GJERMANIA, FINANCIM PËR EMIGRANTËT

594
Gjermani, financim emigrantëve që kthehen në atdhe
Qeveria e Berlinit do të japë 3 mijë euro për çdo familje, që vendos të vijë vullnetarisht në Shqipëri. Ja sa do të përfitojnë individët 
Shqiptarët, të cilët nuk kanë mundur të sigurojnë azil në Gjermani, do të kenë mundësi të përfitojnë një kompensim financiar, në rast se vendosin të kthehen vullnetarisht në Shqipëri. Qeveria e Berlinit ka vendosur t’u japë një mundësi tjetër mijëra shqiptarëve, të cilët kanë marrë rrugët e Evropës dhe nuk kanë arritur të përfundojnë me sukses procedurat e azilit. Deri më 28 shkurt azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Gjermani, mund të kërkojnë një ndihmë për t’u riintegruar në vendin e tyre të origjinës. Familjet mund të marrin deri në 3000 euro, kurse individët deri në 1000 euro. Këto para mund të përdoren për të paguar qiranë, për të riparuar banesën, për pajisjen e tyre e kështu me radhë. Programi “Vendi yt, e ardhmja jote” plotëson programin “Starthilfe plus”. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, u bëri thirrje azilkërkuesve të refuzuar që ta shfrytëzojnë këtë ofertë. “Nëse ju vendosni deri në fund të muajit shkurt që të ktheheni vullnetarisht në vendlindje, mund të përfitoni edhe këtë ndihmë shtesë për shpenzimet për strehim në vendin tuaj. Ne ju ndihmojmë me ndihma konkrete për riintegrimin”, tha ministri gjerman.

Sipas gazetës “Bild am Sonntag” në periudhën shkurt-tetor 2017 ndihma për rikthim në vendlindje kanë kërkuar vetëm 8.639 vetë. Po sipas kësaj gazete, në Gjermani ka 115 mijë azilkërkues të refuzuar. Rreth 80 mijë syresh kanë statusin “Duldung”, 35 mijë pritet të dëbohen, ndërkohë që nga janari deri në shtator 2017 janë dëbuar 19.520 vetë. Prej këtyre ndihmave mund të përfitojnë edhe azikërkuesit nga Shqipëria apo Kosova që gjenden në Gjermani dhe dëshirojnë të kthehen në vendlindje. Autoritetet gjermane i mbështesin prej vitesh me programe të ndryshme ata që duan të kthehen në vendlindje, pavarësisht nëse janë azilkërkues apo kanë leje qëndrimi në Gjermani.

Çdo vit, mijëra e mijëra shqiptarë udhëtojnë drejt Gjermanisë për të kërkuar punësim e strehim. Shumë prej tyre nuk arrijnë të sigurojnë azilin dhe lejet e qëndrimit, ndërsa me mijë të tjera vazhdojnë të punojnë ilegalisht. Megjithatë Gjermania vazhdon të mbetet ndër vendet më të kërkuar për azil. Gjithashtu, në vitet e fundit janë aktivizuar edhe disa programe për emigrimin e ligjshëm, të cilët mundësojnë largimin e shqiptarëve në bazë të profesioneve që ata kanë. 

Si kërkohet azili
Ai që mbërrin si refugjat në Gjermani duhet të paraqesë fillimisht ose te një autoritet i kufirit, te policia ose te autoritete të tjera, një lutje për azil. Pastaj personi dërgohet në një kamp ku mblidhen refugjatët, në një të ashtuquajtur institucion të parë të regjistrimit. Në cilin institucion shkon dhe në cilin land të Gjermanisë, kjo varet zakonisht nga i ashtuquajturi çelës i Konigsteinit. Në bazë të tij, azilkërkuesit duhet të shpërndahen në Gjermani në mënyrë të barabartë në të 16 landet gjermane. Sa më shumë banorë ka një land, aq më shumë refugjatë i duhet të pranojë. Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë dërgohen për shembull 21 për qind e refugjatëve, në Brandenburg vetëm 3 për qind e refugjatëve. Megjithatë ndarja nganjëherë bëhet edhe në bazë të faktit se në cilin institucion ka ende vende të lira. Këto janë elementë të rëndësishëm për të ditur të drejtat dhe detyrimet që ke si azilkërkues. Në institucionin ku regjistrohesh për herë të parë të duhet fillimisht të banosh. Shpesh kemi të bëjmë me një territor të rrethuar me tela, me polici, mjek, mensë dhe salla gjumi për shumë vetë. Çdo azilkërkues ka vetëm 6,5 metra katrorë në dispozicion për të banuar. Për ushqim, në rast nevoje për veshje, vaksinim ose ndihmë tjetër kujdeset institucioni. Fëmijët marrin ndihmë shtesë, në mënyrë që të shkojnë në shkollë. Në kampet e regjistrimit të parë merren edhe të dhënat personale, bëhen fotografi dhe merren gjurmët e gishtave. Gjurmët e gishtave i dërgohen pastaj Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atje, me anë të një baze evropiane të dhënash shqyrtohet nëse ke paraqitur kërkesë për azil në ndonjë vend tjetër. Punonjësit e Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), përgjegjës për çështjet e azilit, të pyesin në kamp për shkaqet e azilit, sepse në çdo lutje që paraqitet në plan të parë është fati i individit. Në marrjen jopublike në pyetje duhet t’i paraqesësh me gojë shkaqet për një azil – një përkthyes është i pranishëm. Për bisedën, të dyja palëve u jepet një protokoll. Pastaj vendoset nëse hapet procesi i azilit. Nganjëherë nuk ke fare të drejtë të kërkosh azil, sepse për kërkesën është përgjegjës një shtet tjetër i BE. Në këtë rast të dërgojnë menjëherë atje. Pas tri muajsh merr fund detyrimi për të banuar në një kamp të regjistrimit të parë. Pastaj azilkërkuesit – rreptësisht në bazë të kuotës së konstatuar nga kompjuteri – dërgohen në qarqet e secilit land federal. Atje banojnë shumicën e herëve në banesa të përbashkëta, të cilat financohen nga financues privatë ose nga shoqata të bamirësisë. Ka komuna që vënë edhe apartamente në dispozicion. Ka refugjatë që kërkojnë të strehohen atje ku jetojnë edhe të afërmit e tyre. Kjo duhet respektuar vetëm në rastet e bashkëshortëve ose të fëmijëve të mitur. Tashmë ke të drejtë të lëvizësh lirisht në Gjermani, përpara ekzistonte detyrimi për të qëndruar në një zonë të caktuar. “Strehimet pasuese” nuk financohen më nga landet federale, por nga qarqet dhe komunat. Ato marrin një shumë të caktuar afrofe nga landet federale për strehimin e refugjatëve. Këtu ka ndryshime të mëdha. Landi i Bavarisë për shembull thotë se i përballon vetëm 100 për qind të shpenzimeve. Lande të tjera nga ana tjetër përballojnë vetëm 20 për qind të shpenzimeve

Punësimi dhe vendimi
Aktualisht lejohet edhe të punosh në Gjermani, ndërsa kërkon azil. Shanset që të gjesh një vend pune zakonisht nuk janë të mira. Por pa punë merr maksimalja 352 euro në muaj, të paguhen edhe shpenzimet për një banesë eventuale dhe shpenzimet e ngrohjes. Por edhe pas kësaj ka ndihmë financiare, për të cilën nuk janë më kompetente komunat, por federata. Në të vërtetë, proceset për azil nuk duhet të zgjasin më tepër se tri muaj. Por mesatarisht procedurat vazhdojnë të zgjasin më shumë, nganjëherë më shumë se një vit. Shkak për këtë janë ndër të tjera shifrat e rritura shumë të refugjatëve. Përjashtime aktualisht bëhen vetëm për refugjatët nga Siria dhe Iraku, zakonisht ata pranohen pas një kohe të shkurtër. Edhe në rastin e refugjatëve nga të ashtuquajtura shtete të sigurta, si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia, pra në shtete ku si rregull nuk ka shkaqe politike për një kërkesë për azil, koha e përpunimit të kërkesës është më e shkurtër, “disa ditë”. Vendimin për një kërkesë për azil ta njoftojnë gjithmonë me shkrim, së bashku me argumentimin dhe në rast nevoje me një udhëzim si të marrësh ndihmë juridike dhe një përkthim të tyre. Kur lutja për azil pranohet, të japin leje qëndrimi për tri vjet dhe ke të drejtë të përfitosh nga shërbimet sociale. Pas kësaj kohe, rasti shqyrtohet sërish. Por ka edhe raste të veçanta, “mbrojtjen subsidiare”: ai që kërcënohet në atdhe seriozisht për shembull nga tortura, dënimi me vdekje ose lufta civile, konsiderohet si “person me të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare” dhe lejohet të qëndrojë fillimisht për një vit, pas kësaj kohe rasti i tij rishqyrtohet. Kur një kërkesë për azil refuzohet, “të kthejnë pas”. Por mund ta çosh çështjen para gjykatës administrative. Për këtë të duhet të kesh një avokat. Ka raste kur megjithëse të kanë refuzuar, mund të qëndrosh në Gjermani: kjo ndodh në rastet kur vendi yt është në luftë civile dhe drejt tij nuk fluturojnë avionët, atëherë “të durojnë”. Edhe ai që ka një fëmijë me një gjermane, nuk lejohet të dëbohet pa e zgjatur. Ka raste kur një refugjat mund të paraqesë edhe pas refuzimit sërish një kërkesë të re për azil. Një kërkesë pasuese për azil shqyrtohet vetëm atëherë kur ka ndryshuar gjendja juridike (për shembull kur situata në vendin e origjinës tanimë vlerësohet ndryshe) ose kur shfaqen dëshmi për përndjekjen e një refugjati, dëshmi të cilat nuk qenë të pranishme në rastin e parë.
Sigal