Dyshohet se dhunoi dhe plagosi komshiun në Kavajë, arrestohet 45-vjeçari

339
Sigal

Është vënë në pranga Rizan Aliu, autori i dyshuar i dhunimit dhe plagosjes së komshiut të tij Besnik Çelmetës në Kavajë.

Policia ka publikuar tashmë edhe momente nga arrestimi i Aliut.

45-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Video e momentit kur Aliu godet me thikë duke e masakruar Besnik Çelmetën bëri xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa familja e të plagosurit akuzoi policinë se e mbrojti autorin e ngjarjes. Rizan Aliu u arrestua të hënën mbrëma.

Si nisi sherri?

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 shtatorit në lokalin e Aliut. Familja Çelmeta rrëfeu se shkak ishin bërë jashtëqitjet e qenit të Rizan Aliut dhe fakti që derdhte ujërat në dritaren e familjes së të plagosurit.

Pas disa debateve në distancë, Çelmeta i shkoi në lokalin e tij Aliut duke i kërkuar që të hiqte dorë nga veprimet që sollën përplasjen e fqinjve. Por sikur duket në video Rizan Aliu e qëlloi pa mëshirë duke e masakruar me thikë në cepin e lokalit, ndërsa më pas u largua i qetë.

Pas tre ditëve në spital, Besnik Çelmeta u largua për në shtëpi, ndërsa vëllai dhe djali i të plagosurit hodhën akuza në drejtim të stafit shëndetësor se e nxorën me plagë të lehta për të lehtësuar pozitën e autorit.

Djali i Besnik Çelmetës u shpreh se nëse shteti nuk do të reagonte për ta arrestuar do të merrte vetë hak.

Njoftimi i policisë:

Kavajë

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 16.09.2020, në një lokal, ku mbetën të dëmtuar me mjet prerës (thikë) dy shtetas.

Ndalohet 45-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, menjëherë pas njoftimit se në Kavajë, në ambientet e një lokali po konfliktoheshin disa shtetas dhe për pasojë dy prej tyre ishin plagosur me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen a autorit.

Si rezultat e një pune të pandërprerë për kapjen e tij, nga shërbimet e Policisë Kavajë u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. A., 45 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas, më datë 16.09.2020, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës thikë shtetasin B. Ç. dhe pronarin e lokalit shtetasin M. A., i cili ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.