Gëzim Zema: Një jetë në këngë

609
Bashkia Berat vlerëson mjeshtren e këngës popullore qytetare beratase: Floresha Debinja me titullin “Qytetar Nderi’’.
Këngët popullore qytetare përbëjnë një nga pasuritë më të çmuara të traditës sonë muzikore. Ato kristalizohen nga fundi i shekullit XIX në qytete të veçanta të Shqipërisë, ku në secilin prej tyre, në varësi edhe të karakteristikave përkatëse të qyteteve respektive, do të gjejmë të sinkretizuar mjaft bukur elementet epikë, lirikë dhe dramatikë, përmes të cilëve është formësuar një tipologji krejtësisht e veçantë e këngës popullore qytetare, siç është, p.sh., kënga qytetare beratase, vlonjate, shkodrane, korçare etj. Në një truall të tillë do të lindte edhe kënga qytetare beratase, notat e së cilës do të shprehnin ngjyrime të forta emocionale, duke përcjellë ndër adhuruesit e shumtë të këngës qytetare ndjesitë më të thella të botës njerëzore. Pikërisht në një mjedis të tillë, në sokakët e vjetër të Beratit, do të rritej dhe do t’i dëgjonte këto këngë, do të magjepsej prej tyre qysh në fëmijërinë e saj, do të dashurohej me magjinë e tyre e do t’i këndonte gjithë jetën, duke u bërë ndërkaq shpirti, magjia, krenaria, bukuria dhe jehona e këngës qytetare beratase. Është fjala për Floresha Debinjën, një nga këngëtaret më të mirënjohura të muzikës popullore beratase, e cila do ta niste karrierën e saj muzikore qysh në vitin 1968 me Lëvizjen Amatore të Kombinatit të Tekstileve, duke e zgjeruar edhe më tej aktivitetin e saj artistik me pjesëmarrjen në konkurrimet kombëtare të estradave dhe ansambleve popullore, e deri në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës. Ajo ka kënduar me pasion dhe me një profesionalizëm të veçantë jo vetëm këngët qytetare beratase, por edhe këngë të trevave të tjera të vendit tonë. Madje ka provuar me sukses edhe këngë të muzikës së lehtë shqiptare. Në dhjetor të vitit 1974, ajo do të këndonte për herë të parë në skenën e Festivalit të 13-të Këngës në Radio – Televizion këngën “Syrin pishë, zemrën barot”, kompozuar nga Kristo Kote. Qysh atëherë, me zërin e saj të ngrohtë, të ëmbël dhe melodik, ajo do të fitonte duartrokitjet dhe adhurues të shumtë të këngës nga e gjithë Shqipëria. Floresha Debinja do të bëhej trashëgimtarja më e denjë e këngëtareve paraardhëse beratase, si; Virgjinia Mile, Hysnie Saraçi etj, jo vetëm duke e përcjellë ndër breza këtë pasuri të folkut tonë, por duke ia pasuruar edhe më tej vlerat këngës qytetare beratase. Për shumë vite me radhë ajo do të ishte këngëtarja e Estradës Profesioniste të Beratit, duke marrë pjesë në çdo festival të qytetit të saj, por edhe në festivalet kombëtare të këngës popullore. Në vitet e errëta të komunizmit, së bashku me pjesëtarë të tjerë të Teatrit Profesionist të Beratit, si: Dhimitër e Kozma Dushi, Ludmilla Baballëku, Kujtim Babunja, Petrit Berisha, Rolanda Riko dhe aktorët e kësaj trupe, do të bëheshin i vetmi ushqim shpirtëror për njerëzit, duke lehtësuar sadopak dhimbjet dhe problemet e asaj kohe. Ansambli i Këngëve Popullore të këngës qytetare beratase do të jepte shfaqe brenda dhe jashtë atdheut, por shpirti i Floresha Debinjës, bilbilit të këngës beratase do të mbetej këtu, në qytetin e saj, sepse “Kam lindur e jam rritur me magjinë e këngës beratase, i kam kënduar popullit tim, qytetit tim dhe Beratin nuk mund ta gjej kurrë ngado që shkoj…”, do të thoshte Debinja me krenarinë e një njeriu që është dashuruar përjetësisht me këngën dhe qytetin e saj. Këngët e repertorit të saj, të tilla, si: “Kur hyn në Mangalem”, “Trëndafil i bukur shumë”, ‘Kur këputa borzilokun”, “Odë e vogël me gëlqere”, “Çupë thyeji ato gjilpëra” etj. përbëjnë një thesar të rrallë të kulturës sonë, që do të trashëgohet brez pas brezi si jehona e një qyteti të lashtë, duke përjetësuar kështu jo vetëm këngën, por edhe ata që e derdhën shpirtin e tyre në këngë, midis të cilëve, Floresha Debinjën, bilbilin e këngës sonë. Për t’i shprehur respektin e mirënjohjen e veçantë kësaj artisteje, për kontributin e saj mbi 40 – vjeçar në muzikën qytetare beratase, Bashkia e Beratit, të mërkurën, më 14.06.2017, organizoi në Sallën e Konferencave, me miq e dashamirës të artit e të këngës qytetare beratase, ceremoninë e akordimit të titullit “Qytetar Nderi” e qytetit të Beratit, znj. Floresha Debinja. Ky është titulli që i mungonte prej kohësh Këngës Qytetare Beratase, e cila tashmë identifikohet me artisten që ia kushtoi jetën e saj këngës, Floresha Debinjën.
Sigal