“I kanë ngelur në provime”, PL denoncon: Studentët nuk lejohen të dalin në protesta

87
Sigal

Anëtarja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj, u shpreh se Rilindja nuk i lejon studentët, që të marrin pjesë në protesta.“Partia e Lirisë denoncon sot me forcë veprimet e shëmtuara të rilindjes, që kërkon t’u rrëmbejë të drejtën e studentëve për të protestuar.

Rilindja po tregon fytyrën e saj të vërtetë duke i dëmtuar studentët protestues nëpër universitete. Studentët, që kanë marrë pjesë në protestat e mëparshme janë intimiduar dhe ngelur në provime”, shprehet ajo.

Në një deklaratë për mediat, Ibraj shprehet se qeveria dënon studentët duke i ngelur, sepse ka frikë shumë të madhe nga vendosmëria dhe energjia e të rinjve për të reaguar për situatën e rëndë nëpër universitete.

“Rilindja hakmerret dhe dënon studentët duke i ngelur, sepse ka frikë shumë të madhe nga vendosmëria, kurajo dhe energjia e të rinjve për të reaguar dhe për të mos u pajtuar me situatën e rëndë nëpër universitete. Regjimi i Edi Ramës nuk i do dhe nuk i mbështet të rinjtë, por kërkon t’i largojë ata jashtë Shqipërisë për t‘i zëvendësuar me bangladeshas pa zë, pa gojë dhe pa votë.

Por çdo pengesë e rilindjes do të dështoje me turp, sepse studentët do të vazhdojnë të protestojnë pa u ndalur si dhe do të ngrenë shumë fort zërin e tyre. Studentët shqiptarë nuk i tremben aspak as Rilindjes dhe as Edi Ramës dhe do të rezistojnë deri ne fund. Më 14 Maj ndryshimi do të ndodhë me çdo çmim, sepse Shqipëria u përket vetëm të rinjve. Ndaj në 3 mars të gjithë shqiptarët do të protestojnë edhe për studentët, për pedagogët, për universitetet dhe për t’i thënë jo shpopullimit”, -përfundon Ibraj.