Grabitje me sqepar në mes të Tiranës, shikoni se si largohet njëri nga autorët pasi morën 3 mln lekë

218
Sigal

Një punonjës që transportonte para për një pikë të këmbimit të parave është grabitur pas disa goditjeve me sqepar në pjesën e kaskës që motorit që ai e mbante për shkak të lëvizjes. Dy individë, që ishin gjithashtu me motoçikletë, kanë arritur të largohen me rreth 3 milionë lekë të vjetra pasi i prenë rrugën dhe organizuan grabitjen.

Një 55 vjeçar, punonjës i një pike të këmbimit valutore ka rënë pre e grabitjes.

Dy persona të maskuar të cilët udhëtonin me motor, nën kërcënimin e një sqepari i vodhën një shumë të konsiderueshme parash.

Por njëri nga grabitësit është tradhtuar nga kamerat e sigurisë dhe është filmuar teksa largohet nga vendngjarja duke e mbuluar pjesën e poshtme të fytyrës me një maskë.

Mësohet se policia do të përdorë këto pamje filmike për të identifikuar njërin nga autorët dhe për të prangosur dy autorët e krimit.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës pranë një pike karburanti në rrugën e Kavajë.

Sipas policisë, 55-vjeçari Qani Zili po transportonte me motor një çantë me një shumë të konsiderueshme parash nga një pikë e këmbimit valutor në tjetrën.

Gjatë itinerarit, në një pjesë të rrugës, dy persona që ishin gjithashtu me motoçikletë, i kanë prerë rrugën dhe e kanë goditur me sqepar në kaskë.

Pas kësaj, ata kanë marrë çantën me para dhe janë larguar, pavarësisht përpjekjeve të disa kalimtarëve të rastit për t’i ndaluar.

Në dëshminë e tij, Zili thotë se nuk ishte në dijeni për sasinë e saktë të parave që ndodheshin brenda çantës, pasi ai ishte përgjegjës vetëm për transportin, por burimet thonë se bëhet fjalë për rreth 3 mln lekë të vjetra.

Fatmirësisht Qani Zili nuk pësoi dëmtime, por dy autorët nuk janë identifikuar ende nga policia, e cila ka sekuestruar dhe pamjet filmike të bizneseve rreth vendngjarjes.