Policia ka arritur të zbulojë vendndodhjen e personit i cili u rrëmbye mbrëmjen e të mërkurës në Elbasan.
Burimet bëjnë me dije se personi që u rrëmbye është liruar nga duart e pengmarrësve.
Mësohet se në Komisariat paraditen e sotme janë shoqëruar dhe personat që i hoqën lirinë në mënyrë të paligjshme të riut.
Pritet që policia të dalë me njoftim zyrtar mbi ngjarjen.
Çfarë thoshte mbrëmë Policia e Elbasanit
Blutë e qytetit në një informacion paraprak konfirmuan se “rreth orës 22:20, jemi njoftuar se në afërsi të Pallatit të Sportit disa adoleshentë janë konfliktuar ndërmjet njeri- tjetrit.
Në konflikt e sipër sipas të dhënave të ardhura në sallën operative dyshohet se njëra nga palët është larguar me një automjet duke marrë me vete dhe një person tjetër pa dëshirën e tij.
Nga veprimet paraprake të kryera në vendin e ngjarjes nuk mund të konfirmohet ky fakt i pretenduar në telefonatën e ardhur në sallën operative.
Policia po punon për sqarimin e rrethanave dhe vërtetësinë e ngjarjes, ndërkohë janë intensifikuar masat e sigurisë në qytet”.