I shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, arrestohet 26-vjeçari

68
Sigal

Është arrestuar 26-vjeçari i cili dyshohet se plagosi me armë zjarri të riun Arni Sulejmani në një dhomë hoteli në autostradën Tiranë-Durrës, ngjarje e cila ndodhi më 9 dhjetor 2021.

Në pranga është vendosur shtetasi Markeljan Beqiri, banues në Durrës.

Sipas policisë, ai është ndaluar në zonën e Linzës në kryeqytet teksa lëvizte me automjet.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Linza”. Operacioni nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Durrës. Kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari nga Durrësi, i shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.

26-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”. Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike dhe të atyre të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një person të shpallur në kërkim për krime kundër personit, që qarkullonte me automjet në segmentin rrugor Linzë-Surrel, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Linza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: Markeljan Beqiri, 26 vjeç, banues lagjen nr.17/1, Durrës.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas dyshohet se më datë 09.12.2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. S., i cili mbeti i plagosur. Menjëherë pas ngjarjes, shtetasi M. B. është larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ngjarja është shënuar në një dhomë hoteli në autostradën Tiranë-Durrës. Beqiri ka qëlluar me armë drejt 22-vjeçarit Arni Sulejmanit.

Sipas policisë, nga hetimi i rrethanave të ngjarjes, Beqiri ka pasur qëllim ta vriste Sulejmanin. Ndaj 26-vjeçarit të arrestuar, është ngritur akuza e vrasjes me dashje e mbetur në tentativë.

Në vendngjarje ishin dhe dy persona të tjerë, Anxhela Brisku dhe Enver Hysenaj. Të cilët u arrestuan në ditën e ngjarjes.

22 vjeçarja Anxhela Brisku akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”, pasi sipas policisë, kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit.