ISP: Aplikacioni “Aktivisti”  presion politik, shkelje e ligjit dhe cënim i të drejtave

135
Sigal

 

Përmes një deklarate zyrtare,  Instituti i Studimeve Politike (ISP) njofton se ka marrë informacione të shumta nga zyrtarë e punonjës të administratës publike dhe sektorëve të tjerë publikë, të cilët janë detyruar nga strukturat eprore për të shkarkuar dhe për të përdorur aplikacionin “Aktivist”, i krijuar dhe i menaxhuar nga subjekti politik, Partia Socialiste.

Punonjësit detyrohen të shikojnë, pëlqejnë dhe shpërndajnë njoftime politike ,që lidhen me aktivitetin politik të kësaj partie. ISP sqaron se ky angazhim vlerësohet përmes një sistemi pikëzimi, i cili në rrugë të paligjshme përdoret si tregues i suksesit dhe matës i cilësisë së punës së tyre profesionale.

Ligji mbi nëpunësit civil dhe Kodi i Punës nuk kanë kritere politike në listën e kritereve vlerësuese të performancës, karrierës dhe të ruajtjes së marrëdhënieve të punës. ”Përdorimi i një aplikacioni online, pronë e një partie, për të krijuar një sistem paralel monitorimi dhe vlerësimi përbën shkelje të ligjit, praktikë abuzive dhe cënim i dukshëm i lirive dhe të drejtave qytetare”,- thuhet në njoftimin e ISP.

ISP shpreh keqardhjen që institucionet dhe forcat politike përgjegjëse nuk kanë nxjerrë mësime me skandalin e “patronazhistëve” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, dhe se një model i njëjtë online po instalohet si praktikë dhe sistem, duke u imponuar si normalitet në sjelljen politike të partive në raport me shtetin dhe qytetarët.

ISP apelon Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Avokatin e Popullit, KQZ, si dhe institucionet e tjera, që veprojnë në fushën e të dhënave personale, komunikimeve elektronike, të drejtat e nëpunësve dhe të zgjedhjeve në RSH, të ndërhyjnë për të garantuar parimet kushtetuese dhe marrjen e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

ISP gjithashtu apelon SPAK dhe Prokurorin e Përgjithshëm të ndërmarrin hetime lidhur me rastin, për të jetësuar me akte konkrete premtimin e tyre dhe të reformës “të gjithë të barabartë përpara drejtësisë” dhe “fund pandëshkueshmërisë”.