Gati, sekuestrimi i pasurive dhe pronave të paligjshme

538
Prej ditës së enjte, prokurorët e Krimeve të Rënda, si dhe tre agjentë të Antimafias italiane, kanë zbarkuar në Elbasan, nga ku kanë marrë kontakte me krerët e policisë, organit të hetimit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese. Burime të besueshme nga Prokuroria dhe Drejtoria e Policisë Elbasan i thanë “Telegraf”, se “ardhja e tyre ishte e papritur, e grupit të prokurorëve nga Krimet e Rënda, si edhe e tre agjentëve specialë të Antimafias italiane, dhe ajo lidhej me disa dosje të bujshme të rreth 28 personave që janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, persona të gjykuar dhe të dënuar nga gjykatat shqiptare dhe ato italiane vitet e fundit, të cilët prej vitesh pastrojnë miliona euro në këtë zonë, duke investuar, ndërtuar, blerë dhe qarkulluar në banka sasi të konsiderueshme parash”. Sipas të njëjtit burim bëhet me dije se “Krimet e Rënda kanë gati edhe aktin e sekuestrimit të disa pronave si pallate, vila dhe biznese, të cilat u përkasin personave të dënuar në Shqipëri ose në Itali, dhe që nuk e justifikojnë burimin dhe origjinën e tyre, mjafton të dimë se mosha e të akuzuarve dhe dënuarve nuk e kalon 35 vjeç, gjë e cila nuk të lë ta besosh, se ata kanë pasuri të ndershme”. Shumica e tyre kanë investuar në Elbasan dhe zonat rreth tij, duke blerë toka, objekte, dhe duke hapur biznese të shtrenjta, duke qarkulluar në banka vlera të tilla që e kalojnë 20 milionë euro në vit. 

Në listën e zezë të këtyre personave janë edhe njerëz të drejtësisë

Të paktën dy prokurorë dhe tre gjyqtarë, si dhe katër zyrtarë policie janë pjesë e ortakërisë në bizneset e këtyre personave të dënuar, që kanë kryer trafik droge, qeniesh njerëzore dhe që kanë vite që administrojnë milionat e “pronarëve”, që aktualisht ndodhen në burgjet shqiptare dhe ato italiane. Grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe tre agjentët e Antimafias italiane, edhe ditën e premte kanë qenë “miq” të organit të akuzës në Elbasan, nga ku janë njohur përgjatë gjithë paradites me dosjet voluminoze dhe problematikat e tjera hetimore të personave të dënuar. Mësohet se “miqtë” nga Krimet e Rënda dhe Antimafia e Italisë, kanë ardhur edhe me kërkesa konkrete për të mundësuar nisjen e hetimeve për emra të rinj, por edhe vendosjen e sekuestros për pronat e të dënuarve.

 Ata u kanë dorëzuar kolegëve të tyre (gjithnjë në konspiracion) materiale kompromentuese, si biseda të përgjuara, dokumentacion shtesë, mbi veprimtarinë kriminale të personave të dënuar, të atyre që janë duke u hetuar dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mendohet se pronat e këtij kontingjenti shtrihen në shumë fusha biznesi, duke u hapur mjaft vitet e fundit, edhe në blerje tokash bujqësore dhe trojesh në zona të ndryshme të këtij qarku. Hetimet e Krimeve të Rënda janë shtrirë edhe në disa banka të nivelit të dytë, të cilat janë përdorur për të kryer transaksione financiare. Trokitjet e forta të partnerëve ndërkombëtarë, për nisjen pa vonesë dhe përfundimin e reformës në sistemin e drejtësisë, duket se kanë vënë në lëvizje seriozisht gjithë strukturat e këtij sistemi. Dhe ndoshta këtu duhet parë si pozitiv edhe fakti se mes shumë të tjerëve, tashmë beteja është ndezur edhe mes kolegësh, mjafton t’u zbulosh atyre një lidhje me rrjetin e trafikut, krimit apo korrupsionit, për t’i bërë “kurban” të reformës së shumëpërfolur. Mësohet se ekipi i Krimeve të Rënda dhe Antimafias do të qëndrojë edhe disa ditë në Elbasan, por gjithçka do të vendoset pasi ata të kthehen në Tiranë. 

Maksim TUFA
Sigal