Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ashpër lidhur me dështimet e vazhdueshme në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit të zonave rurale, veçanërisht në Përmet, Skrapar dhe Kolonjë. Pasi e “ndriti” me Akademinë e Çobanëve, Kryetari i Organizatës u interesua nga Përmeti për pagën e çobanit në raport me Greqinë. Po Përmetin zgjodhe për këtë “ekstradë”? Pyet INSTAT-in të të tregojë kush e përgjysmoi numrin e bagëtive në Përmet dhe në të gjithë Shqipërinë? Pyete përse kope të tëra janë shitur për një copë bukë dhe ato pak baxho që kanë ngelur më shumë harxhojnë se sa fitojnë? Përgjigjen ta japin përmetarët se janë ata dhe jo ti, rilindas të vërtetë dhe pasardhës të Frashërllinjve: Sepse t’i bëre “Ballkanin e Hapur” për të shkatërruar prodhuesin dhe fermerin vendas për t’ja çuar dëm sakrificat e pafund dhe djersën e derdhur. Sepse rruga Skrapar-Përmet ka ngelur në fshatin Rog që në vitin 2017 dhe do mjaftonte vetëm 1/10 e aferës së tunelit të Llogarasë për të lidhur dy luginat e mrekullueshme të rafting, atë të Osumit dhe Vjosës. Shpopullimi i këtyre trevave ka qenë i vetmi prioriteti i yti dhe jo zhvillimi. Ndërsa atë këngën që porosite në Kolonjë, e dëgjove tamam atje ku u shemb rruga jote si kala rëre para 1 viti dhe ku tërë kolonjarët e panë me sytë e tyre që kishte një tegel asfalt sa një fletë cigareje dhe gjithçka u bë pluhur e hi nga korrupsioni skizofrenik i yt dhe i bandës tënde që të rrethon. Me programin tonë “Made in Albania” nuk do të ketë më pragje artificiale përjashtuese për fermerët, por vetëm mbështetje me pagesa direkte dhe ndihmë konkrete. Fermeri është investitori ynë strategjik që pas 11 Majit do të përfitojë subvencione për çdo kokë bagëti dhe për çdo njësi prodhimi. Përmeti, Skrapari dhe Kolonja do ta japin më 11 Maj përgjigjen e tyre kudo, edhe në Tiranë, edhe në Durrës edhe në Diasporë.