Inceneratorët, ja si u zhdukën 100 miliard lekë për dy vjetë

426
Sigal

Raporti zyrtar i ministrisë së Financave bën të ditur se vetëm për vitet 2018-2019, bossët e inceneratorve kanë marrë paratë nga qeveria, por 80 milion euro të cilat duhej të ishin investuar nga kompania kanë ikur në drejtim të paditur. Alarmi i BE-së dhe  apeli i opzitës që SPAK të hetojë afërën e vjedhjes së parave

Basha thirrje SPAK-ut: Hetoni aferën e inceneratorëve, pyesni Ramën e Ahmetaj
Arben Kraja të dalë dhe të flasë publikisht për aferën e inceneratorëve, i kërkoj sot të bëjë detyrën, të dalë dhe të tregojë në çfarë stadi janë hetimet, prokurorët e ngarkuar, plani, kur do të pyeten Rama, Ahmetaj që brenda një dite morën 17 vendime, kush qëndron pas këtyre inceneratorëve, pse kanë marrë 75 milionë euro, kur Ministria e Financave thotë se nuk është i investuar as 12%, ku kanë shkuar paratë. Cila qeveri në botë bën 17 vendime brenda ditës për një kompani që ka marrë koncesion pa asnjë garë?! Rama i ka dhënë dhjetëra milionë euro të parave të popullit shqiptar një personi që ka një kompani guacë me 3 incerenatorë në Elbasan, Fier, dhe Tiranë. 75 milionë euro nga shteti për kompani pa asnjë punëtor. Çfarë janë këta që në kohë pandemie marrin dhjetëra milion ë euro dhe nuk kanë asnjë punëtor? Edi Rama i ka dhënë dhjetra milionë euro një personi që ka regjstruar tre kompani offshore dhe është pronar i tre incerenatorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Në Tiranë është regjistruar një ditë para se të niste kontrata, nuk ekzistonte dhe është regjistruar pa asnjë përvojë në fushën e administrimit të mbetjeve. Në Fier është regjistruar bashkë me një kompani italiane me përvojë, sa mori tenderin ia bleu kuotat kompanisë italiane për 200 mijë lekë të vjetra. E ka prapë i njëjti person me një zinxhir kompanish të regjistruara në parajsa fiskale. As në Tiranë as në Fier nuk ekziston. Në Elbasan nuk është marrë nga bashkia, sepse nuk plotëson kushtet e kontratës. Çfarë e ka detyruar Edi Ramën të bëjë këtë? Çfarë e lidh Edi Ramën me Mirel dhe Klodiana Mërtirin dhe Klodjan Zoton? Çfarë eksperience kanë në fushën e administrimit të plehrave? Pse i janë dhënë dhjetra milionë euro pa pasur asnjë investim? Pse nuk është ndryshuar kontrata për inceneratorin e Fierit apo Tiranës?

Projektet më të mëdha koncesionare të qeverisë “Rama” duket se janë pas me planin e investimeve, sipas të dhënave të publikuara nga vetë qeveria

Projektet koncesionare të inceneratorëve ngecin te investimet e premtuara

Një raport i Ministrisë së Financave bën të ditur se inceneratori i Tiranës dhe ai i Fierit kanë dështuar të realizojnë investimet e premtuara përgjatë viteve 2018 dhe 2019, në dy projekte që kanë ngritur shqetësim në Bruksel për shkelje të parimeve të Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve.

Disa nga projektet më të mëdha koncesionare të qeverisë “Rama” duket se janë pas me planin e investimeve, sipas të dhënave të publikuara nga vetë qeveria.

Kompania e inceneratorit të Tiranës do të duhej të kishte investuar 11.6 miliardë lekë (93 milionë euro) për periudhën 2018-2019 sipas kontratës koncesionare por ka investuar në realitet afro 1.7 miliardë lekë ose vetëm 14% kontratës.

“…vlera faktike e investimit kapital për vitin 2018 ka qenë vetëm 20 për qind e vlerës së planifikuar në planin e biznesit. Arsyeja që ka çuar në mosrealizim të vlerës së investimit ka qenë koha e gjatë e marrjes së lejes së ndërtimit në KRT për objektet përbërëse të impiantit. Ndërsa vlera e investimit kapital për vitin 2019 ka shënuar 526,2 milionë lekë,” -shkruhet në raportin e Ministrisë së Financave, i cili ka filluar të përgatitet si një formë transparence mbi projektet kontroverse të koncesioneve të ndërmarra nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, të cilat kanë kontrata që do të rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve për tridhjetë vitet e ardhshme dhe që janë dhënë në përgjithësi përmes procedurave prokuruese të debatueshme.

Në total, për të dy vitet 2018 dhe 2019, kompania nuk ka kryer 9.9 miliardë lekë ose 80 milionë euro investime të parashikuara në kontratë. Në vitin 2018 është realizuar 20% e investimeve të planifikuara ndërsa më 2019 është realizuar 8.9% e planit.

Inceneratori i Sharrës është një projekt i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, një kompani e regjistruar në Tiranë si kompani bijë e një kompanie me emrin “Integrated Energy BV”, e regjistruar në Holandë. Pronarët fundorë të kësaj kompanie janë të panjohur. Kompania është e regjistruar në Tiranë me një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh ndërsa të dhënat e bilancit të saj për vitin 2018 tregojnë se ajo ka pasur 1.16 miliardë lekë të ardhura dhe 29.2 milionë lekë fitime neto, me një normë kthimi nga kapitali themeltar 292 herë.

Raporti i Ministrisë së Financave shprehet në mënyrë më pak të qartë sa i përket ecurisë së projektit tjetër të incinerimit, atij të Fierit. Buxheti i shtetit ka paguar për këtë projekt që nga viti 2017 dhe pritet të paguajë deri në vitin 2023 në total 4.5 miliardë lekë (rreth 37 milionë euro) por nuk bëhet e qartë nga raporti se sa për qind e investimeve të planifikuara janë realizuar.

“Autoriteti ka raportuar se janë realizuar 95% e punimeve civile. Problem mbetet instalimi i makinerive dhe pajisjeve elektromekanike si dhe lidhja me sistemin elektroenergjetik. Nga ana e koncesionarit është kërkuar shtyrja e afatit kohor të kontratës, proces i cili është në fazë shqyrtimi,” thuhet në raport.

Qeveria aktuale nisi të ndërtojë incineratorë në vitin 2014 duke shkaktuar shqetësim në Bashkimin Europian për largim të vendit nga procesi i integrimit. Sipas raporteve të Progresit të BE-së, “ndërtimi i incineratorëve të reja përbën shqetësim në termat e pajtimit me acquis të BE-së për mbetjet, përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivat për riciklim”.

Parimi i hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve sanksionon që një vend duhet fillimisht të punojë për të reduktuar prodhimin e mbetjeve, pastaj të punojë për të ricikluar sa më shumë të jetë e mundur nga mbetjet e prodhuara, më tutje të groposë mbetjet e pariciklueshme dhe në fund, pasi të jenë ezauruar këto, të shikojë mundësinë për incinerim të mbetjeve.