Minatrët e Bulqizës kërkojnë zgjidhjen e 7 problemeve kryesore

647
Sigal

Kryetari i Këshillit Sindikal i Rrethit të Bulqizës, Dilaver Perkoxha i dërgon letër përfaqësuesve më të lartë të shtetit

Për të drejtat e tyre minatorët e Minierës së Kromit në Bulqizë, përfaqësuar nga kryetari i Këshillit Sindikal, Dilaver Perkoxha, i kanë nisur një letër drejtuar përfaqësuesve më të lartë të vendit, Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrit të Punës e Çështjeve Sociale si dhe kanë vënë në dijeni për problemin, Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, kryetarin e Partisë Socialiste, deputetin e Qarkut Dibër, z.Qemal Minxhozit dhe Avokatin e Popullit. Në letër thuhet se, kërkesat e vazhdueshme të minatorëve nuk kanë gjetur zgjidhje. Siç dihet minatorët punojnë në kushte shumë të vështira dhe për atë punë që kanë bërë e bëjnë ende asnjëherë nuk janë shpërblyer. Baza e prodhimit të mineralit të kromit në rrethin e Bulqizës është miniera e Bulqizës, e cila pas viteve 2000 është dhënë me konçension, ku ka ndërruar disa pronarë nga ana e të cilëve janë bërë kontrata pune si për hapjen e perspektivës (Thellësia), ashtu edhe për përmirësimin e kushteve të punës të minatorëve të qytetit të Bulqizës, por asnjë angazhim dhe kontratë nuk është mbajtur ose zbatuar nga ana e këtyre. Çdo firmë që ka punuar në miniera ka bërë shfrytëzimin e mineralit të kromit, i cili ka qenë në afërsi të punimeve për t’u shfrytëzuar duke mos bërë asnjë lloj investimi për perspektivën e caktuar edhe në kontratën e punës të lidhur midis Qeverisë Shqiptare, përfaqësuesve të sindikatave të minatorëve etj.. Konkretisht qysh nga viti 2001 që është marrë Miniera e Bulqizës me konçension sipas programeve duhej të ishin bërë punimet e hapjes për thellësinë të paktën deri në nivelet 23 – 24 të minierës, ku aktualisht kemi ngelur akoma me hapjen e punimeve në nivelin e 16 të puseve 2-3, pra nuk është hapur asnjë nivel i ri. Fati i banorëve të zonës së rrethit Bulqizë është i lidhur kryesisht me prodhimin e kromit nga miniera e Bulqizës, sepse siç dihet nuk ka mundësi të tjera për sigurim të ardhurash dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Minatorët janë të diskriminuar sot edhe më keq se në regjimin komunist, sepse të paktën në atë kohë dilnin në pension pleqërie në moshën 50 vjeçare duke patur 12 vjet punë në nëntokë. Kurse sot nuk arrihet të dilet në pension. Konkretisht ka shumë minatorë që kanë mbi 30 vjet punë në nëntokë, duke punuar në kushte mjaft të rënda dhe akoma nuk kanë dalë në pension. Puna në minierë është e vështirë dhe shpesh herë e pa përballueshme për efekt të kalimit të moshës, ku duke qenë në moshë të vjetër krijohen shkaqe për burime kryesore të aksidenteve në punë. Ne, si minatorë me ardhjen dhe ikjen e firmave të ndryshme të konçensionit po shitemi dhe blihemi si skllevër, duke u shfrytëzuar në maksimum puna jonë, por duke mos na siguruar asnjë të drejtë njerëzore për kushte të mira pune dhe vlerësimin e moshës për dalje në kohën e duhur në pension. Minatori sakrifikon jetën çdo ditë e çdo minutë gjatë punës në minierë në tre turnet, por nuk i sigurohet asnjë lloj kushti pune dhe duke mos ju njohur asnjë e drejtë njerëzore. Krahas kësaj në raste nevoje dhe aksidentesh në punë spitali i Bulqizës është pothuajse jashtë funksioni dhe nuk ka personelin e nevojshëm mjekësor si kirurg, renimator, etj., për përballimin e situatave të rrezikshme që krijohen në minierë.

Pak histori

Miniera e Bulqizës ka një historik mbi 65 -vjeçar, ku punimet e para në këtë minierë kanë filluar më 18 shkurt të vitit 1948. Ka patur një muze, ku evidentoheshin proceset e punës dhe të rënët në Minierë, por sot ky muze nuk ekziston dhe është shkatërruar fare nga njerëz të pa përgjegjshëm. Në rast se do të vazhdohet si deri tani ne jemi të detyruar që këto kërkesa tonat t’i shtrojmë edhe pranë organizmave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

 Shtatë pikat që kërkojnë zgjidhje

Nisur nga kjo gjendje e rëndë dhe këto probleme të krijuara deri tani me qëllim që situata të mos rëndohet akoma më tej kërkojmë ndërhyrjen tuaj dhe si Qeveri në këto drejtime kryesore:

1 – Të hapet detyrimisht thellësia e Minierës së Kromit Bulqizë poshtë nivelit të 16 për vënien në eficencë ekonomike të rezervave të mineralit të kromit të pasur të zbuluara, gjë e cila do t’i shërbejë mbajtjes në këto nivele të prodhimit të kromit, perspektivës së zonës dhe sigurimin e punësimit të banorëve të rrethit Bulqizë.

2- Për minatorët të përpilohet status i veçantë i MINATORIT dhe të miratohet në Parlamentin Shqiptar që Minatori të mos jetë i diskriminuar ashtu siç është sot. Për këtë kërkojmë ndërhyrje për ngritjen e një komisioni të veçantë pune me grup ekspertesh, ku të parashtrojnë të gjitha problemet për statusin e MINATORIT, si moshën e daljes në pension, vjetërsinë në punë etj.

3- Përmirësimi i kushteve të punës në minierë të minatorëve.

4- Heqjen e taksës së sheshtë për punë të vështira siç është puna në minierë, ku minatorët shpesh herë sakrifikojnë edhe jetën.

5- Përmirësimin e kushteve në spitalin e Bulqizës, sigurimi i personelit të nevojshëm në këtë spital, sidomos specialist kirurg dhe renimatore.

6- Të vihet në funksionim muzeu i Bulqizës, ku do të pasqyrohet puna e minatorëve që të afërmit e të rënëve në minierë të vizitojnë këtë muze duke u njohur me punën e vështirë të bërë nga baballarët dhe vëllezërit e tyre.

7- Bulqiza është një nga burimet kryesore për shtimin e rezervave të mineralit të kromit dhe punësimin e banorëve të komunitetit tonë dhe detyrimisht nga ana e firmave konçensionare të bëhen përgjithësime dhe punime kërkimi për shtimin e rezervave të mineralit të kromit në horizontet e sipërme të hapura të minierës për rritjen e jetëgjatësisë së vetë minierës.

Qytetarët humbin durimin nga shfrytëzimi i turqve, Kryeministri të mbrojë shqiptarët

Kol Nikollaj, Kryetar i Konfederatës  së Sindikatave të Shqipërisë

Sot qytetarët e Fushë-Arrëzit e humbën durimin, ata protestuan dhunshëm, dhunshëm të detyruar dhe të mashtruar nga shteti i tyre dhe nga ortaku i shtetit, koncensionari, që, së bashku me shtetin, vjedhin dhe nxjerrin jashtë Shqipërisë arin dhe argjendin e arsenikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve… Koncensionari turk po shfrytëzon në mënyrë barbare pasurinë kombëtare nën bekimin e qeverisë. Nuk punëson shqiptarët, por sjell turq. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh se vetëm me Turqinë. Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore të emigranteve dhe kjo me përfitim për turqit që punojnë këtu, se shqiptarë nuk ka emigrantë në Turqi. Kjo ndodh edhe në Elbasan dhe në Fushë- Krujë e kudo, ku ka investime turke, në emër të specialistëve që nuk dinë as shkrim e këndim ata fshehin shumë gjëra. Diskriminojnë në pagë shqiptarët, nuk i punësojnë, nuk investojnë për ambientin as komunitetin, nuk zbatojnë kontratat në shtetin shqiptar etj., etj.. KSSH-ja ka qenë e do jetë në krahun e punëtorëve dhe qytetarëve të Fushë- Arrëzit. Të gjithë politikanët, deputetët e zonës apo drejtuesit e pushtetit vendor janë të kapur nga turqit, dikush merr financim të drejtpërdrejtë, dikush duke punësuar automjete, apo, duke kryer shërbime të tjera, gjoja ekstra. I bëjmë thirrje Kryeministrit të mos sorollatet nëpër palestra gjimnazesh apo nëpër ara e vreshta katundarësh, por të shkojë e të ulet e të dëgjojë hallet e malësorëve të tij, të cilët realisht i ka shitur tek turku dhe po i detyron të humbin toruan.