Integriteti, “Thembra e Akilit” në auditim

741
“Forca e një kombi buron nga integriteti i shtëpisë”, për analogji këtë thënie të Konfucit mund ta përshtasim “Forca e një organizate buron nga integriteti i individit”.
Për të pasur rezultatet e dëshiruara dhe për të arritur objektivat, një organizatë duhet të zotërojë staf të mjaftueshëm dhe të kualifikuar. Megjithatë në ditët e sotme një rëndësi tejet të veçantë ka marrë përveç profesionalizmit dhe integriteti personal, i cili drejtpërsëdrejti ndikon në integritetin në punë. Për të kuptuar lidhjen mes integritetit personal dhe integritetit në punë po japim disa tregues:

Integriteti i personal:
 Mbani premtimet tuaja edhe nëse kërkon përpjekje shtesë.
 Kthehuni në një dyqan dhe paguani për diçka që keni harruar për të paguar.
 Asnjëherë mos tradhtoni besimin e një miku, edhe nëse keni probleme.
 Mos shpifni ose mos flisni keq për dikë.
 Të jeni të vlefshëm për miqtë tuaj.
 Ktheni paratë që keni vërejtur se dikujt i kanë rënë, pa pritur shpërblim.
 Mos lejoni që dikush tjetër të marrë fajin për diçka që keni bërë ju.
 Nëse dikush ju jep informacion konfidencial, mos i tregoni askujt atë që dini, etj.
Integriteti në vendin e punës:
 Zbatoni politikat dhe procedurat e kompanisë;
 Tregoni respekt ndaj bashkëpunëtorëve me biseda të përshtatshme dhe ndjeshmëri;
 Nëse jeni pjesë e menaxhimit, mbani punonjësit tuaj të informuar; 
 Mos përdorni materiale pune për përdorim personal.
 Nëse bën një gabim dhe puna e ekipit dështon, mbajeni vetë përgjegjësinë; 
 Punoni së bashku si një ekip. Kjo ndërton besimin dhe tregon integritetin.
 Nëse e gjeni veten në një konflikt interesi, dilni sa më shpejt që të jetë e mundur.
 Mos pranoni lëvdata dhe brohoritje për punën që ka kryer dikush tjetër. 
 Nëse ju kërkojnë të bëni diçka kundër kodit tuaj të mirësjelljes, refuzoni, etj. 
Cilësitë e mësipërme individuale dhe ato që duhet të kemi gjatë aktivitetit tonë në punë janë të ndërthurura me njëra tjetrën, aq më tepër këto reflektohen në punën audituese e cila kërkon integritet të lartë në punë, për shkak të specifikave që mbart. Jo më kot në literaturën dhe standardet e auditimit, një auditues duhet të plotësojë një sërë cilësish dhe parimesh që të jetë i denjë për këtë titull. KLSH në këtë drejtim po ecën në një hap me organizatat ndërkombëtare si INTOSAI, IDI, SAI-et homologe. KLSH ka promovuar këtë objektiv edhe nëpërmjet botimeve të ndryshme si “Kodi etikës” ISSAI 30, “Forcimi i infrastrukturës etike në SAI dhe auditimi i etikës në sektorin publik”, “IntoSAINT, Manuali i Vetëvlerësimit të Integritetit për Institucionet Supreme të Auditimit”, “Mbështetje SAI-ve për rritjen e infrastrukturës etike”, si dhe jo më pak e rëndësishme pjesëmarrja e KLSH si anëtare e Task Force e EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën” që prej qershorit të vitit 2013, etj. KLSH, ka përcaktuar “Standardet me rëndësi etike të auditimit”, të cilat janë në lidhje të drejtë me përgjegjësitë e audituesit dhe nevojën për integritet të duhur personal në ushtrimin e detyrës së tyre, me qëllim që të udhëhiqen nga interesat publike dhe të mos kenë konflikte interesi; të mos shfrytëzojnë shërbimin dhe besimin publik ndaj tyre, për të pasur përfitime personale; të kenë kuptim të drejtë për standardet e kontrollit; në zbatim të këtyre standardeve duhet të kenë gjykim profesional lidhur me përcaktimin e fushës dhe metodologjisë së punës kontrolluese, për testet e procedurat që zbatojnë, si dhe për hartimin e raportimin e rezultateve; në tërë veprimtarinë e tyre kontrolluese, duhet të mbështeten në dispozitat ligjore, në udhëzuesit metodologjikë, rregulloret, etj., duke u bërë pjesë e motos “KLSH që udhëheq me shembull” – ISSAI 12. Por si ndikon integriteti personal dhe ai në punë gjatë etapave të auditimit: Integriteti në auditim përfshin disa aspekte dhe secili prej tyre, është po aq i rëndësishëm sa një tjetër. Kur integriteti ekziston në të gjitha fazat e procesit të auditimit, rezultati është një auditim që tregon saktësinë, plotësinë dhe ndershmërinë. Të gjitha këto janë përbërës kyç për të pasur integritet në procesin e auditimit. Integriteti ka rëndësinë e tij në të gjitha fazat, në fazën e vendimmarrjes-planifikimit, përgatitjes, fazën e kryerjes, raportimin, etj. Të gjitha këto aktivitete janë të rëndësishme dhe secili duhet të zhvillohet me integritet. 

Vendimi për auditim. Integriteti, në vendimin për auditim është kritik. Ky vendim duhet të bazohet në një vlerësim të saktë, të plotë duke analizuar të gjitha faktet rrethanat. Për këtë arsye KLSH, referuar edhe standardeve të auditimit, fazës së planifikimit dhe vendimmarrjes mbi subjektet që do të auditohen i kushton një rëndësi të veçantë. Planifikimi i auditimeve dhe marrja e vendimit se cilat organizata publike do të auditohen gjatë një viti kalendarik, kalojnë nëpërmjet një procesi të gjatë shqyrtimi, i cili fillon që me Planin strategjik, ku përcaktohen shtyllat kryesore dhe vizioni institucional, vijon me planin vjetor, mujor, etj. Ky proces kaq i rëndësishëm përshkruhet nga mbledhja e të dhënave, dhe kryerja e analizave bazuar në rrisk me qëllim identifikimin e atyre subjekteve dhe tematikave të cilat kanë impakt të lartë në fondet buxhetore që menaxhojnë, ndjeshmëri të lartë publike, e gjitha kjo me qëllim maksimizimin e efektivitetit dhe eficencës së punës audituese. Një analizë e kryer nga persona me integritet padyshim që jep rezultatet e pritshme. Nëse një auditim planifikohet thjesht, me mungesë profesionalizmi dhe përgjegjshmërie, pa kaluar në një proces analize për sa i përket rëndësisë së subjektit, fondeve buxhetore që menaxhohen, funksioneve publike që kryen organizata që auditohet, impaktit që përçon në jetën sociale, atëherë integriteti i auditimit mund të vihet në pikëpyetje. Procesi i përgatitjes së një auditimi gjithashtu, ka një peshë të padiskutueshme në suksesin e një auditimi. Vendimi i parë kyç, është të vendoset se, ku do të fokusohet auditimi, proces i cili duhet të kalojë nëpërmjet një analize risku. Duhet të vlerësohen drejtimet e auditimit, koha e kërkuar për t’i shqyrtuar dhe analizuar, si dhe për të vendosur se sa auditorë kërkohen. Nëse ekziston një numër i pamjaftueshëm i auditorëve në dispozicion për të kryer një shqyrtim të besueshëm, rezultatet mund të vihen në pyetje. Një vendim tjetër i rëndësishëm është sigurimi se anëtarët e ekipit kanë kualifikimet e nevojshme për të audituar kundrejt kërkesës. 

Puna në terren: Integriteti në dy fazat e mësipërme ka një vlerë të shtuar në integritetin gjatë fazës së punës së audituesve në terren. Integriteti në dy fazat e para, i pasuar nga një përgjegjshmëri dhe integritet gjatë punës në terren jep siguri të arsyeshme për një përfundim të suksesshëm të auditimit, bazuar në faktet e shqyrtuara. Përgjithësisht një auditues i kualifikuar dhe profesional ka treguar se mund të kryejë një auditim kundrejt kërkesave dhe të verifikojë pajtueshmërinë ose mospërputhjen, të grumbullojë një evidencë të mjaftueshme, të saktë dhe të besueshme. Pikërisht plotësimi i këtyre standardeve të auditimit kërkon integritet të lartë në punë, që është produkt i integritetit personal ndërthurur me nivelin arsimor, kualifikimet e vazhdueshme, përvojën e punës etj. Nxjerrja e konkluzioneve. Jo më pak i rëndësishëm është integriteti edhe në këtë fazë. Përgjegjësia e një audituesi është të shqyrtojë, të vlerësojë të nxjerrë konkluzione dhe të marrë vendime bazuar në faktet. Nëse një auditues e bën këtë, rezultatet e auditimit kanë më shumë gjasa të kenë integritet. Shqyrtimi i evdidencës së mbledhur, dokumentacionit të nevojshëm, përfshirja e informacione dhe observacioneve, rishikimi dhe kryerja e analizave të thella e të detajuara janë domosdoshmëri për kryerjen me integritet të kësaj faze. Pa këtë lloj informacioni, rezultatet dhe raporti mund të vihen në pyetje në të ardhmen. Një gjetje pa dokumentacion nuk do të jetë e vlefshme. Gjatë gjithë fazave të auditimit kërkohet integritet, i cili nuk mund të sigurohet ndryshe përveç rekrutimit të një stafi me integritet personal, motivimit të stafit, promovimit të tyre sipas meritave dhe vlerave, me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë dhe besnikërisë së tyre ndaj organizatës. Nuk mund të ketë organizatë me integritet, pa staf me integritet. Arritja e kësaj, kërkon një mirëmenaxhim të burimeve njerëzore, studim të sjelljes së individëve në organizatë, shfrytëzimin e aftësive të tyre në të mirë të organizatës, shfrytëzimin e ndikimit të tyre ndaj grupit dhe ndaj organizatës. Si çdo marrëdhënie tjetër edhe marrëdhënia individ-organizatë është një marrëdhënie dypalëshe. Nisur nga kjo edhe vetë organizatat duhet të jenë shpërblyese ndaj stafit, nëpërmjet sigurimit të pagave optimale, kushteve në punë, rritjes së kënaqësisë në punë, motivimit, etj., si elementë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e integritetit dhe përgjegjshmërisë së individit ndaj organizatës.

Brunilda Zeneli

Audituese e Lartë në KLSH
Sigal