Gjykata nuk mund të regjistrojë Bindjen Demokratike me logon e ngjashme të PD-së

752
Sigal

Juristi Gerdi Xhanari argumenton paradoksin e vendimit të gjykatës së Tiranës

Jakup B. GJOÇA

Bindja Demokratike është regjistruar brenda 1 dite nga kërkesa që depozitoi në Gjykatën Administrative të Tiranës si parti. Por, logoja e saj është shumë e ngjashme me atë të PD-së. Juristi Gerdi Xhanari në prononcimin për gazetën “Telegraf” argumenton, se ligji “Për Partitë Politike” ia ndalon gjykatës që të regjistrojë një parti politike që ka logo të përafërt me logo të partive politike të tjera.

-Zoti Xhanari, nëse shikojmë logon e Partisë Demokratike dhe logon e Bindjes Demokratike është vështirë të dallosh ndryshime. A e lejon ligji kaq shumë ngjashmëri?

Po te shihni Logon e kësaj Partie apo dhe simbolin dhe shkrimin e fjalëve “Bindja Demokratike”, do të shihni një ngjashmëri në nivelet e mbi 90% të tyre, me simbolet e “PARTISË DEMOKRATIKE”. Një gjë e tillë duhet të jetë një element për mosmiratimin e kërkesës për njohjen e kësaj partie nga ana e Gjykatës. Në ligjin 25/2014, datë 25.09.2014, neni 12 “Për Partitë Politike” thotë shprehimisht :“Emri i një partie duhet të jetë i dallueshëm qartë nga ai i partive të tjera ekzistuese. Inicialet dhe emblemat e partive politike nuk duhet të përputhen.” Pra, del e qarte nga ky nen se inicialet dhe emblemat e kësaj partie duhet të jenë “të dallueshme qartësisht” nga ai i partive të tjera. Mjafton që Gjykata të marrë një akt-ekspertim mbi këtë ngjashmëri, për të mos lejuar krijimin e kësaj partie me logo të ngjashme me PD-në.

Ju thatë se edhe koha e krijimit të saj, lë hije dyshimi?

Këtë e them për dy arsye: Së pari, Ligji kërkon mbledhjen e mbi 3 mijë firmave dhe depozitimin e tyre në Gjykatë. Koha e mbledhjes së këtyre firmave (vetëm 48 orë), të bën të dyshosh në vërtetësinë e tyre. Së dyti, koha ka të bëjë edhe me aspektin politik dhe etik të problemit. Besoj se nismëtarët apo krijuesit e vërtetë të kësaj partie, kanë gjetur momentin e mosfutjes në zgjedhje të Partisë Demokratike, për të përfituar sa më shumë vota të pavullnetshme. Pra vota që mund të shkojnë për këtë parti si pasojë e një gabimi duke parë siglën e ngjashme me Partinë Demokratike apo edhe vota të votuesve që duan të votojnë kundër qeverisë dhe në mungesë të alternativave të tjera veprojnë “Hajt se nuk kemi kujt t’ia japim votën, dhe ua japim këtyre!”.

Po koha e shpejtë e shqyrtimit të kërkesës dhe dhënies së vendimit, a ju duket e dyshimtë?

Në ligjin përkatës që cituam më lart dhe konkretisht në nenin 13 thuhet: “Regjistrimi i partisë politike bëhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për regjistrim dhe të dokumenteve të parashikuara në nenin 10 dhe 11 të këtij ligji. Në rastin kur dokumentet e partive politike nuk janë të rregullta, gjykata, brenda 20 ditëve e kthen kërkesën për të bërë plotësimet përkatëse.” Po ta shihni, ligji ka lënë një hapësirë kohore, për shqyrtimin e kërkesës si dhe dokumentacionit bashkëlidhur kësaj kërkese. Tani me thoni ju mua, nëse e besoni faktin që gjykata arriti që brenda 10 orëve të verifikonte të gjitha firmat (3 mijë) për vërtetësinë e tyre!!! Apo të gjithë dokumentacionin bashkëlidhur kërkesës? Lexoni mirë dhe interpretoni paragrafin e dytë të këtij neni. Vetëm pas 20 ditëve (kohë e mjaftueshme për verifikimin e ligjshmërisë së dokumentacionit), gjykata, nëse gjen parregullsi, mund t’ua kthejë dosjen për plotësime, kërkuesve! Pra duket qartë “shpejtësia” dhe “dashamirësia” e sponsorëve, për t’i bërë gjërat shpejt e shpejt. Dhe e gjithë vetëm me një qëllim të vetëm. Futja e këtij subjekti te ri në zgjedhjet lokale, si thyerje të kauzës së opozitës së vërtetë. Ose për ta përdorur fasadë politike të monopartitizmit të zgjedhjeve vendore.

-Po cili është qëllimi dhe kush mund të jetë i interesuar për këtë gjë?

– Kjo pyetje duhet t’iu drejtohet grupit themelues, mendoj unë. Por për njerëzit tashmë është më se e qartë se kush ka pasur hallin dhe merakun për t’u nxituar për krijimin e kësaj “partie”, dhe se kush i ka krijuar edhe kaq shumë lehtësira proceduriale administrative dhe gjyqësore. Përfytyroni një qytetar që ka një proces gjyqësor dhe ka muaj ose vite që nuk arrin ta mbyllë, ndërsa një grup regjistron një ‘parti” në gjykatë dhe K.Q.Z. brenda 48 orëve dhe po kjo Gjykatë e hallexhiut, verifikon 3 mijë firma për 10 orë!!!