Dr. Shk. Mikado Shakohoxha: Urim në 70 vjetorin e lindjes Shpendi Topollajt, poetit, shkrimtarit, dhe kritikut skënderbegas

763
Me rastin e 70 vjetorit të lindjes tënde, meqenëse ti ke vendosur që të mos organizohet qoftë dhe një ceremoni fare e thjeshtë, po të dërgoj nga larg, urimet më të mira për ty dhe familjen tënde të nderuar. Historia e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbe” është një fill i pashkëputur mësimi, edukimi e formimi atdhetar, kulturor dhe ushtarak. Aty u përvijuan më së miri prirjet, pasionet dhe talentet, morën rrugë profesionet e ardhshme, u krijuan lidhje shoqërore e miqësore të sinqerta e të pandërprera ndër vite. Edhe sot e kësaj dite ne na lidh ajo vatër e ngrohtë dhe na mban të fortë e të rinj, si pjesëtarë të një familjeje të madhe e të pashoqe, çka e bën historinë e saj, një libër me të vërtetë mjaft të bukur e domethënës. 
Kontributet e kësaj shkolle janë kolosale në të gjitha fushat e jetës së vendit. Për vite të tëra, skënderbegasit i dhanë tonin jetës ushtarake: ata u bënë gjeneralë, ministra, komandantë të llojeve të ndryshme të armëve, deputetë, krijues në fushën e letrave, artistë e sportistë me emër, mjekë, inxhinierë, juristë, biznesmenë e çfarë nuk u bënë. 
E një nga përfaqësuesit më dinjitozë të gjithë vlerave që shpalosi kjo shkollë, pa dyshim që je ti Shpendi. Me penën tënde të fuqishme dhe punën e palodhur, ti ke bërë që emri i madh i asaj shkolle, të mos e humbasë asnjëherë shkëlqimin. Kështu ti bën një detyrë atdhetare, pasi skënderbegasit, kanë qenë dhe janë qytetarë të virtytshëm dhe pasuri e paçmuar e këtij vendi që quhet Shqipëri. Ata edhe sot në demokraci e kuptojnë me mençuri kohën e re që ka ardhur, ndaj pa asnjë rezervë mbështetën anëtarësimin në NATO dhe përpjekjet për t`u pranuar në BE. 
Me prejardhje nga një familje ushtarake karriere nga i ati, nga Kolonja, një krahinë që për dekada të tëra dominoi në drejtimin e forcave tona të armatosura dhe nga një familje mjaft e njohur atdhetare vlonjate, nga nëna, ti e ke dashur me gjithë forcat e shpirtit tënd ushtrinë, se doje mbi çdo gjë Atdheun. Duke qenë në radhët e asaj ushtrie për më shumë se tridhjetë vjet, ti për vite të tëra, ke përjetuar në mënyrë aktive zhvillimet brenda saj. Madje, ti ke kontributin e padiskutueshëm në ecurinë e saj, pasi je mjeshtri i një pafundësie stërvitjesh treguese dhe veprimtarish kulturore për gjithë drejtuesit e ushtrisë. Por, pikërisht kjo zgjoi dhe xhelozinë e mediokërve, për të mos thënë injorantëve, të cilët kultura jote i nxirrte zbuluar. Ti kishe karakter të panjollosur dhe burrëror, por ata të sulmuan, duke të shkaktuar mërzitje dhe brenga të vërteta. Natyrisht, që ti ishe njeri me sedër e me ndjenja dhe si i tillë edhe u zhgënjeve dhe u deziluzionove. Duhet ta kesh ndjerë barrën e rëndë të hilesë, poshtërsisë dhe të braktisjes. Por në këtë rrugë denigrimi ku po të detyronin të ecje, pra në këtë rrugë plot pengesa absurde që mund të të çonin edhe në greminë, ti e kuptoje se ishe i pastër si qelibari dhe para vendit tënd e shokëve, nuk kishe përse ta ulje kokën. I vetmi faj i yti, ishte se ti ishe në mendime, në kulturë dhe në përkushtim, para të tjerëve dhe këtë e vërtetoi koha. Shpirti yt i trazuar qetësohej vetëm kur sillje ndër mend, dashurinë e respektin që kishin për ty vartësi e shokët dhe në këtë mjedis të ngatërruar, në fshatrat ku punove, mbete qytetar i rrallë, në një kohë që ata që të luftonin, edhe pse ishin në qytet, mendoni si në kullat mesjetare të malësisë. 
Tani ti je një poet, shkrimtar, publicist dhe kritik letrar i dëgjuar në mbarë Shqipërinë e jashtë saj. Çfarë paradoksi: U bëre më prodhimtari dhe më i suksesshmi, ti që nuk të lejohej jo të shkruaje, por as të të dilte emri gjëkund. Të lumtë! Unë e kam ndjekur me shumë kënaqësi të gjithë krijimtarinë tënde dhe kam konstatuar se gjithmonë, sikur ke dashur të dëshmosh një realitet të cilin nuk e shohin dhe nuk e çmojnë të gjithë, paçka se është i pranishëm dhe i qartë si drita e diellit në jetën tonë të përditshme: se oficeri shqiptar s`është një njeri që di të përdorë vetëm pushkën, por po me atë virtuozitet, di të bëjë të këndojë edhe penën. Dhe e gjithë kjo, siç pohon ti vetë, i dedikohet shkollës tonë “Skënderbej” dhe mësuesve të dashur që gjetëm atje dhe që përherë do t`u mbesim mirënjohës. Po ashtu me veprën tënde, ke treguar se oficeri shqiptar nuk e ka horizontin të ngushtë sa frëngjia, siç thotë ndonjë dashakeqës që edhe kur kërkon ndonjë metaforë përdor ligësinë, por sa hapësira qiellore që kanë mbi krye dhe që e kanë mbrojtur mes sakrificave dhe privacioneve të panumërta, për të mos thënë dhe heroike.
Në çdo rresht, paragraf, strofë, faqe apo libra të tërë të shkruara prej teje me aq pasion e vërtetësi rigoroze, gjen filozofi, art, histori, ndjenjë, folklor, pra kulturë, shumë kulturë, për ngjarje e figura të shquara, për njerëz të thjeshtë, të persekutuar të virtytshëm, por dhe individë që kanë bërë gjynahe dhe s`ndjejë pendesë për plagët që u kanë hapur vëllezërve të tyre, pra njerëz të molepsur nga veset e këqija dhe kështu këta të gjithë së bashku përbëjnë galerinë aq të pasur të krijimtarisë tënde. Shumë prej librave të tu, sidomos ato në prozë, pra romanet, novelat e tregimet, janë bazuar në ngjarje të vërteta dhe të zhveshura nga mllefet e paragjykimet. Për Shpendin, shqiptarët janë të mirë, punëtorë e besnikë, të drejtë e tolerantë. Ndaj ai ka vetëm një synim; me penën, me fjalën e shembullin e tij t`i bashkojë e t`i pajtojë ata, pavarësisht bindjeve të tyre.
Kudo, me një gjuhë të pastër e të kursyer dhe plot metafora të goditura dhe me shumë ëmbëlsi, ti të fut në botën e emocioneve. Dhe nëse diku “tjerr” histori, këtë nuk e bën as për nostalgji e as për të shuar kureshtjen, por për të përshkruar sa më bindshëm hollësitë e jetëve të dhimbshme, të bojatisura me furçën e luftës së klasave që nuk e fshihnin dot denigrimin e poshtërimin e njerëzve të pafaj. Megjithatë, ti ngele gjithmonë vetvetja, duke fituar ç`do betejë dhe nuk bëre asnjë kompromis që jeta djallëzisht ta ofroi. Në librat e pafund, dhe në artikujt e tu, ti nuk je nisur as për të konkurruar e as për sfiduar ndokënd; vetë ti mbi asnjë nuk ke hedhur dafina të pamerituara dhe sidomos, as grimca balte mbi figura të ndryshme që kanë luajtur atë rol që u ngarkoi koha.
Mesa duket, barra e rëndë për të dhënë saktësisht e me dashamirësi kontributet e shkollës “Skënderbej” që jo nga të gjithë dihen, të ka rënë ty o njeri i thjeshtë e i virtytshëm, i palodhur e plot kualitete, o shkrimtari skënderbegas me aq vepra me vlera civilizuese, të trashëguara e të kultivuara, o themeluesi dhe drejtuesi i shoqatës tonë. Këto opinione për ty, nuk janë lëvdata boshe, as propozim për dekorim e as për gradim jashtë radhe, por një vlerësim më se i merituar. Ti i dashur Shpend, je nga të rrallët e brezit tonë që ke kontribuar më shumë dhe je krekosur më pak edhe pse nga të dy krahët të takon. Ti e njeh më mirë se kushdo sensin e masës, hapësirat e lejuara të të vepruarit, pa cenuar njeri. Ajo, për të cilën duhet të jesh i sigurt është se ti ende ke shumë për të bërë, për të thënë e për të shkruar, në shumë fusha e gjini. Jeta e vështirë, formimi yt intelektual nga të rrallët, dashuria për Shqipërinë dhe njerëzit, do të bëjnë që shpërthimi yt i papërmbajtur të mos reshtë. Ti o vëlla, je një yll që kudo që ta vendosësh, nuk ka nevojë të ndriçohet nga të tjerët, je ai që po të shkrihesh për të tjerët, dhe vetëm kështu ti që nuk ke sfiduar askënd, do të fitosh mbi çdo sfidë.
Tiranë 14.02.2017
Sigal