Inskenoi vrasjen e tij, shpallet në kërkim Davide Pecorelli! Prokuroria e Pukës lëshon urdhër-arresti ndaj italianit

230
Sigal

Prokuroria e Pukës ka lëshuar urdhër-arrest për shtetasin italian Davide Pecorelli, rreth një vit pas inskenoi vrasjen e tij dhe djegien e automjetit tip “Skoda”. Ngjarja u regjistrua më 6 janar të vitit 2021, në fshatin Gjegjan të Pukës.

Kërkesa për shpalljen në kërkim të tij është miratuar edhe nga Gjykata, me argumentin se italiani Pecorelli ka konsumuar 4 vepra penale. Për ekzekutimin e masës “Arrest në burg” të vendosur në mungesë për Pecorellin, është kërkuar ndihma e autoriteteve italiane.

Për këtë arsye, organi i hetimit ka dërguar një letër-porosi me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e italianit, i cili në janar 2021 u raportua në Shqipëri si i vdekur, por 9 muaj më vonë, në 18 shtator 2021 u gjet i gjallë në ishullin Elba në Toskana. Hetimet po zhvillohen për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, “Kallëzimit të rremë”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit Shqiptar” dhe “Ushtrimi i veprimtarisë tregtare pa licencë”.

Së bashku me italianin, të pandehur janë marrë dhe dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, emra e të cilëve ende nuk bëhen publike nga prokuroria. Për dy shtetasit shqiptarë që janë vënë nën akuzë si bashkëpunëtorë të Pecorelit, ende nuk është marrë një vendim arresti, por ata ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Davide Pecorelli, ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë, më datë 3 janar 2021 nga aeroporti “Fiumicino” i Romës. Ai ka mbërritur në Shqipëri për biznesin e produkteve kozmetike që kishte në pronësi, ku ka qëndruar një ditë në Vlorë dhe më pas është kthyer në Rinas. Pikërisht në këtë zonë ka marrë me qira një automjet tip “Skoda”, duke udhëtuar në drejtim të Pukës.

Në këtë qytet ka qëndruar në hotel dhe teksa është larguar, makina e tij është gjendur tërësisht e djegur në datën 6 janar 2021. Që prej kësaj date, e deri në 18 shtator 2021, për 9 muaj me radhë policia dhe prokuroritë e dy shteteve Itali dhe Shqipëri, nuk kishin asnjë gjurmë të Pecorellit.

Dyshimi paraprak i hetuesve, se Pecorelli mund të ishte vrarë, u krijua për shkak se në makinën e djegur u gjendën disa eshtra kockore, që pas kryerjes së analizave rezultuan se i përkisnin një qeni.