Veliaj: Modeli i duhur
Kryebashkiaku deklaroi se ky projekt është në një vijë me vizionin e qeverisë për të investuar 1 miliard dollarë në 3 vitet e ardhshme në investime të tilla publike që injektojnë para në ekonomi dhe injektojnë punësim.
Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se falë këtyre projekteve të nisura në Tiranë, janë punuar mbi 10 mijë qytetarë direkt dhe 20 mijë të tjerë indirekt.
Veliaj deklaroi se modeli i zgjedhur për këto shkolla është i duhuri që nuk rëndon financat.
“Kemi ndërtuar gjithashtu një model financiar i cili nuk i rëndon financat e bashkisë. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë të njëjtën shumë që kemi për merementimin e shkollave dhe ndërtimin e shkollave të reja, por kësaj here këtë do ta përkthejmë në një pagesë me këste vjetore për ndërtimin e këtyre shkollave të reja të cilat do t’i marrim në përdorim që vitin e parë dhe në dorëzim në 7 vitet e ardhshme”, tha ai.
Nikolla vlereson Veliajn
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vlerësoi punën e kryeashkiakut Veliaj për qytetin e Tiranës dhe për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
“Kam një lëvdatë të madhe gjithashtu në emër të mësuesve dhe të shkollave për Erion Veliajn, për gjithçka ka mundur të sjellë përmes modelit të tij të punëve dhe jo të fjalëve, për mbështetjen që u jep fëmijëve në nevojë, transport cilësor të mësuesit dhe nxënësit, e gjithë Bashkisë së re të Tiranës”, tha Nikolla.
Aktualisht nga 191 shkolla që ka qyteti i Tiranës, 61 prej tyre janë mbi kapacitet dhe 57 shkolla të tjera ku studiojnë 14 200 nxënës që bëjnë mësim me dy turne. Standardet për planifikimin e shkollave të reja kanë marrë parasysh numrin e shkollave në bazë të popullsisë, rrezen e mbulimit si dhe numrin e nxënësve për klasë.