Hasan Aliaj; Peshkimi në vitet e socializmit dhe në ekonominë e tregut

385
  • Në vend të një portreti nga biseda me kryepeshkatarin dhe, kapitenin më të vjetër të Sarandës, Hasan Aliaj
  • Peshkimi është shumë i vështirë, por edhe shumë i bukur
  • -Hasan Aliaj: Në rrjetat e peshkimit nëq vitin 1986, gjetëm trupin e një të arratisuri
  • – Në të brendshmet ai kishte futur pasaportën, ishte nga Tirana
Sigal

Nga Agron Mema

Jeta është si pema që, sado t’a vjelësh, mban të fshehur brenda vetes ndonjë frut të saj. Kështu dhe njerëzit me vlera që i kanë dhënë shoqërisë gjithë mundin e tyre, disa prej tyre janë si frutat e fshehura, jetojnë nëpër labirinthet e jetës të heshtur e modest, pa zhurmë e bujë edhe pse i rrethon një lavdi e merituar, mirënjohje e respekt shoqëror, janë tepër modest brenda krenarisë që u ka dhënë puna e tyre e ndershme mes një mundi dhe sakrifice të pashoqe. I tillë është edhe kapiteni më i vjetër i Sarandës, Hasan Aliaj, i cili ka prekur të 72 vitet e jetës së tij dhe ende nuk e ka braktisur punën e kapitenit detar duke punuar në anijen turistike “ Onhezmi”, aq sa pronari i saj, Ilir Hysi, thotë me madhështi se ka anijen me emrin më të vjetër të Sarandës, “Onhezmi” me kapitenin më të vjetër të qytetit, Hasan Aliaj. Kryelundërtari Hasan Aliaj është trupmadh, shtatlartë dhe i fuqishëm fizikisht ku simpatinë dhe hijen e profesionit ia shtojnë e zbukurojnë mustaqet dhe bereta e zezë që nuk e heq asnjë çast nga koka, teksa pi gotën e rakisë në tryezën dhe lokalin e preferuar: në lokalin e Adem Muços buzë detit. Gjithmonë pas punës e gjen aty. Saranda është qyteti që lag buzën në valët e detit Jon, jetojnë sëbashku dhe i japin diçka njëri-tjetrit, ndaj shumica e sarandjotëve janë ëndërrimtarë dhe lundërtarë të ujërave detare. Sigurojnë prej detit të ardhurat ekonomike për mirëqënien familjare dhe përballimin e jetës.

Hasani rrëfen disa episode për lexuesin e gazetës “Telegraf” se ka nisur punën e peshkimit qysh në vitin 1965 në anijen e peshkimit “Agimi” e cila do të bëhej ajo që do t’i sillte agimin e suksesit në jetë. Puna i pëlqente dhe e kryente me vrullin dhe dëshirën që jep energjia e moshës rinore. Pas një viti pune në anijen “Agimi” do të shkonte si kryefanarist në anijen tjetër të madhe të flotës së peshkimit të Sarandës, atë “Shkumbini”, anije që merrej kryesisht me gjuetinë e sardeles. Punoi tek kjo anije deri në vitin 1974, vit kur kësaj flote peshkimi i erdhi anija e madhe nga Durrësi “Sopoti”, kapaciteti i së cilës ishte mbi 120 ton peshk. Pasi qëndroi gjashtë muaj në detyrën e zv/kapitenit, në vitin 1975 emërohet kapiten i saj dhe vijoi në këtë detyrë deri në vitin 1986, kohë kur erdhi një anije moderne peshkimi për sardelen, në gjuetinë e së cilës kapiten Hasani tani kishte përvojën dhe njohuritë si askush tjetër. Edhe kjo anije e madhe erdhi nga Durrësi dhe kapiten u emërua Hasan Aliaj. Ai vendosi edhe emrin e saj duke e pagëzuar “ anija “ Halim Ismaili”, kjo në nderim të peshkatarit të njohur sarandjot Halim Ismaili i cili dha jetën në krye të detyrës gjatë peshkimit. Vdekja e tij gjatë punës aksidentalisht s’mund të anashkalohej lehtë nga kapiteni Hasan Aliaj, ndaj e përjetësoi emrin e tij në anijen më moderne të peshkimit për kohën që dispononte flota e peshkimit në Sarandë. Në këtë anije kapiten Cania vijoi punën deri në vitin 1993, sepse më pas, kujton me dhimbje e trishtim ai, çdo gjë u privatizua deri sa u zhduk pa nam e pa nishan. Të paktën t’i kishin ruajtur si relike të punës heroike që kemi bërë për t’ua treguar brezave sakrificat tona. Edhe Hasani u përshtat me zhvillimet e reja politiko-ekonomie dhe së bashku me një shok të tij privatizuan një anije dhe vijuen punën e peshkimit deri në vitin 2014, ndonëse sot punon me anijen e Guidave turistike “Onhezmi”. Hasani kujton se në vitet e socializmit anija e tij planin e kishte 2200 kv peshk, plan të cilin e realizonte vit për vit. Kjo punë e sakrificës e me përgjegjshmëri bëri që të vlerësohej nga institucionet shtetërore e partiake, që nga sekretari i parë i komitetit të partisë së rrethit Qemal Bregasi e deri nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhëri i Punës”. Por kish edhe cmirëzinj, zemërngushtë e xhelozë për punën e tij të ndershme e rezultative që do t’a riskonin, por nuk u dha, nuk u step nuk u ligështua dhe suksesi e rezultatet me vlerësimet qenë në duart e tij. Kujton edhe çaste emocionale të përballjes me vështirësitë dhe të papriturat e detit që ai krijon herë pas here në mënyrën më të pa parashikuar: “ Në ekuipazh ishim 11 veta. 7 në punë dhe katër pushim për ndërresa se punohej natën dhe ditën pa pushim.

Vështirësia më e madhe na ka ndodhur kur ishim në gjirin e Shëngjinit, në këtë zonë në kuadratin 76 mes ujërave neutrale. Papritur moti u përkeqësua dhe fortunali kërcënonte seriozisht. Duhej gjakftohtësi, kompetencë dhe profesionalizëm në pilotim për përballimin e situatës, jo vetëm në drejtimin dhe orientimin e anijes, por edhe në inkurajimin e ekuipazhit mos të binin në dëshpërim dhe demoralizim. Aty në atë zonë ndodheshim për herë të parë dhe nuk e njihnim mirë terrenin, kjo e vështirësonte edhe më shumë situatën e krijuar. Ishim rreth 40 milje largësi prej bregut. Na mungonin edhe mjetet informuese. Kishim vetëm një busull, -kujton ai,-dhe instrumentin që maste thellësinë. Kjo ka ndodhur në kohën kur rojet jugosllave bënë vrasjen e bujshme të Islam Mustafa. Në këto kushte situata qe serioze dhe duhej marrë e vlerësuar drejt. Në mos gaboj qe viti 1976. Të detyrar nga furtuna e madhe dhe mosorientimi i vendndodhjes e mospërcaktimi i saktë i saj, lundruam rreth 9 orë deri sa zumë Kepin e Rodonit. Nuk njihnim terrenin dhe vështirësitë e lundrimit i shtonte më shumë nata. Kam qëndruar vetë 9 orë në timon në drejtimin e anijes. Edhe sot që e kujtoj më dhembin duart. Pas 9 orësh lundrimi mbërritëm në liman. Aty u futëm në gji dhe u qetësuam. Në liman gjetëm edhe anije të tjera që qenë përballur me fortunalin, por fatmirësisht pa pasoja. Ndenjëm deri sa u qetësua moti dhe përsëri dolëm për gjueti. Anija jonë ishte e re, ahtu si edhe vetë ne, ekuipazhi i saj, kjo bënte që të mos i dinim dhe njihnim mirë kapacitetet dhe funksionet e saj. Ajo qe nga më modernet për kohën që flasim.” -e përfundon këtë episod kapiten Hasani duke rrëfyer këtë vështirësi të përballjes me fortunalin, por shton edhe një fakt që bëri bujë: “ Ishte 16 tetori, ditëlindja e Enver Hoxhës.

Qe viti 1986 dhe Enveri kish një vit që kish vdekur, por festohej ditëlindja e tij. Ne ishim në punë dhe mbërritëm në mol me 120 kv sardele, duke korrur rekord. Mund të qe më shumë, por në peshoren e kripës u peshua dhe merret me mënd tani saktësia e saj. U ngop gjithë qyteti dhe u mbush plot frigoriferi i Delvinës. “ Hasani kujton edhe ngjarje të hidhura si ajo kur rrjetat nxorën nga ujërat trupin e një djaloshi të mbytur, me sa duket në tentativë për të kaluar kufirin, po fati nuk i kish prirë. Në të brendshme kish pasaportën që e identifikoi dhe doli se qe nga Tirana. Në Sarandë ia kanë harruar emrin Hasan, por e thërrasin kapiten Cane ose thjesht kapedan. Kudo e përshëndesin me respekt, respekt i krijuar dhe fituar me punën e tij. Ish notari rekordmen i Partizanit, Skënder Muço thotë se kapiten Cania nuk i ngrinte kurrë rrjetat dhe në këtë pikë të profesionit qe i vetmi. Ai njihte shumë mirë zonat e peshkimit detar, mjeshtër i gjuetisë dhe njohës i sakt i erërave dhe rrymave detare, aq sa përcaktonte saktë hartën e gjuetisë dhe llojeve të peshkut në zonat e caktuara.