Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Sejko, në Klubin e Guvernatorëve të Azisë Qendrore, Detit të Zi e Ballkanit

520
Sigal

Në datat
30 tetor-1 nëntor 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori
pjesë në takimin e 36-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë
Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. Ky takim, i cili u zhvillua në
Jerusalem, Izrael, drejtohej nga Guvernatorja e Bankës së Izraelit, Dr. Karnit
Flug dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve
anëtare të Klubit.

Gjatë takimit, diskutimet u
bazuan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen
e objektivit të tyre për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe stabilitetit
makroekonomik. Një çështje të cilës iu kushtua rëndësi e veçantë ishte edhe
siguria e informacionit dhe zhvillimet e fundit teknologjike. Nga ky
këndvështrim, drejtuesit e institucioneve ndanë me njëri-tjetrin përvojat e
tyre dhe masat e marra nga bankat qendrore në drejtim të mbrojtjes së të
dhënave institucionale.

Takimi shërbeu gjithashtu si një
platformë diskutimi për të shkëmbyer idetë dhe eksperiencat mbi zhvillimet e
teknologjisë, ku të gjitha bankat qendrore prezantuan angazhimin e tyre në
adoptimin e masave bashkëkohore lidhur me sigurimin dixhital dhe mbrojtjen nga
sulmet kibernetike.

Guvernatori i Bankë së
Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të
pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e
marra nga Banka e Shqipërisë për të stimuluar aktivitetin ekonomik të vendit.
Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e
nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje
ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të
vendit.

Më tej, Guvernatori Sejko
prezantoi para të pranishmëve zhvillimet e fundit në planin institucional, ku
veçoi projektin e menaxhimit të rrezikut operacional, dhe në planin kombëtar
angazhimet e Bankës së Shqipërisë në kuadër të strategjive për luftën kundër
pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kërcënimet kibernetike,
etj., duke u fokusuar në përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit që synon
adoptimin e direktivave evropiane në këtë fushë dhe arritjen e standardeve
bashkëkohore.