Goditjet e fundvitit/ Shteti në shitje, hakerat bëjnë festë me të dhënat e qytetarëve, ndërsa AKSHI hedh 6.3 mld lekë për kufje dhe mikrofonë

105

Hakerat e Iranit vazhdojnë të bëjnë festë me të dhënat tona, ndërsa Mirlinda Karçanaj tenderon 6.3 miliardë lekë nga taksat e qytetarëve. Asnjë nga pajisjet që do të blihen nuk shërbejnë për rritjen e sigurisë së informacionit. Konkretisht, do të blihen printera, skanera, kufje dhe mikrofonë

Sigal

Shqipëria është në vorbullën e një skandali abuzimi të tmerrshëm ku miliona euro janë investuar për sigurinë e të dhënave të qytetarëve, ndërsa sot janë më të kërcënuar se kurrë, pasi shteti është në shitje dhe hakerat iranianë çdo ditë nxjerrin të dhëna konfidenciale. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është vënë nën akuzë kohët e fundit për një mori tenderash, me vlerë qindra milionë euro. Por, pavarësisht se janë hedhur një “lumë” me para’, sërish vendi ynë ra pre e sulmeve kibernetike, aq sa sistemi “e-Albania” nuk funksionoi prej disa javësh. Dhe, janë dashur sërish miliona të tjera, që ky sistem të vihej në funksion. Pas sulmeve, AKSHI tenderon çdo javë disa tendera me vlerë miliona euro për përmirësime apo shërbime të tjera.

Hakerat e Iranit vazhdojnë të bëjnë festë me të dhënat tona, ndërsa AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) do të hapë thesin e Babagjyshit të Krishtlindjes me dhuratat që i bën vetes. Vetëm pak ditë më parë hakerat kanë publikuar të dhënat e patentave. Por, Mirlinda Karçanaj nuk e vret mendjen fare, se është e zënë me tenderët, që thithin miliarda lekë. AKSHI ka publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve një tender me vlerë afro 6.3 miliardë lekë. Do të blihen paisje të ndryshme, me siguri dhuratat që i kanë kërkuar punonjësit e AKSHI-t shefes Karçanaj. Në dokumentin e publikuar evidentohet se ky tender ndahet në 8 lote pasi kërkesat janë të shumta.

Por, asnjë nga pajisjet që do të blihen nuk shërbejnë për rritjen e sigurisë së informacionit. Konkretisht, do të blihen printera, skanera, kufje dhe mikrofonë. Objekti i kontratës është :“Blerje pajisje TIK për AKSHI dhe Institucionet Publike”. E pra u zbuluan edhe dhuratat që do të marrë AKSHI në prag festash. Veçse shpenzimet janë shumë më lartë nga se jemi mësuar të dëgjojmë. 628,955,732 mijë lekë vetëm për këto dhurata!

Milionat për kufje dhe mikrofonë

Të gjitha blerjet me të 8 lotet janë shpenzime të larta për pajisje që aktualisht janë në gjendje. Por, për vitin që po vjen duhen të reja. Gjithsesi disa prej tyre janë edhe më surprizuese. Le të përmendim këtu blerje kamerash dhe kufjesh me vlerë 3,533,598 mijë lekë, ose 30 milionë lekë të reja. Bie në sy se vetëm për një kamera do të shpenzohen 25,197 lekë! Kjo Karaçanaj po na bën për budallenj si tek përralla me “mbretin lakuriq”.

Rreth 4 miliardë lekë do të shpenzohen për të blerë kompjuterë, me siguri janë përcaktuar kritere specifike për kompjuterë “specialë”. Ndërsa përmendim edhe fondin prej 55, 601,656 lekësh për fotokopje. E për çfarë duhen kaq shumë fotokopje, në kohën kur çdo dokument zyrtar është tashmë elektronik?!! Sakaq, theksohet se kjo kontratë ka kohëzgjatjen për 2 vjet.

Pra, festa dhe dhuratat për AKSHIN do të mbulojnë një periudhë të gjatë. Tenderi pritet të mbyllet me datë 27 dhjetor 2022, kur vëmendja e opinionit është tek pushimet dimërore. Kështu, AKSHI do t’i japë këto miliarda lekë dhuratë për xhiron e ndonjë kompanie të privilegjuar (siç konstatohet nga ankesat e shumta në KPP). Kështu Mirlinda e fuqishme e AKSHI-t të dobët ndaj hakerave, po bën goditjen e fundvitit plot 6.3 miliardë lekë!