Mbi 50% e fermerëve u skualifikuan nga financimi për grurin

60
Sigal

Më shumë se gjysma e fermerëve, që kanë aplikuar për të përfituar nga mbështetja e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për mbjelljen e grurit, janë skualifikuar. Sipas burimeve nga ky institucion, në total kanë aplikuar me vetëdeklarim dhe zero dokumente nga e-albania 7466 fermerë dhe kërkesa për mbledhje të reja të grurit rezulton deri në 30 mijë hektarë.

Por, ndërkohë që interesi i fermerëve për të përfituar mbështetjen financiare prej 30 mijë lekë për hektarë, për sipërfaqe jo më pak se 1 hektarë, ka qenë mbi pritshmëritë, duket se fondi i akorduar nga qeveria për të nxitur prodhimin e grurit në vend si masë parandaluese ndaj tranzicionit të tregjeve ndërkombëtare për shkak të luftës Rusi-Ukrainë ka qenë projektuar sa gjysma e interesit të shfaqur. Në total në funksion të kësaj fushate janë vënë në dispozicion 500 milionë lekë.

Si e tillë, sipas të dhënave të AZHBR, në fund të procesit të vlerësimit administrativ, nga të gjithë aplikantët, janë shpallur fitues vetëm 3127 fermerë, për të cilët bëhet me dije se ka nisur dhe shpërndarja e fondeve. Fermerët marrin mbështetjen pas dorëzimit të dokumenteve të pronësisë, faturave të blerjes së farave dhe plehrave kimikë dhe verefikimit në terren për mbjelljet faktike. Qarku me numrin më të lartë të aplikimeve dhe kualifikimeve renditet Fieri, i ndjekur nga Korça, Shkodra dhe Elbasani.

Me fondin e akorduar nga Ministria e Bujqësisë, mbështetet kultivimi i grurit për afro 16 660 hektarë tokë, apo gjysma e sipërfaqës së kërkuar. Ministria e Bujqësisë synon që sipërfaqja e kultivuar me grurë për vitin që vjen të arrijë në 70.000 ha në total, duke u rritur me 31.2 për qind. Aktualisht në vend prodhohen mesatarisht 233 mijë ton grurë, ndërsa importohen mbi 221 mijë ton.