Gjakosen qelitë dhe digjet flamuri shqiptar në burgun grek të Grevenas

547
Sigal

Aldo Bumçi harron interesat kombëtare dhe vazhdon të dëmtojë imazhin e Shqipërisë

Në burgun grek të Grevenasë forcat greke të ndërhyrjes së shpejtë, kanë rrahur emigrantët shqiptarë dhe kanë grisur e shkelur me këmbë flamurin tonë kombëtar. Për këtë akt kriminal, Ministria e Jashtme dhe konsullatat tona duhet të kishin reaguar menjëherë, por Aldo Bumçi është i zënë me fushatën elektorale dhe ai, pasi shkatërroi Ministrinë e Kulturës, tani po bën të njëjtën gjë, me Ministrinë e Jashtme. Ai jo vetëm që po tregon inferioritet të plotë ndaj grekëve, por po hesht para faktit që flamuri shqiptar po griset dhe po shkelet me këmbë. Për këto akte vandaliste, 100 vjet më parë ka reaguar ashpër edhe ish- ministri i jashtëm i Shqipërisë, Eqerem Libohova, por Aldo Bumçi nuk ka ndërmend të mbrojë bashkëkombësit e vet si edhe krenarinë tonë kombëtare. Pasagjerët e mesjetës, po rikthehen në trenat modernë të Greqisë së re, ku barbaria ndaj shqiptarëve, ka mbërritur në kulminacionin e vet. Kjo që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve është një fotokopje se shëmtuar e akteve kriminale të andartëve grekë, kundër burrave, grave pleqve dhe fëmijëve shqiptarë, në vitin 1913. Kështu në ditët tona, vazhdon inkuizicioni ndaj shtetasve shqiptarë. Pasi i kanë masakruar me shkopinj gome dhe pasi i kanë dëbuar me dhjetëra herë nëpërmjet operacioneve të ashtuquajtura “Fshesa”, më në fund qeveria greke i ka mbyllur disa prej refugjatëve shqiptarë, nëpër burgje, me lloj – lloj akuzash, të cilat në rastet e shtetasve grekë nuk ndëshkoheshin fare. Dhe pasi i kanë mbyllur në burgjet e sigurisë së lartë, zyrtarët helenë organizojnë lloj – lloj provokimesh kundër emigrantëve tanë. Akti i fundit i terrorit grek kulmoi me një barbari që mund të krahasohet vetëm me krimet e nazistëve dhe fashistëve duke poshtëruar të pambrojturit dhe të pafajshmit. Madje forcat helene kanë grisur edhe flamurin shqiptar, duke e shkelur atë më pas me këmbë. Sipas përfaqësuesve nga avokati i Popullit, kjo çështje i takon Ministrisë së Jashtme dhe konsullatës  Kjo ka ndodhur në burgun e Grevenasë, i cili është burg i sigurisë së lartë, Për këtë argument, kanë folur disa nga dëshmitarët e vendit të ngjarjes, ku ne shkëputëm Fabion Dushkun i cili tregon detajet e kësaj masakre. Fabion Dushko: Kanë një muaj rresht që forcat e policisë së ndërhyrjes së shpejtë EKAM ndërhyjnë në burg, duke bërë, gjoja kontrolle në qelitë tona. Ata kontrollojnë vetëm në qelitë e të burgosurve shqiptarë. Burgu i Grevenasë ka kapacitetin për 600 të burgosur dhe ka aktualisht 760 të burgosur, ku 350 janë emigrantë shqiptarë. Ky burg është i sigurisë së lartë. Policët ushtrojnë terror ndaj nesh. Kanë goditur pa shkak të burgosurit shqiptarë, policët janë të maskuar. Kanë gjetur vetëm telefona dhe ndonjë thikë nga ato që kemi bërë për të qëruar patatet. Asgjë tjetër nuk kanë gjetur. Policët grekë na kanë grisur fotot e familjarëve tanë që kemi, na kanë grisur edhe flamurin shqiptar, dhe e kanë shkelur me këmbë, duke na turpëruar kombin tonë. U kanë bërë elektroshok mbi 40 të burgosurve shqiptarë. Edhe pse jemi ankuar në ministrinë e drejtësisë greke, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kemi bërë ankesë edhe te avokatët tanë grekë, por nuk kemi parë ndonjë ndërhyrje për të na mbrojtur.

——–

Abdi Baleta: “Mosreagimi i shtetit shqiptar nuk më çudit”

 Shteti shqiptar duhet të reagojë për çdo ngjarje të pakëndshme që ndodh ndaj shtetasve tanë në Greqi dhe kudo jashtë kufijve tanë”. Kështu u shpreh dje, publicisti dhe ish -deputeti shqiptar, Abdi Baleta i cili tha se: “Megjithatë, ky mosreagim nuk më çudit fare”. Sipas tij, kjo ndodh sepse  “jo vetëm qeveria, por e gjithë politika shqiptare, madje edhe një pjesë e shoqërisë e quan këtë problem një ngjarje rutinë dhe jo një skandal, ashtu siç është ën të vërtetë”. Më tej, ai tha se:, “më tepër se sa keqtrajtimi i emigrantëve tanë, këta politikanë i shqetëson frika se si mund të pritet ky reagim në qarqet helene”. Pra, sipas tij shteti shqiptar por edhe e gjithë shpura e politikanëve kujdeset që të mos shqetësojë fare qarqet greke, për problemin e emigrantëve tanë, sepse janë mësuar me sjellje servile. Në këtë mënyrë, duke i thënë të zezës “e zezë”, Baleta është një prej analistëve më realist të vendit tonë, sidomos për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Ermir Dobiani: Ministria e Jashtme duhet të reagojë!

 Ermir Dobiani, ish -Avokati i Popullit tha për “Telegraf”, se Ministria e Jashtme duhet të urdhërojë konsullatat dhe ambasadën tonë në Athinë,  që të shkojnë e të kontaktojnë, të marrin dëshmi dhe pastaj, nëse ka vërtetësi të dhunës të policisë greke ndaj të burgosurve shqiptarë,

 Zoti Dobiani, si mund të reagohet ndaj dhunës së policisë greke ndaj të burgosurve shqiptarë në burgun e Grevenasë?

Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë te shteti grek, veçse të drejtohet te Ministria jonë e Jashtme. Ministria e Jashtme e Shqipërisë, duke u bazuar në raportimet publike duhet të reagojë.

Një i burgosur shqiptar, sot denoncoi veprimin dhe tha se, mediat greke kanë reaguar për dhunën e policisë greke, ndaj shqiptarëve.

Atëherë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet të urdhërojë konsullatat dhe Ambasadën tonë në Athinë, që të shkojnë e të kontaktojnë, të marrin dëshmi dhe pastaj, nëse ka vërtetësi të dhunës të policisë greke ndaj të burgosurve shqiptarë, duhet të drejtohet në rrugë diplomatike te qeveria greke. Kjo është e vetmja rrugë zyrtare reagimi.