ISHP thirrje qytetarëve: Mos qëndroni në grumbull as në oborret e shtëpive!

121

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se ditën e sotme dhe të nesërmen, vranësirat do të zhvendosen dhe do zëvendësohen me rrezet e diellit dhe motin e ngrohtë.

Me shtrëngimin e masave për lirinë e lëvizjes, qytetarëve u mbetet vetëm një orë e gjysmë në ditë që të dalin dhe të kryejnë obligimet e tyre. Pjesa më e madhe, natyrisht ata që jetojnë në shtëpi, do ta kalojnë në oborre duke shijuar rrezet pranverore.

Mirëpo, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive.

“Edhe kur dilni në orët e përcaktuara të lëvizjes, ju lutemi të respektoni masat e distancimit fizik dhe të mos qëndroni në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive tuaja apo para hapësirave tregtare dhe sporteleve, që të mos rrezikoni veten dhe familjet tuaja”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Kujtojmë se numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 387, 66 persona janë shëruar gjersa 9 kanë vdekur. IKSHPK ende nuk ka bërë të ditur për rezultatet e testimeve që janë bërë sot.