Skandal/ Qeveria e zhvendos Cirkun Kombëtar në palestrat e shkollave

149
Sigal

Skandal/ Qeveria e zhvendos Cirkun Kombëtar në palestrat e shkollave

Ministrja e Kulturës, Eva Margariti, ka reaguar lidhur me shembjen e çadrës së Cirkut Kombëtar, duke e cilësuar si një moment të vështirë.Por nga përgjigjia e dhënë nga Margariti kuptohet se Qeveria nuk ka asnjë zgjidhje lidhur me Cirkun, një tjetër institucion që e pësoi pas shembjes së Teatrit Kombëtar.Margariti thotë se artistët do të mbanin prova nëpër palestrat e shkollave të ndryshme.Ajo tha se çështja po ndiqej sipas procedurave ligjore në gjykatë dhe se deri në një zgjidhje të caktuar, cirku do të ishte i lëvizshëm pa një vendndodhje të caktuar.“Nuk jemi ndalur në asnjë moment. Jemi në pritje të gjykimit të rastit nga gjykata. Nuk po fshihemi, ky është një moment i vështirë për cirkun. Ndërsa deri në një zgjidhje tjetër, artistët mund të bëjnë prova në palestrën e shkollës “Sinan Tafaj”. Ndërsa momentalisht për shkak të situatës, cirku do të jetë i lëvizshëm dhe do të mbahet në disa palestra të ndryshme nëpër shkolla”, shprehet Margariti.

Përplasjet

Ndërkohë më herët artistët e Cirkut Kombëtar kanë dalë të protestojnë para godinës së Minitrisë së Kulturës, një ditë pasi përmbaruesit u paraqitën pranë çadrës së Cirkut për të bllokuar aktivitetin, pasi toka është njohur nga gjykata si pronë private një sipërmarrësi që në vitin 2014.Por, artistët nuk janë dorëzuar. Ata janë nisur në këmbë dhe kanë shkuar drejt Ministrisë së Kulturës në oborrin e të cilës kanë performuar në formë proteste.Që prej vitit 2014 çështja nuk ka marrë zgjidhje dhe artistët e cirkut janë përplasur vazhdimisht me zyrtarët e përmbarimit të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës. Artistëve u ishte lënë kohë deri një ditë më parë për të marrë sendet personale por ata kanë këmbëngulur në zhvillimin e aktivitetit.

Pas shembjes nisin hetimet  

4 ditë pas shembjes së Cirkut Kombëtar një prej skenave më historike të Tiranës, ku artistët kanë dhënë shfaqje për 62 vite,  KLSH ka marrë vendimin për hetimin e çështjes.Sindikata e Artistëve të Cirkut këtë të premte dorëzoi dosjen dhe kërkesën për nisjen e hetimeve. Cirkun Kombëtar që ndodhej në afërsi të qendrës së Tiranës është shembur pasi trualli ku ishte ngritur çadra do i rikthehet pronarit. Në muajin korrik, Zyra e Përmbarimit, kërkoi uljen e çadrës dhe lirimin e truallit ndaj pronarit, si dhe vendosi bllokimin e buxhetit të cirkut.