Ndërron jetë Papa Francesku, lideri revolucionar i Kishës Katolike

49
Sigal

Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare Jorge Mario Bergoglio, Papa Francesku, Papa i 266 i Kishës Katolike dhe i pari Papë i zgjedhur nga kontinenti amerikan dhe i pari Papë që i përkiste urdhrit fetar të Jezuitëve.

Papa Francesku  ndërroo jetë në spitalin Gemelli të Romës, ku ishte shtruar për t’u kuruar prej 14 shkurtit 2025 pas një pneumoniti që e goditi në të dy mushkëritë.

Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papë më 11 mars 2013 nga kolegji i kardinalëve që u mblodh pas dorëheqjes së Papa Ratzinger dhe më 19 mars 2013 nisi zyrtarisht Papatin e tij.

Siç ka deklaruar vetë, zgjodhi emrin Francesku në nderim të figurës së Shën Françeskut të Asisit, njeri i thjeshtë dhe i paqes.

Konsiderohet Papa revolucionar i Kishës Katolike. Reformoi Kurinë Papale, këtë kompleks administrativ të organeve e autoriteteve që drejtojnë Selinë e Shenjtë, nisi reformën e Kodit Penal të Vatikanit, reformën ekonomike, reformën e Bankës së Vatikanit, hoqi dënimin me vdekje nga Katekizmi duke rishikuar ligjin 2267.

Për herë të parë në historinë e Kishës Katolike, Papa Francesku firmosi heqjen e sekretit fetar për rastet e abuzimit seksual dhe pedofilisë tek priftërinjtë, si dhe hapi dyert e kishës për personat e komunitetit LGBT.

Me Papatin e Franceskut nisi revolucioni i Kishës Katolike me një imazh të ri të besimit katolik.

Sfida më e madhe e Papa Franceskut ishte shembja e murit institucional që mbante larg strukturat fetare nga besimtarët e populli.

Reforma e Kurisë Romane, lufta kundër priftërinjve pedofilë, Sinodi i familjes me hapjen e dyerve të kishës dhe pranimin në sakramentet katolike për të ashtuquajturat “familje të lënduara”, të divorcuarit dhe të rimartuarit, dialogu ekumenik me kulmin e arritur në vizitën e tij në Lund të Suedisë me rastin e 500-vjetorit të Reformës Luterane, transparenca e institucioneve të Vatikanit dhe lufta kundër korrupsionit në organet kolegjiale të tyre, dialogu politik me liderët botërorë e diplomatikë mes SHBA dhe Kubës, paqja në Kolumbi mes FARC dhe qeverisë, apeli për paqe në zonat e luftës e terrorizmit, angazhimi për promovimin e politikave në ndihmë të njerëzve në nevojë, të sëmurëve, të varfërve, të vuajturve, ndaj emigrantëve duke i vënë në qendër të preokupimeve botërore e europiane, janë disa nga sukseset e Papatit të Atit të Shenjtë.

Jo pak herë u akuzua nga një krah i kardinalëve dhe konservatorëve të besimit katolik për linjën e tij liberale, por që ai vetë e quante: “Kisha duhet të bashkojë njerëzit dhe jo t’i ndajë”.

Gjatë Papatit të tij u shpall Shënjtërore Madre Teresa dhe u martirizuan 30 klerikë të persekutuar e ekzekutuar nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Për udhëtimin e tij të parë në Europë, Papa Francesku zgjodhi Shqipërinë, të cilën e vizitoi më 21 shtator 2014, ku u shpreh se “është i nderuar të jetojë në tokën e atyre që sakrifikuan jetën për pavarësinë e vendit, në tokën e martirëve që dëshmuan besimin e tyre fetar në kohët e vështira të persekutimit”.

I lindur në lagjen Flores të Buenos Aires, Papa Francesku kishte origjinë italiane nga një familje që nga Piemonte e Liguria kishte emigruar në Argjentinë.

Bëhet prift më 13 dhjetor 1969 dhe më 3 qershor 1997 emërohet Kryepeshkop i Buenos Aires. Më 21 shkurt 2001, Papa Gjon Pali II i jep titullin Kardinal.