Afërdita është e gjallë! ESA dhe NASA nisin misionet për të vëzhguar “lëvizjet”

272
Sigal

Shkencëtarët kanë provuar se pjesë të sipërfaqes së Afërditës lëvizin në mënyrë të ngjashme me ato të kontinenteve në Tokë, por ky aktivitet ndoshta nuk ka lidhje me pllakat tektonike si këtu, por me një proces të ngjashëm.

Gjetjet e shkencëtarëve kanë bërë që Agjencia Europiane Hapësinore të nisë në drejtim të këtij planeti sondën EnVision, ndërsa NASA do të dërgojë dy misione, Veritas dhe DaVinci+ brenda kësaj dekade.

“Kemi identifikuar një model të panjohur më parë të deformimit tektonik të Afërditës, një model që drejtohet nga lëvizja e brendshme e terrenit, ashtu si në Tokë”, tha autori kryesor i studimit, Paul Byrne, profesor i asociuar i shkencës planetare në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut.

Për të dalë në këtë përfundim, shkencëtarët kanë përdorur teleskopët më të fuqishëm në Tokë dhe orbitën e Tokës duke krahasuar pamjet e siguruara prej tyre ndër vite.

Richard Ghail, udhëheqësi i studimit dhe misionit EnVision të Agjencisë Europiane të Hapësirës, i tha BBC Neës: “Ky hulumtim tregon se kemi shumë për të mësuar nga Afërdita dhe se ekziston një spektër shumë më i gjerë i lëvizshmërisë sipërfaqësore sesa vetëm tektonika statike e pllakave të tij.”

Tradicionalisht, litosfera e Afërditës, shtresa e saj e jashtme shkëmbore mendohej të ishte një pjesë e vazhdueshme uniforme, në ndryshim nga ajo e Tokës, që është e thyer në një mozaik të pllakave tektonike të lëvizshme, që shkaktojnë tërmetet.