KED ndalon Shaqir Hasanaj që të kandidojë për në Gjykatën Kushtetuese

385
Sigal

Gjyqtari Shaqir Hasanaj ndalohet që të kandidojë për anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Të pranishëm ishin përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit.

KED pasi vijoi me shqyrtimin e akteve dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave, dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, vendosi:

1. Ndalimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të: Z. Shaqir Hasanaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e rishpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 21.08.2019.

2.Ndalimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të: Z. Shaqir Hasanaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e rishpallur nga Presidenti i Republikës në datën 27.09.2019.

Hasanaj ishte kandidaturë e vetme dhe e fundit, që ngeli në garë për dy vende bosh të shpallura nga Presidenti në shkurt 2018 dhe nga Parlamenti në gusht 2018, vakanca këto të rishpallura përsëri në mesin e 2019, ndërsa KED po i diskuton sot në gushtin 2020.

Gjykata Kushtetuese, tani jashtë funksionit, ka aktualisht 4 anëtarë dhe krahas 2 vendeve bosh që shqyrtohen sot me një kandidat të vetëm, KED ka nëproces shqyrtimi edhe plotësimin e vendit vakant të krijuar në nëntor 2019 nga shkarkimi i zotit Besnik Muçi.