Buxhet që përligj shkatërrimin e pyjeve
(Reagim lidhur me Projekt/buxhetin e vitit 2022)
Shkak për këtë shkrim është bërë projekt buxheti i vitit 2022, ku sasia e fondeve për ruajtjen dhe mbarështrimin e pyjeve të Shqipërisë është e ulët dhe e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat minimale të këtij sektori.
Kujtoj faktin që gjatë periudhës së diktaturës komuniste, buxheti dhe projekt buxheti ishin një rutinë, që merrte rëndësi vetëm në kapërcyellët e pesëvjeçarëve të partisë-shtet. Ndërsa në këtë prag të vitit 2022, projekt buxheti përkon me mandatin e tretë të qeverisjes së PS, me 100% të institucioneve dhe pushteteve në dorën e saj, e që nuk po sjell asgjë të re në drejtim të trajtimit shkencor të pyjeve. Në realitet prisja diçka ndryshe, sepse mendova që pasuria e madhe e Shqiptarëve, sikurse janë pyjet, kullotat, flora, fauna, prodhimet e dyta të pyjeve, ujërat e brendshme, bimët mjekësore, tanifere e eterovajore si dhe biodiversiteti, pas zjarreve të mëdha të këtij viti, do të bëheshin më të vlerësuara, e do të vendoseshin më në në qëndër të vëmëndjes dhe financimeve për ndërhyrje, ripërtëritje dhe mbrojtje nga abuzuesit dhe ndërhyrjet e paligjshme.
Për fatin e keq të çdo banori të Shqipërisë, pyjet e Shqipërisë u mënjanuan dhe u lanë përsëri në harresë e në mëshirë të kaosit dhe të abuzivizmit.
Ata që grabitën dhe shkatërruan pyjet, na kanë grabitur e shkatrruar jetën. Kryeministri aktual duhet të kuptojë faktin që do të ketë përsëri pandemi, tërmete etj, ndërsa do të mund të mbetet gjatë në kujtesën tonë e të popullit shqiptar nëse do të ndërhynte sa më parë për ta ndaluar me ligje europiane shkatërrimin e mëtejshëm të pyjeve dhe ekosistemeve tona natyrore nga korrupsioni, injoranca dhe krimi ekonomik e mjedisor.
Pavarësisht se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është përgjegjëse për menaxhimin e kësaj pasurie të madhe kombëtare, ministri i mandatit të tretë të PS, nuk e zuri fare në gojë as emrin e departamentit të pyjeve dhe as Agjensinë Shtetërore të Pyjeve, ndërsa kullotat duket që janë harruar fare si tokë e si pasuri. Nuk marr përsipër të bëj analizën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, por duhet të bëj me dije Ministren, se për 30 vjetët e fundit (1991-2021), dëmet në pyje janë të jashtëzakonshme. Unë nuk besoj së qeveria nuk e di se çfarë kanë bërë keq në menaxhimin e pyjeve, ndërsa për publikun dhe qeverinë e mandatit të tretë, po sjell ndërmend problemet dhe të dhënat e mëposhtme:
Kaos i shkaktuar nga eksperimentet administrative dhe institucionale:
Në shtator të vitit 2005, sektori i pyjeve kaloi në vartësi të Ministrisë së Mjedisit dhe në janar të vitit 2006 është shkrirë DPSHP, si institucion i pavarur. Më vonë, në periudhën 2007-2014, sektorët që mbulonin pyjet në ministri, u ristrukturuan disa herë, duke u shoqëruar me uljen e vazhdueshme të peshës së tyre institucionale dhe me zvogëlimin e numrit të specialistëve dhe punonjësve të pyjeve. Pamvarësisht se në të gjitha ligjet e miratuara që nga vitin 1923, kur doli ligji i parë për pyjet e në vazhdim, ligjvënësi është kujdesur për saktësimin me ligj se si dhe kush mund të jetë specialist dhe punojës i pyjeve. Dua t’ju tërheq vëmëndjen Znj. Ministre, se në administratën aktuale të pyjeve, mbi 70% e punonjësve nuk janë specialistë pyjesh. Në këtë mënyrë, fatet dhe punët e pyjeve nuk janë më në dorën e meritokracisë, përkundrazi janë në shërbim të militantizmit politik dhe shpërdorimit të kësaj pasurie të rëndësishme kombëtare.
Duket që situata e problemeve u vështirësua edhe më shumë pas decentralizimit të administrimit të fondit pyjor, si pjesë e reformës administrative të vitit 2014. Sipërfaqja e fondit pyjor përgjithësisht paraqitet e njëjtë, ndërsa volumi ka pësuar rënie shqetësuese, nga ku evidentojmë se vetëm për periudhën 2006-2017, rënia është rreth 32 %, e ku aktualisht kemi 55 milionë m3 më pak. Kjo tregon që në letra e dosje kemi sipërfaqe të fondit pyjor në dispozicion, ndërsa nuk kemi pyje, dmth ngopemi me lugën bosh.
Dëme të mëdha nga mungesa e zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve:
Duke ju referuar të dhënave statistikore, na rezulton se fondi ynë pyjor gjendet nën presionin e 182 subjekteve që e shfrytëzojnë atë, duke përpunuar e tregëtuar material të shumtë drusorë. Kjo ndodh në një moment kur vazhdon që të jetë në fuqi moratoriumi për ndalimin e prerjeve. Në realitet ligjet nuk zbatohen, duke mos respektuar asnjë parametër teknik të trajtimit të pyjeve për prerje suksesive ripërtëritëse. Akoma nuk është bërë azhornimi i projektit tekniko-ekonomik të shfrytëzimit, çka ka ndikuar që në ngastrat dhe parcelat pyjore, objekti i prerjeve të fazës së parë, e projektuar për ndërhyrje me 40 % të numrit të drurëve, të priten mbi 55 % e tyre. Ky veprim ka bërë që të prishen raportet biologjike të grumbullit pyjor, në mënyrë të tillë që të mos evidentohet dot e kurrë sasia e materialit të marrë nga subjektet, të cilët shfrytëzojnë pyjet në mënyrë barbare. Sipas të dhënave, vetëm në vitin 2018, vetëm nga 10 kompani shfrytëzimi, kontrata është tejkaluar me mbi 11 350 m3 material drusorë, e që është një dëm shumë i madh për ekosistemet tona pyjore e bujqësore. Në këtë kontekst dhe bazuar vetëm në rezultatet konkrete të punës së këtyre 20 viteve të fundit, bëj me dije Znj/ Ministre që nuk ka punuar as edhe një ditë për mbrojtjen dhe menaxhimin e mirë të pyjeve, përkundrazi ka abuzuar aq shumë, abuzim që buron, ose nga padija, ose nga grykësia, ose nga hajnia dhe korrupsioni. Ka një mungesë totale të planeve të mbarështimit të pyjeve që administrojnë Bashkitë dhe ish komunat apo njësitë administrative. Sjell ndërmend faktin që pyjet e Evropës, në rreth 90% të sipërfaqes së tyre trajtohen me plane konkrete të mbarështimit të tyre, pyjet e Kosovës në rreth 20%, kurse për ekonominë tonë pyjore mund te thuhet se kjo shifër vazhdon që të jetë më pak se 10-11 %.
Për këtë arsye, do t’i lutesha Znj. Ministre, që nisur nga gjëndja aktuale e punës studimore dhe hartimit të planeve të mbarështimit të pyjeve, të ndërhynte me anë të buxhetit të vitit 2022, duke planifikuar fonde të mjaftueshme për ASHP dhe bashkitë, për hartimin e menjëhershëm të planeve shkencore të mbarshtimit të pyjeve për përiudhën 2022-2023. Kujtoj faktin që sipas të dhënave të censusit, nevojat për dru zjarri janë afërsisht mbi 1 800 000 m3.
Sipas një vlerësimi të agjensive të huaja dhe të vendit, përgjatë periudhës 1990-2017, Shqipëria ka humbur mbi 339 000 ha sipërfaqe pyjore, me një dëm ekonomik prej 464 309 000 euro. Vërehet që ka humbje të konsiderueshme të fondit pyjor nga shfrytëzimet e pakontrolluara, nga prerjet abuzive dhe nga përdorimi abuziv i këtij fondi dhe atij kullosor për veprimtari ekonomike që janë në shkelje të ligjeve që mbrojnë pyjet, kullotat dhe bimët mjekësore. Pavarësisht nga mungesa e informacionit të vazhdueshëm për publikun, nga strukturat aktuale të IP, janë evidentuar mbi 2000 subjekte ekonomike që përfitojne duke shkatërruar e tjetërsuar pa kriter sipërfaqet e pyjeve dhe kullotave. Nga veprimtaria abuzive e deri kriminale e këtyre subjekteve, është shkaktuar një dëm ekonomik prej 731 792 307 euro, një dëm që nuk ka përgjegjës tjetër përveç atyre, që kanë projektuar e shkatërruar administratën, ligjet dhe institucionet kombëtare, rajonale dhe lokale të pyjeve .
Pavarësisht nga situata dhe dëmet e shkaktuara, kurrë nuk është vonë për të ndërhyrë e për të stopuar degradimin e mëtejshëm të pyjeve të Shqipërisë. Për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e pyjeve, mendoj se në qëndër të vëmendjes së Kryeministrit Z Edi Rama në mandatin e tretë, duhet të jetë ai i fillimit të një pune serioze për mbrojtjen dhe ringritjen e pasurisë pyjore në nivelet dhe standartet e vendeve të rajonit dhe vendeve të Bashkimit Europian. Ndërhyrja duhet të ketë në fokus zgjidhjet racionale në lidhje me bazën ligjore, administrative dhe institucionale të pyjeve. Unë do të sugjeroja që ndërhyrjet, zgjidhjet urgjente duhet të bëhen duke filluar nga:
Së pari, duke e riorganizuar (sipas detyrave të ligjit 57/2020 datë 30.04. 2020 “Për Pyjet në Republikën e Shqipërisë “neni 18) Agjensinë e Pyjeve të Shqipërisë, si arritjen më të madhe të realizuar në reformën e tretë të menaxhimit të pasurisë pyjore.
Se dyti, një ndër shkaktarët potencialë të dëmtimit të pyjeve është shkatërrimi i administratës pyjore nga krimi ekonomik. Prandaj duhet të ndryshojë sa më parë varësia administrative e fondit pyjor, kullosor, florës, faunës, bimëve mjekësore eterovajore e tanifere si dhe e biodiversitetit, nga Ministria e Turizmit në Ministrinë e Bujqësisë. Kjo kërkesë është e bazuar së pari në marrëdhënien që natyra ju ka krijuar pyjeve me kulturat bujqësore e frutore. Duhet të ringrihet sa më parë administrata e pyjeve duke zbatuar detyrat e ligjit 57/2020 datë 30.04. 2020, “Për pyjet” me të gjitha privilegjet që ofron. E thënë ndryshe, duhet të dërgohen PROFESIONISTET tek pylli dhe jo ta lemë pyllin në dorën e joprofesionistëve e militantëve politikë, siç është vepruar deri tani.
Moszbatimi i ligjeve dhe përdorimi i pyjeve për interesa politike, na solli në këtë situatë ku pyjet thirren apo konsiderohen si një i sëmurë në “koma’ që duhet shpëtuar sa më parë. Dëmet e bëra janë kolosale, por ajo që është trishtuese, është mosndëshkueshmëria dhe vënia para përgjegjësisë e shkaktarëve të hajnisë, korrupsionit dhe shkatërrimit në pyje. Po të ekzistojë vullneti politik, mjafton edhe një javë e vetme për të stopuar shkatërrimin e mëtejshëm të pyjeve e për të vendosur para përgjegjësisë dhe organeve ligjzbatuese të gjithë ata që ja dorëzuan hajdutëve dhe krimit ekonomik pasurinë pyjore të Shqipërisë.
Pylli është jetë, kjo nuk është sllogan.
Ata që grabitën dhe shkatërruan pyjet, na kanë grabitur e shkatrruar jetën. Kryeministri aktual duhet të kuptojë faktin që do të ketë përsëri pandemi, tërmete etj, ndërsa do të mund të mbetet gjatë në kujtesën tonë e të popullit shqiptar nëse do të ndërhynte sa më parë për ta ndaluar me ligje europiane shkatërrimin e mëtejshëm të pyjeve dhe ekosistemeve tona natyrore nga korrupsioni, injoranca dhe krimi ekonomik e mjedisor. Situata është urgjente edhe për faktin që, nëse u deshën 30 vjet për t’i shkatërruar e vjedhur, do të na duhen 60 vite të tjera për t’i rimbjellur, ringritur e për t’i vendosur në shërbim të mirëqënies dhe punësimit të rinisë, që po largohet e pa shpresë dhe e tmerruar nga Shqipëria. Është momenti që të kujtojmë të vërtetën e pakundërshtueshme, sipas të cilës, ose duhet të merremi me pyjet sot, ose duhet të pranojmë shkretëtirizimin e vendit dhe braktisjen e sigurtë të tij.