“Sot u ktheva në skenën e krimit”, Edmond Budina: Më vranë gjënë më të shtrenjtë, por nuk do ta lëmë me kaq

329
Sigal

Regjisori Edmond Budina, një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ndjehet si i kthyer në një skenë krimi, aty ku i kanë vrarë gjënë më të shtrenjtë.

“Ndjehem sot si një njeri që kthehet në skenën e krimit, ku i kanë vrarë mbase gjënë më të dashur që ka pasur në jetë.

Është e dhimbshme të shikosh këto ekskavatorë që gërryejnë dhe e fshehin atë që dy ditë më parë e thanë me gojën e tyre, që duhet të shpëtohet gardëroba, ekuizita… Të gjithë pasurinë e atij teatri u varrosën në ato rrënoja, revoltohesh nga ky xhest”,– tha ai.

Në një intervistë për News 24, Budina thotë ndër të tjera se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk do ta lejë me kaq këtë çështje.

“Këtu ka interesa të fshehta, interesa mafioze por nuk do i lëmë kështu. E di që vendin e kanë lënë pa Gjykatë Kushtetuese, por nuk e lëmë me kaq këtë çështje, do ta ndjekim ndërkombëtarisht.

Do i drejtohemi Strasburgut, gjykatave ndërkombëtare, Komisionit Europian pasi duket tashëm që Shqipëria është bërë vend i pastrimit të parave të pista, dhe shqiptarët e ndershëm nuk e meritojnë këtë”.