Mehmet Latifi/ Për festën e 28 Nëntorit në Strugë, u harrua Qazim bej Qemal Vlora

760
Është ditë feste, festë mbarëkombëtare e jo festë lokale. Në këtë ditë feste Struga ka shumë arsye të krenohet:
– Së pari, sepse në mesin e 40 burrave firmëtarë të Aktit të Pavarësisë ishin edhe tre delegate nga rrethi i Strugës e Ohrit, Hafiz Dr. Murtezan Ali Struga , Nuri Sojliu dhe Zuhdi Ohri (Ohria), edhe pse një pjesë e delegatëve për arsye të ndryshme nuk kanë arritur që të bëhen pjesë e këtij akti madhor. – Së dyti, për fat të mirë apo të keq (vlerësimin le ta bëjë lexuesi dhe historia), në Strugë ka jetuar 17 vitet e fundit të jetës së tij (1936-1953), Qazim bej Qemal Vlora, djali i Ismail Qemal bej Vlorës, i cili nuk ka qënë vetëm djalë i Tij, por ka qenë këshilltar, truproje, sekretar dhe shef i kabinetit të Ismail Qemal bej Vlorës. Qazim bej Qemal Vlora mbyllë sytë në Strugë, ku edhe sot prehen eshtrat e tij. Para dy viteve iu shënua 60 vjetori i vdekjes në organizim të komunës së Strugës dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptar-dega në Strugë, me ç’rast ishin edhe pinjollët e familjes së nderuar Vlora si dhe nipërit e mbesat nga fëmijët e birësuar të Qazim bej Qemal Vlorës, ku u bënë homazhe pranë varrit të tij, iu vu një pllakë përkujtimore në shtëpinë ku ka jetuar dhe ka ndërruar jetë dhe u mbajt një Akademi kushtuar jetës dhe veprës së Qazim bej Qemal Vlorës. 
Varri i Qazim bej Qemal Vlorës
Varri i Qazim bej Qemal Vlorës është vizituar kohë pas kohe nga personalitete të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, pa dashur të rendis emra, por është vizituar edhe nga autoritetet e komunës së Strugës. Vizitat që i janë bërë vite më para nga autoritetet vendore të Strugës, kryesisht kanë pasur karakter partiak dhe më shumë e kanë pasur sa për të dalë në televizion. Kjo praktikë e partizimit vazhdoi edhe me autoritetet aktuale, përkundër përpjekjeve që janë bërë nga Shoqata e historianëve që të mos partizohet. Këtë e them me plot përgjegjësi, sepse pas shënimit të 60 vjetorit të vdekjes së Qazim bej Qemal Vlorës, nga fakti se pushtetin vendor e ka marrë PDSH-ja (tani LR-PDSH) me në krye Ziadin Selën, disa veta më janë drejtuar me fjalët: “A e bëtë Qazim benë të PDSH-së?” . Përgjigja ime nuk ka se sit ë ishte ndryshe pos: “Qazim bej Qemal Vlora është Qazim bej Qemal Vlora dhe nuk është i asnjë partie, por është i të gjithë shqiptarëve dhe nuk është e udhës që ti vishet një etiketë e tillë këtij personaliteti kaq meritor për Flamurin dhe Pavarësinë e Shqipërisë”. Politikat partiake e kanë bërë të veten, si gjithherë që përvetësojnë çdo meritë e sidomos të figurave të tilla madhore kombëtare, por kësaj here absolutisht nuk kanë pasur dhe nuk kanë të drejtë, përkundër përpjekjeve për përvetësim. Atë të drejtë nuk e gëzon absolutisht asnjë parti politike e sidomos ndonjë individ i caktuar. Qazim bej Qemal Vlora është aq shumë i të gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata, sa që as familjarët më të afërm të Familjes Vlora nuk pretendojnë se është vetëm i tyre, por as fëmijët e tij të birësuar. 
Qazim bej Qemal Vlora, respektivisht varri i tij ka qenë aty që para formimit të këtyre partiçkave që secila në mënyrën e vet pretendon se e gëzon tagrin e kombëtarizimit dhe të patriotizmit dhe po qe se nuk je anëtar i asaj partie nuk je as kombëtar e as patriot. Varri i Qazim bej Qemal Vlorës është edhe sot e kësaj dite po në të njëjtin vend dhe askush askënd kurrë nuk e ka pengua që të vizitohet pavarësisht se sa “peshon kombëtarizimi dhe patriotizmi i tij-tyre”. Plot 40 vjet as nuk është përmendur emri dhe varri i tij nga askush, me ndonjë përjashtim. Arsyetimi ka qenë se nuk është ditur një gjë e tillë. Sot kur dihet dhe është i shënuar edhe në këtë datë të rëndësishme historike, pjesë e së cilës histori është vet Qazim bej Qemal Vlora e nuk vizitohet, diçka nuk është në rregull!!! Aq më tepër kur një ditë më parë, në Strugë është shfaqur edhe filmi “Nëntori i Dytë”. Dhe me siguri Qazim bej Qemal Vlorën e kanë partizua qoftë, njëra, tjetra, tjetra, apo të gjitha partitë e shoqatat që veprojnë në Strugë. Mbase do të ma marrin për të madhe për këta rreshta dhe ndokush do të ndihet keq, por ama, sot, kur shënojmë 28 Nëntorin, Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, varri i Qazim bej Qemal Vlorës mbeti deri diku përsëri vetëm. Janë mbajtur aktivitete të ndryshme në tërë komunën e Strugës, por është “harruar” supozoj pa dashje vizita te varri i Qazim bej Qemal Vlorës, njërit nga pjesëmarrësit e Shpalljes së Pavarësisë. Për të mos mbetur krejtësisht vetëm, për fat të mirë, në Strugë aktualisht qëndron një nga nipërit e fëmijëve të birësuar të Qazim bej Qemal Vlorës, dr. Emil Kalimeri së bashku me bashkëshorten Lulzime Duka. Dr. Emil Kalimeri, është djali i vajzës së madhe të birësuar, zonjës Edibe Ohri-Kalimeri. Ai shprehu dëshirë që të vizitojë varrin e Qazim bej Qemal Vlorës, pasi e informuam se askush gjatë paradites nuk e kishte vizituar atë varr. Dr. Emil Kalimeri, Lulzime Duka, të shoqëruar nga prof. Skender Skenderi vizituan varrin, vunë një buqetë me lule dhe bënë homazhe. Për hir të së vërtetës, kur u afruam tek varri i Qazim bej Qemal Vlorës, vërejtëm se edhe ndokush e paska vizituar në ndërkohë e për këtë dëshmon një lule e freskët e vendosur në anën e majtë të varrit. Nuk kemi informacion se kush ka qenë-ose kush kanë qenë vizitor, por megjithatë Qazim bej Qemal Vlora sot nuk ishte vetëm. Për ti shkruar këta rreshta, më nxiti edhe një shkrim i të nderuarit Darling Vlora ( që po ia bashkëngjis shkrimit tim edhe pa e konsultuar autorin D.V), i cili ka gjetur një shkrim në gazetat italiane të viti 1914, ku ndër të tjera përshkruhet roli dhe vepra e Et’hem bej Vlorës dhe Qazim bej Qemal Vlorës dhe meritat e tyre për Shqipërinë dhe e ka nxjerrë edhe në rrjetin social facebook.. 
Në atë artikull, Daling Vlora mes të tjerash shkruan: 
“Ismail Qemal bej Vlora, protagonisti i Shpalljes së Pavarësisë, përveç mbështetjes së madhe që gjeti nga populli, nga patriotë e luftëtarë për të kurorëzuar Veprën e Tij, gjeti një mbështetje mjaft të madhe edhe nga djemtë e tij. Mbështetja që gjeti nga djemtë është një pjesë pak e njohur në Historinë tonë, siç ndodh përgjithësisht thuajse në çdo fushë të jetës, kur fokusimi bie mbi protagonistin i cili, padyshim, për të arritur objektivin ka, pas tij, një grup të tërë pune. Nga djemtë që i qëndruan më pranë Atit të tyre, për shumë e shumë arsye, deri në ditën që Ai mbylli sytë, ishin Et’hem beu dhe Qazimi beu. 
Në korrespondencën e Ismail beut kisha lexuar që njëri nga djemtë e tij, dhe pikërisht Qazim beu, ndodhej në Vlorë dhe ishte vënë në krye të vullnetarëve për të zmbrapsur andartët grekë e për të mbrojtur trojet e atdheut të tij. Megjithatë, pa vënë aspak në dyshim vërtetësinë e korrespondencës së Ismail beut, ajo mbetet korrespondencë, ka nevojë për një dokument apo njoftim të publikuar diku. Teksa shfletoja përpara disa kohësh gazetat italiane, në «Corriere delle Puglie» (6 maj 1914), ndesha në një njoftim që më mbushi me krenari. Aty, korrespondenti italian në Vlorë, flet pikërisht për momentin delikat kur andartët grekë kishin sulmuar Gjirokastrën. Korrespondenti italian i bën një analizë mjaft të mirë situatës dhe, midis të tjerave thekson: trupat vullnetare të nisura nga Vlora, me thirrjen «Rroftë Shqipëria» dhe me qëllimin e vetëm «o të fitojmë, o të vdesim», u drejtuan për në Gjirokastër. Të gjithë, pa dallime politike apo kundërshtie, u bashkuan si një trup i vetëm, drejtuar nga disa udhëheqës, midis të cilëve, «e pse mos ta përmendim», shënon korrespondenti (sigurisht duke pasur parasysh që në Qeveri tashmë nuk ishte Ismail beu por kundërshtari i tij), ishte edhe Qazim beu. Një moment jo i vetëm në historinë e djemve të Ismail beut, por thjesht momente pak të dokumentuara. Vepra e Ismail beut është e pakundërshtueshme, por kur shikoj që edhe djemtë e tij punuan për Shqipërinë, e në këtë rast me armë në dorë, kjo gjë vërtetë që më mbush me krenari. Pra, më pëlqeu që këtë njoftim ta ndaja me ju, më 28 nëntor, kur në një ditë si sot Ismail Qemal bej Vlora, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë e më pas, djemtë e nipërit e tij punuan e luftuan për atë Atdhe, që patën trashëgim nga i pari i tyre, e për të lartësuar emrin e tij”. 
Sigal